Menyja

Për nga niveli i hapjes, Kuvendi i R.M. është nën mesataren rajonale – Propozime për përmirësimin e gjendjes momentale

Edhe pse pushteti ligjdhënës në Maqedoni është më i hapuri në vend, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, për nga niveli i hapjes është nën mesataren republikane, tregoi Hulumtimi për shkallën e hapjes së institucioneve në gjashtë vende të rajonit në kuadër të projektit ACTION SEE – Përgjegjësi, Teknologji dhe Rrjeti i institucioneve të hapura në Evropën Juglindore, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”.

Sipas rezultateve të hulumtimit, Kuvendi i Maqedonisë përmbush 59% të indikatorëve të shkallës së hapjes, që është nën nivelin prej 63% të shkallës së hapjes së parlamenteve të rajonit. Megjithatë, kur bëhet fjalë për punën e Kuvendit dhe shkallën e hapjes së tij, nuk mund të lihet anash konteksti në të cilin (nuk) funksionon institucioni më i rëndësishëm i vendit.

Që nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014, Kuvendi është në bllokadë të përgjithshme ose të pjesshme, duke filluar nga mospranimi i rezultateve të zgjedhjeve nga ana e opozitës dhe bojkoti 15 mujor i punës së institucionit ligjdhënës.

Edhe katër muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në dhjetor të vitit 2016, mbledhja konstituive e Kuvendit akoma është duke u zhvilluar, ndërsa me të udhëheq kryetari i përbërjes së mëparshme parlamentare. Katër muaj vendi nuk ka mandatar për formimin e qeverisë, për shkak se Kryetari i vendit refuzon t’ia japë mandatin shumicës parlamentare, ndërsa deputetët tashmë një muaj debatojnë për zgjedhjen e kryetarit të komisionit që do ta japë propozimin për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.

Në kushte të bllokadës së plotë të institucionit ligjdhënës, është shumë e vështirë të pritet përkushtim ndaj politikave dhe praktikave që do ta përmirësonin nivelin e hapjes së institucionit. Megjithatë, sektori qytetar është ai që me vëmendje e ndjek gjendjen dhe në mënyrë aktive jep propozime për përmirësimin e punës së Kuvendit.

Edhe përkundër krizës së thellë institucionale, Kuvendi megjithatë është dritarja më e hapur nga të tre pushtetet, i cili rregullisht i publikon agjendat e sesioneve plenare dhe të organeve punuese, video-incizimet dhe stenogramet nga sesionet plenare, prezencën dhe mënyrën e votimit të deputetëve në sesionet plenare, kontaktet dhe biografitë e deputetëve (mirëpo jo edhe rrogat e tyre dhe mjetet që i kanë kërkuar për kompensim të shpenzimeve të udhëtimit, e të cila gjithmonë janë temë e interesit dhe kritikës së publikut dhe të mediave), si dhe publikimi i rregullt i raporteve vjetore. Në këtë kuptim, Kuvendi mund të shërbejë si shembull i nivelit të hapjes për pushtetet e tjera, e veçanërisht për qeverinë, e cila nuk i publikon agjendat e punës, as procesverbalet e as përfundimet nga mbledhjet e mbajtura.

Përndryshe, shkalla e përmbushjes së kritereve për transparencë të kuvendeve të vendeve të rajonit mesatarisht është 63%. Edhe ky rezultat nuk është i kënaqshëm duke pasur parasysh se bëhet fjalë për organe që janë të zgjedhura drejtpërdrejt nga qytetarët dhe të cilat duhet të japin llogari para qytetarëve.

Monitoringu tregoi se Kuvendet kryesisht janë jotransparente kur bëhet fjalë për publikimin e të dhënave nga mbledhjet e komisioneve parlamentare. Shumica e Kuvendeve nuk publikojnë dokumentacion nga votimet dhe listë të deputetëve që kanë marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve. Poashtu, mbledhjet e komisioneve në shumicën e vendeve nuk transmetohen në televizion apo radio.

Shumica e Kuvendeve duhet të afirmojnë parime që e bëjnë të hapur dhe publike punën e tyre financiare. Kuvendet zakonisht nuk i plotësojnë as standardet minimale ndërkombëtare të transparencës buxhetore, të cilat parashohin që dokumentet financiare të jenë në dispozicion të publikut. Ueb-faqet zyrtare të shumicës së Kuvendeve nuk përmbajnë informata për buxhetet për tre vitet e kaluara. Poashtu, një pjesë e madhe e tyre nuk i publikojnë llogaritë përfundimtare. Kuvendet duhet të bëjnë kontroll të shpenzimeve publike gjatë vitit dhe të publikojnë raporte gjysmëvjetore për shpenzimin e buxhetit.

Аnaliza: “Shkallja e hapjes së institucioneve të pushtetit ekzekutiv në rajon dhe në Maqedoni – Propozime për përmirësimin e gjendjes momentale” paraqet aktivitet në kuadër të projektit “ACTION SEE – Përgjegjësi, Teknologji dhe Rrjeti i institucioneve të hapura në Evropën Juglindore”, i cili implementohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe të projektit “Përdorimi i mediave të reja për promovimin e transparencës qeveritare” i implementuar me mbështetje financiare të NED-it- National Endowment for Democracy.

Projekti ACTION SEE – Përgjegjësi, Teknologji dhe Rrjet i institucioneve të hapura në Evropën Juglindore realizohet nga Fondacioni Metamorfozis në partneritet me Westminster Foundation for Democracy nga Britania e Madhe, CRTA – Center for Research, Transparency and Accountability nga Serbia, Citizens Association Why not? nga Bosnja dhe Hercegovina, Center for Democratic Transition nga Mali i Zi, Open Data Kosovo (ODK) nga Kosova, dhe Lëvizja Mjaft! nga Shqipëria. 

Qëllimi i projektit është rritja e përfshirjes së shoqërisë qytetare dhe organizatave mediatike në krijimin e mendimit publik, krijimin e politikave dh pjesëmarrje në mekanizmat për vendimmarrje, si dhe rritja e kapaciteteve të shoqërisë qytetare për të trajtuar çështje të ndjeshme.