Komuniteti i Global Voices kërkon drejtësi për shtatë përfaqësuesit e lirisë së të shprehurit, të cilët ballafaqohen me gjykim në Marok për shkak të aktivizmit të tyre.

Shtatë përfaqësuesit janë përpjekur që t’i mbrojnë të drejtat e njeriut, kanë kërkuar llogari nga autoritetet para publikut, dhe janë angazhuar për sundimin e së drejtës në vendin e tyre. Pesë prej tyre janë akuzuar për “rrezikimin e sigurisë së brendshme të vendit”, ndërsa dy vetë ballafaqohen me akuza për “pranimin e fondeve të huaja pa e njoftuar Sekretariatin e përgjithshëm të Qeverisë”. I bëjmë thirrje Qeverisë së Marokut që t’i përmbushë obligimet që i ka marrë me nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe t’i hedhë poshtë të gjitha akuzat kundër këtyre shtatë njerëzve.

Në mesin e të akuzuarve është edhe Hisham Almiraat, mjek dhe anëtar shumëvjeçar i komunitetit tonë. Nuk mund të heshtim përderisa miku ynë është i kërcënuar. Pothuajse një dekadë të plotë, Hishami është zëri kryesor në blogosferën marokene. Ai është bashkëthemelues i projekteve për medie qytetare Тalk Morocco dhe Маmfakinch, e poashtu ka shërbyer edhe si drejtor në pjesën e Global Voices për avokatësi. Duke e balancuar profesionin dhe angazhimin personal, Hishami kaloi shumë vite duke punuar për përmirësimin e jetës dhe të mirëqenies së marokenëve, dhe si aktivist i shoqërisë qytetare dhe si mjek.

Sikurse edhe grupet e tjera që kanë të bëjnë me mediet dhe të drejtat e njeriut anembanë botës, kemi frikë se ky rast paraqet përpjekje nga ana e autoriteteve marokene që t’i heshtin ata që kanë qëndrim kritik ndaj politikave dhe praktikave të tyre.

Këtë përpjekje e shohim jo vetëm si kërcënim ndaj mikut dhe kolegut tonë, por edhe si kërcënim për misionin tonë më të gjerë. Si komunitet i bloguesve dhe i aktivistëve prej më shumë se 160 vendeve, për çdo ditë e shfrytëzojmë të drejtën tonë njerëzore për liri të të shprehurit që të tregojmë tregime për komunitetet e gjithë botës që nuk janë të përfaqësuara sa duhet në publik.

Ju ftojmë që të na bashkangjiteni për ta mbështetur porosinë tonë, e poashtu u bëjmë thirrje qeverive të huaja që të kërkojnë llogari nga qeveria marokene për veprimet dhe parimet e saj. Drejtësi për Marokun. #Justice4Morocco

Burimi: Global Voices Advocacy “Global Voices Community Stands With Moroccan Free Expression Advocates” 18 nëntor, 2015.

Ndaje: