Këshilli për etikë të mediave i Maqedonisë (KEMM), dje më 6 prill, ka miratuar 9 vendime në bazë të ankesave të parashtruara nga Fondacioni “Metamorfozis”, me ç’rast të gjitha ankesat janë vlerësuar si të arsyeshme.

Ankesat kishin të bëjnë me mospublikimin e demantit të dërguar te portalet kurir.mk, lider.mk, makedonija24.mk, netpress.com.mk, plus24.mk, republika.mk, si dhe te televizonet “Kanal 5”, “Nova” dhe “Sitel”.

Demantet të cilat “Metamorfozis” i ka dërguar te të gjitha këto media, kanë të bëjnë me gënjeshtrat dhe të pavërtetat e thëna për punën e Fondacionit para mediave nga grupit që quhet “Stop Operacioni Soros”, për të cilin nuk është e qartë se çka paraqet, kë e përfaqëson dhe kush qëndron pas këtij emri, duke pasur parasysh se tre personat e njëjtë vazhdimisht flasin në emër të subjektit të paregjistruar dhe që nuk ekziston, i cili madje nuk është as në fazë të regjistrimit, siç vërtetoi edhe Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë.

Në arsyetimin për vendimin e tij, KEMM-ja i referohet nenit 3 të Kodit të Gazetarëve të Maqedonisë, në të cilin thuhet se “gazetari do të tentojë që të sigurohet e drejta për korrigjim, demant dhe përgjigje, në ato raste kur vërtetohet pasaktësia e informatës”, mirëpo edhe nenit 16 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, më saktë në paragrafëve 4 dhe 5, ku qartë thuhet se është e garantuar e drejta e përgjigjes dhe e drejta e korrigjimit në mjetet e informimit publik.

Vendimin e KEMM–së, mediat janë të detyruara ta publikojnë në afat prej 3 ditësh sipas Rregullores së punës së Komisionit për ankesa të Këshillit, e nëse kjo nuk bëhet, atëherë ky Komision do të ndërmarrë masa plotësuese.

Ndaje: