Menyja

Demant për gënjeshtrat e publikuara nga SOS për Fondacionin “Metamorfozis”

Fondacioni “Metamorfozis” i dënon ashpër dhe i konsideron si gënjeshtër të madhe dhe shpifje, dhe në tërësi i demanton deklaratat e përfaqësueseve të grupit prej tre qytetarëve të quajtur “Stop operacioni Soros” (SOS), të shprehura në konferencën për shtyp të mbajtur me datën 4 shkurt të vitit 2017.

Në këtë konferencë u thanë gënjeshtra për fondacionin “Metamorfozis”, duke përfshirë edhe akuza të pasakta se në llogaritë e fondacionit janë derdhur “shuma milionëshe”, të cilat, gjoja, janë përdorur për aktivitete partiake dhe për qëllime të LSDM-së.

Me ashpërsi i refuzojmë këto shpifje dhe ofendime. Mjetet e fondacionit “Metamorfozis” asnjëherë nuk janë shfrytëzuar dhe nuk do të shfrytëzohen për aktivitete të cilësdo qoftë parti politike. Konstruksionet dhe manipulimet e këtilla kanë për qëllim ta defokusojnë vëmendjen e publikut nga problemet e vërteta dhe ta dëmtojnë autoritetin e fondacionit “Metamorfozis” dhe të gjithë sektorit joqeveritar që nuk është nën kontrollin e partisë në pushtet.

Përkundrazi, në kundërshtim me parimet e veprimit të sektorit joqeveritar si korrigjues jopartiak i cilit do qoftë pushtet, grupi prej tre qytetarëve që paraqitet si organizatë joqeveritare apo iniciativë joqeveritare me emrin “Stop operacioni Soros”, e realizon agjendën e publikuar të një partie politike për qërim të hesapeve me pjesën e pavarur dhe progresive të sektorit qytetar. Njëri nga zëdhënësit e këtij grupi është i punësuar në agjencinë shtetërore të lajmeve, pasi e ushtroi funksionin e këshilltarit për marrëdhënie me publikun të kryetarit të RM-së, i cili në atë funksion erdhi si kandidat i VMRO-DPMNE-së.

Fondacioni “Metamorfozis” ekziston që nga viti 2004 si subjekt i pavarur jopartiak dhe që atëherë vazhdimisht punon për ndërtimin e shoqërisë informatike dhe për përforcimin e pozitës së qytetarëve në shoqëri, pa marrë parasysh se cilat parti janë në pushtet. As fondacioni “Metamorfozis”, e as ndonjëri nga donatorët me të cilët bashkëpunojmë nuk financojnë e as nuk realizojnë projekte të bazuara në orientime partiake ose ideologjike. Të gjitha aktivitetet tona dhe raportet financiare janë në dispozicion të publikut.

Me ashpërsi e dënojmë edhe kualifikimin se jemi organizatë që punon në bazë të urdhrave të dikujt. Për shkak të gënjeshtrave të vrazhda, shpifjeve dhe tentimit për dëmtim të autoritetit të fondacionit “Metamorfozis” dhe të punësuarve të tij, nga përfaqësuesit e grupit SOS kërkojmë që publikisht të kërkojnë falje. Në të kundërtën do të ngremë padi për ofendim dhe për shpifje.

Nga mediat që i transmetuan këto shpifje kërkojmë që këtë demant ta publikojnë në vendin e njëjtë dhe me kohëzgjatje të njëjtë sikur edhe dezinformatat e publikuara. Ato medie që nuk do ta plotësojnë këtë obligim kushtetues dhe ligjor, do t’i konsiderojmë si bashkëpjesëmarrëse të fushatës kundër sektorit joqeveritar dhe ato do të përfshihen në padi.