esociety photo 1

Fоto: Vanço Xhambaski

Reformat në sferën mediatike duhet të bëhen në mënyrë profesionale, nëpërmjet debatit dhe duke i përfshirë të gjitha palët e interesuara, si dhe me qasje të partneritetit të hapur nga ana e institucioneve të sistemit. Ky ishte përfundimi i konferencës “e-Shoqëri.mk” në temën “Liria dhe privatësia”, e cila u mbajt në hotelin “Holiday Inn” në Shkup, në organizim të Fondacionit për internet dhe shoqëri, Metamorfozis. Sipas ministrit për shoqëri informatike dhe administratë, Damjan Mançevski, i cili foli në kuadër të sesionit të hapjes së konferencës, portalet në internet janë një pjesë e problemeve në sferën mediatike për shkak se nuk dihet kush qëndron prapa portaleve të caktuara, ndërsa pronarë janë kompanitë e ashtuquajtura “off-shore”. Si problem i veçantë në sferën mediatike, Mançevski e theksoi dukurinë e lajmeve të rrejshme. – Të rinjtë në Veles janë rritur në një shoqëri të lajmeve të rrejshme. Nuk mundemi ne si shtet ose si qeveri vetë të përballemi me këtë problem, por nevojitet bashkëpunim në nivel global. Këtu ka edhe problem etik në aspekt të asaj se deri ku shkon niveli i rregullimit të mediave, a do të futemi në privatësinë e dikujt ose a do të ketë censurë. Jemi të hapur për bashkëpunim dhe dialog – tha Mançevski. Në mesin e folësve në sesionin e parë ishte edhe drejtoresha ekzekutive e Fondacionit “Shoqëri e hapur – Maqedoni”, Fani Karanfillova – Panovska, e cila e potencoi rëndësinë e rolit të shoqërisë qytetare dhe theksoi se pa shoqëri qytetare, e cila do të jetë kritikuese profesionale dhe objektive e pushtetit, nuk do të realizohet ajo që duhet. – Parashtrohet pyetja se a mund të ketë liri pa mbrojtje serioze të privatësisë. A nënkupton mbrojtja ekstreme e privatësisë edhe kufizim të lirisë? Sipas meje, liria është më e rëndësishme se sa privatësia, për shkak se më duhet liria që ta mbroj privatësinë – tha Karanfillova-Panovska.

esociety photo 2

Foto: Vanço Xhambaski

Përveç tyre, në sesionin e parë morën pjesë edhe Vesna Kardalevska, koordinatore rajonale e Projektit për liri në internet në Evropën Lindore dhe Euroazi, Oda e avokatëve të Amerikës (ABA ROLI), si dhe Radmilla Zhivanoviq, Kryesuese e Bordit drejtues të Fondacionit për internet dhe shoqëri, Metamorfozis. Në sesionin e dytë të programit, drejtori programor i Fondacionit “Metamorfozis”, Filip Stojanovski, theksoi se reformat në media janë shumë të rëndësishme sepse ato janë pushteti i katërt i shoqërisë, që kërkon që pushtetet e tjera të jenë të përgjegjshme. Përveç Stojanovskit, foli edhe Dragica Ljubeska nga Agjencia për shërbime audio dhe audio-vizuale mediatike, e cila konsideron se nuk është e ndaluar që të raportohet për gjuhën e urrejtjes, por është e ndaluar që mediat të jenë burim i gjuhës së urrejtjes. Si përfaqësues i Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë, Ivan Breshkovski tha se është me rëndësi që të mos ketë rregullim të tepërt të sektorit mediatik për shkak se kjo mund të ndikojë negativisht dhe mund ta dëmtojë gjendjen e brishtë me lirinë e të shprehurit. – Nëse gjykatësit udhëhiqen nga praktika e Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, në qoftë se është shkaktuar dëm, nuk është me rëndësi se ku është shkaktuar ai dëm dhe a bëhet fjalë për medie në internet. Çelësi qëndron te gjykatësit. Nëse ata udhëhiqen nga praktika e Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut nuk do të kemi problem me kontestet për shpifje dhe ofendim – shtoi Breshkovski. Dejan Georgievski nga Qendra për zhvillimin e mediave, thotë se sukses do të ishte në qoftë se në fazën e parë të reformave fitohet një organ i mirëfilltë rregullator, i cili do të jetë organi i vetëm sovran në fushën e radiodifuzionit që do të zbatojë politika të mirëfillta që tregu të kthehet në dimensionin e tij të vërtetë. – Problemet burojnë nga ajo se kemi strëmbushje të tregut, kemi ekonomi të dobët, ndërsa kemi skenë mediatike sikur jemi popull 100 milionësh. Ne si shoqëri duhet të vendosim se si ta ruajmë gazetarinë që hulumton thellë dhe e flet të vërtetën – tha Georgievski. Pastaj u mbajtën edhe dy sesione në temën “Mbrojtja e privatësisë – kornizat juridike dhe institucionale”, si dhe diskutim për përparimin e deritanishëm të reformave demokratike në fushat e lirisë së të shprehurit (mediat) dhe të privatësisë. Në sesionin që kishte të bëjë me privatësinë morën pjesë Biljana Vollçeska, inspektore e lartë për mbrojtjen e të dhënave personale në Drejtorinë për mbrojtjen e të dhënave personale, Еlena Trifunovska nga Fondacioni Metamorfozis, Aleksandar Nikollov, drejtor ekzekutiv i Asociacionit Zenit dhe Ljupço Petkovski nga Eurothink – Qendra për strategji evropiane.

esociety photo 4

Foto: Vanço Xhambaski

Përveç prezantimit të rezultateve nga hulumtimi Eurometri, të cilat i prezantoi Petkovski, në këtë sesion u theksua se definimi i mediave në internet është sfida e parë me të cilën do të ballafaqohen institucionet. Në fund debatuan Maja Petkovska Leses, këshilltare e veçantë për analizë të komunikimeve dhe marrëdhënie me publikun në Kabinetin e ministrit përgjegjës për komunikime, llogaridhënie dhe transparencë, pastaj Daniella Gjorshoska nga MPB-ja, prokurori publik Vlladimir Milloshoski si përfaqësues i Shoqatës së prokurorëve, avokati Valentin Pepeljugoski dhe Mirçe Adamçevski nga Këshilli për etikë në media. Thеks i veçantë iu kushtua reformave për proceset e mbikëqyrjes dhe ndjekjes së komunikimeve me ç’rast u sqaruan hapat e deritanishëm dhe të ardhshëm, në mesin e të cilave ishte edhe përballja me qasjen e drejtpërdrejtë të organeve shtetërore në pajisjet e operatorëve të telekomunikimit duke formuar qendër të re operative-teknike dhe sistem të kontrollit të pavarur. Konferencën e-Shoqëri.mk e organizoi Fondacioni për internet dhe shoqëri, Metamorfozis, në sinergji me Projektin për liri në internet në Evropën Lindore dhe Euroazi të Odës së avokatëve të Amerikës (ABA ROLI), projektin Observatori për reforma mediatike (mediaobservatorium.mk ), i mbështetur nga Fondacioni Shoqëri e hapur – Maqedoni dhe projektin Përgjegjësi, Teknologji dhe Rrjet i institucioneve të hapura në Evropën Juglindore (ACTION SEE – actionsee.org), i mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Ndaje: