Мени

Nuk janë plotësuar kushtet për shpërbërjen e Parlamentit dhe zbatimin e zgjedhjeve të besueshme

Komunikatën e OJQ-së Infocentar, Qendrës maqedonase për arsim evropian, Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë, Fondacionit Shoqëri e hapur – Maqedoni, Transparencë -Maqedoni, Fondacionit Metamorfozis dhe Insitutit për të drejtat e njeriut ua përcjellim në tërësi:

Shkup, 05.04.2016

Më 23 shkurt 2016, nën presionin e fuqishëm të publikut, qytetarëve, bashkësisë ndërkombëtare dhe të një pjese të partive politike, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e shtyri shpërbërjen e tij për datën 7 prill 2016, me arsyetimin se nuk janë plotësuar pikat kyçe të definuara si minimum për zgjedhje të besueshme. Ato tre pika kishin të bëjnë me punën e Komisionit shtetëror zgjedhor (KSHZ) dhe pastrimin e Listës zgjedhore, rregullimin e punës së medieve me qëllim të ofrimit të mundësive të barabarta për të gjitha opcionet politike për ta prezantuar programin e tyre para qytetarëve, si dhe me ndarjen efikase të ndikimit të partisë mbi shtetin (institucionet) gjatë periudhës parazgjedhore.

Dita e shpërbërjes së Kuvendit përsëri afrohet, dhe sipas nesh, e poashtu edhe sipas një pjese të konsiderueshme të publikut, akoma nuk janë plotësuar kushtet minimale për shpërbërjen e Parlamentit dhe për shpalljen e zgjedhjeve të besueshme në të cilat do të besojnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

Sa i përket punës së KSHZ-së për pastrimin e Listës zgjedhore, në publik, mirëpo edhe në analizat tona, u paraqitën shumë paqartësi dhe mospërputhje rreth çështjeve se sa votues janë “të dyshimtë”, sa prej tyre do të verifikohen dhe si do të fshihen ata për të cilët do të dëshmohet se nuk duhet të jenë në Listën zgjedhore.

KSHZ-ja konstatoi 310.000 emra të dyshimtë në Listën zgjedhore. Sipas rregullave për verifikimin e këtyre emrave të cilat KSHZ-ja i publikoi në mars të vitit 2016, mbi 124.000 votues të dyshimtë nuk do të verifikohen, e as nuk do të fshihen. Rreth 110.000 votues janë dhënë për verifikim manual në regjistrat e Ministrisë për Punë të Brendshme (МPB) dhe Ministrisë për Drejtësi (MD). MPB-ja dhe MD-ja duheshte t’i dërgojnë rezultatet nga verifikimi i këtyre votuesve deri më 31 mars 2016. Deri tani, as nga KSHZ-ja, as nga MPB-ja apo MD-ja nuk është publikuar ndonjë informatë për rezultatet nga ky verifikim manual i regjistrave. Rezultati që do të fitohet nga ky verifikim është drejpërdrejt i lidhur me verifikimin e KSHZ-së në terren, i cili do të bazohet në informatat që do të merren nga ky verifikim paraprak i MPB-së dhe i MD-së.

Pas verifikimeve në terren, votuesit e dyshimtë do të duhet të fshihen nga Lista zgjedhore, mirëpo akoma nuk ka procedurë të qartë, të definuar në aspekt ligjor, për këtë. Në cilindo qoftë variant, procedura duhet të përfshijë të drejtë ankese deri te organi administrativ i shkallës së dytë, deri te Gjykata Administrative dhe Gjykata e Lartë Administrative. Nuk mund të spekulojmë se sa kohë do të marrë kjo procedurë, mirëpo gjithsesi se ky vlerësim e bën 5 qershorin afat që është i pamundshëm për arritjen dhe organizimin e zgjedhjeve të besueshme.

Sidoqoftë, në fund të pastrimit të Listës zgjedhore, kryetari i KSHZ-s do të duhet ta nënshkruajë këtë listë, duke garantuar se ajo është pastruar dhe se është përgatitur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në qoftë se lista nuk pastrohet deri në afatin e paraparë, mund të ndodhë që kryetari i KSHZ-së të thotë se ka nevojë për më tepër kohë. Përkujtojmë se KSHZ-ja e ka për obligim që të kujdeset për krijimin e listës së besueshme, e cila do ta kthejë besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe demkracinë në Maqedoni. Mu për këtë, KSHZ-ja duhet, pa u vonuar dhe pa asnjë presion, të publikojë se cilat janë mundësitë objektive për përfundimin e të gjitha obligimeve rreth pastrimit të Listës zgjedhore dhe kur mund të përfundojnë të gjitha përgatitjet për zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike. Vetëm atëherë qytetarët do ta dijnë se a është 5 qershori me të vërtetë i arritshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të tilla.

Në qoftë se Kuvendi shpërbëhet më 7 prill 2016, ndërsa kryetari i KSHZ-së nuk e nënshkruan Listën zgjedhore, gjegjësisht, nuk jep leje për përdorimin e saj në zgjedhje, krijohet një vakum ligjor ose, më mirë të themi, kaos ligjor, i cili është i pranishëm një kohë të gjatë në Maqedoni. Në situatën e tillë, kriza politike dhe institucionale do të thellohet, ndërsa pasojat vështirë mund të parashihen. Mu për këtë, çmojmë se duhet të rishqyrtohet vendimi për shpërbërjen e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe ai të merret atëherë kur do të plotësohen kushtet për zgjedhje të drejta dhe demokratike

Sa i përket bisedimeve për reforma të medieve, mund të konstatojmë se ato “kanë vdekur”. Deri te Kuvendi i Republikës së Maqedonisë janë dorëzuar disa propozim-ndryshime të Ligjit për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike. Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe e punëtorëve mediatikë (SPGPM), Këshilli për etikë në media i Maqedonisë (KEMM), Instituti maqedonas i medieve (IMM) dhe Instituti për studime të komunikimit (ISK) ia dorëzuan propozimin ndërmjetësuesit Piter Vanhaute, ndërsa Asociacioni i medieve të Maqedonisë e dorëzoi propozimin e tij të mbështetur nga Asociacioni i gazetarëve të Maqedonisë (AGM). Ky propozim-ligj u gjend para deputetëve më 4 prill 2016 dhe u mbështet vetëm nga deputetët e opozitës. Deputetët e pushtetit votuan kundër propozim-ligjit. Poashtu, edhe LSDM-ja propozoi ndryshime në financimin e shërbimit publik të radiodifuzionit, gjegjësisht, heqje të taksës radiodifuzive. Edhe ky propozim i opozitës nuk u miratua nga Kuvendi.

Në ndërkohë, mediet proqeveritare, në vend që ta lëshojnë, edhe më tepër e intensifikojnë informimin e njëanshëm, propagandues dhe manipules të publikut. Për shembull, sulmet e medieve kundër Prokurorisë speciale publike arrijnë përmasa brengosëse, ndërsa nuk ndërpritet as gjuha e urrejtjes.

Zhvillimi i këtillë i ngjarjeve padyshim tregon se gjendja me mediet vazhdimisht përkeqësohet dhe se madje edhe sikur të miratohen ndryshimet më të mira dhe më adekuate ligjore, ndryshimet e para mund të shihen pas disa muajsh. Prandaj, është shumë e qartë se nga aspekti i gjendjeve në media dhe i reformave në to, nuk ka kushte për zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike.

Më në fund, mirëpo jo më pak e rëndësishme, asnjë faktor në krizën politike nuk guxon ta anashkalojë punën e Prokurorisë speciale publike (PSP), veçanërisht në ndjekjen e krimit që lidhet me zgjedhjet. PSP-ja ballafaqohet me pengesa të mëdha dhe të paskrupullta në punën e saj, veçanërisht në rastin “Titaniku”, i cili drejpërdrejt është i lidhur me dyshime për krim të funksionarëve më të lartë të partisë në pushtet, VMRO-DPMNE, në lidhje me zgjedhjet. Në atë rast, gjykata refuzoi ta përcaktojë masën e paraburgimit për të dyshuarit të cilët në zgjedhjet e ardhshme përsëri mund të gjenden si bartës në listat e kandidatëve dhe të bëhen deputetë të ardhshëm. Obstruksionet e rënda ndaj PSP-së vazhdojnë edhe në lëndët e tjera, siç janë: 1) “Tortura”, ku përsëri funksionarë të lartë policorë dhe politikë të VMRO-DPMNE-së janë të dyshuar se kanë bërë torturë ndaj liderit të partisë opozitare “Të bashkuar për Maqedoninë”, Ljube Boshkoski, menjëherë pas zgjedhjeve të 5 qershorit të vitit 2011: 2) “Kalaja”, ku disa funksionarë policorë janë të dyshuar se në gjysmën e parë të vitit 2015, me urdhër të ministreshës së atëhershme për punë të brendshme, kanë shkatërruar pajisje me të cilën është përgjuar në mënyrë të paligjshme. Në rastin e fundit, gjykata e përcaktoi burgun shtëpiak si masë, përkundër paraburgimit që e kërkoi PSP-ja. Disa herë PSP-ja është ankuar se për këto dhe për lëndë të tjera nuk ka bashkëpunim përkatës nga organet e tjera shtetërore për sigurimin e dëshmive dhe dokumenteve të cilat duhet, sipas detyrës zyrtare, t’ia dorëzojnë PSP-së.

Trendet e këtilla në këto fusha kyçe, në themel e rrënojnë Marrëveshjen e Përzhinës dhe qëllimin e saj kryesor, të mundësojë çlirim të institucioneve të partizuara dhe të sigurojë instrumente me të cilat qeveria kalimtare do të organizojë zgjedhje të lira, të drejta, demokratike dhe të besueshme. Prandaj, i bëjmë thirrje KSHZ-së të tregojë përgjegjësi në këtë moment kritik dhe urgjentisht të deklarohet për procesin e pastrimit të Listës zgjedhore dhe ta bëjë publik një plan të caktuar kohor deri te zgjedhjet. Poashtu, apelojmë deri te paritë politike dhe te bashkësia ndërkombëtare që të qëndrojnë fuqishëm prapa dispozitave thelbësore të Marrëveshjes së Përzhinës dhe të kujdesen për demokratizimin e mirëfilltë të shtetit dhe daljen e pakthyeshme nga kriza më e thellë politike në Maqedoni, që nga viti 2001 e këndej.

 

Qendra maqedonase për arsim evropian

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë

OJQ-ja Infocentar

Fondacioni Shoqëri e hapur – Maqedoni

Transparencë Maqedoni

Fondacioni Metamorfozis

Instituti për të drejtat e njeriut