Fondacioni Metamorfozis sërish është e ftuar të japë kontribut në njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme vjetore botërore në sferën e teknologjisë dhe internetit “Forumi i Stokholmit për internetin 2019” (SIF) i cili mbahet këto ditë në Suedi.

Në organizimin e Agjencisë suedeze për zhvillim ndërkombëtar (SIDA) sot dhe nesër në kryeqytetin e Suedisë mbahet “Forumi i Stokholmit për Internetin 2019”. #SIF2019 është një platformë për avancimin e një interneti të lirë, të hapur dhe të sigurt si shtytës drejt zhvillimit. Në të marrin pjesë vetëm ata që kanë ftesa ndërsa ka folës me famë botërore.

#SIF2019 ofron një hapësirë për shkëmbim të ideve, njohurive dhe bashkëpunimit. Tema është “Tkurrja e hapësirës demokratike online – mobilizimi për internet të lirë, të hapur dhe të sigurt.”

Sipas organizatorëve, hapësira demokratike online po tkurret por dhe njëkohësisht peizazhi i ri digjital ofron mundësi të reja demokratike për këdo që ka qasje në internet.

“Janë shpeshtuar masat represive kundër shoqërisë civile, gazetarëve, minoriteteve dhe aktorëve të tjerë të ndryshimit. Teknikat për të heshtur zërat në internet janë më kreative dhe teknikisht më të avancuara se kurrë më parë. Janë kufizuar të drejtat civile dhe politike, si dhe të drejtat sociale dhe ekonomike. Ky është një shqetësim serioz, pasi një internet i lirë, i hapur dhe i sigurt është një nxitës i zhvillimit të qëndrueshëm dhe reduktimit të varfërisë.” thonë organizatorët.

Drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari thotë për Portalb.mk se ai është ftuar për herë të dytë të marrë pjesë në këtë forum duke theksuar se kjo paraqet rast për të mësuar për mundësitë e shumta që krijon përdorimi i teknologjisë por edhe për rreziqet që sjell.

“Forumi në Stokholm është një prej ngjarjeve vjetore më të rëndësishme në botë sa i përket zhvillimeve teknologjike dhe ndikimin që kanë ato në të gjitha fushat e jetës duke filluar nga privatësia, siguria, fuqia që kanë kompanitë private si Facebook dhe Google – e deri te sistemet politike dhe mënyrat e qeverisjes. Sivjet fokusi është në sfidat që lindin nga keqpërdorimi i teknologjisë për të tkurrur hapësirën publike për liri të shprehjes dhe beteja kundër këtyre keqpërdorimeve që drejtpërdrejt kërcënojnë demokracinë. Edhe një herë del në pah roli esencial i organizatave joqeveritare për të tejkaluar këto sfida dhe nevoja për bashkëpunim në gjitha nivelet: lokal, nacional dhe ndërkombëtar.” shprehet Jashari.

“Është hera e dytë që jam i ftuar të marr pjesë në këtë forum dhe si gjithmonë është mundësi e shkëlqyer për të mësuar për mundësitë e shumta që krijon përdorimi i teknologjisë, por njëkohësisht edhe për rreziqet. Ky forum gjithashtu paraqet një shans të mirë për të ndërtuar partneritete të reja dhe bashkëpunim në projekte të ndryshme.” shton ai.

#SIF2019 shtrohen pyetjet: “Si mund të sigurojmë një internet të lirë, të hapur dhe të sigurt? Si mund të fitojnë më shumë njerëz qasje në internet? Si munden qeveritë të mbajnë përgjegjësi për shkeljet e të drejtave të njeriut në internet?

Gjithashtu, #SIF2019 shqyrton kërcënimet më të fundit kundër demokracisë në internet dhe masat e nevojshme për të mobilizuar transparencën e internetit.

Ndaje: