Privacy International dhe Metamorphosis u kanë shkruar sot autoriteteve të Maqedonisë për të kërkuar informata dhe garanci për mbrojtjen e privatësisë dhe për të vendosur mekanizma nga ana e institucioneve shtetërore që do t’i pengonin keqpërdorimet.

Për më shumë se dy vite, Maqedonia përjetoi një krizë të zgjatur dhe shumë të vështirë politike, gjatë së cilës pati edhe protesta të përmasave të mëdha dhe veprime të dhunshme ndaj deputetëve – pas raportimeve se partia në pushtet i ka përgjuar në mënyrë të paligjshme bisedat telefonike të mbi 20,000 njerëzve, duke përfshirë aktivistë, gazetarë, gjykatës, liderë opozitarë, e madje edhe anëtarë të vetë qeverisë.

Aktivistët dhe gazetarët që morën incizime të bisedave të tyre të përgjuara telefonike për Privacy International treguan se çfarë ndikimi ka pasur kjo në jetën e tyre, se si është minuar puna e tyre dhe si janë vënë rrezik rrjetet dhe burimet e tyre. Raporti ynë analizoi se si “qasja e drejtpërdrejtë” në rrjetet e telekomunikimit nga ana e Agjencisë për zbulim – e mbështetur nga operatorët e telekomunikimit dhe kompanitë për mbikëqyrje – ka çuar deri te përgjimi i paligjshëm.

Qasja e drejtpërdrejtë” ka prirje për t’u keqpërdorur. Në përgjithësi, ajo nënkupton situata kur agjencitë për siguri kanë lidhje të drejtpërdrejtë me rrjetet e telekomunikimit për të marrë përmbajtje dhe të dhëna për komunikimet digjitale, shpeshherë pa njoftim paraprak apo pa autorizim gjyqësor dhe pa përfshirje dhe dije të operatorit të rrjetit.

Pas zbulimit të përgjimeve të paligjshme në Maqedoni, u nënshkrua një marrëveshje ndërmjet partive politike me ndërmjetësim të BE-së që çoi në shpërbërjen e qeverisë, mbajtjen e zgjedhjeve të reja, të cilat më në fund rezultuan me koalicion të ri qeveritar në maj të vitit 2017. Në Programin e saj të punës për periudhën 2017-2020, qeveria e re ka paraqitur përkushtime të qarta për të futur mekanizma për përmirësimin e kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm mbi punën e policisë dhe të shërbimeve të sigurimit dhe për të futur mekanizma të ri mbrojtës kundër mbikëqyrjes arbitrare.

Si rezultat i kësaj, Privacy International dhe Metamorphosis, organeve mbikëqyrëse dhe atyre qeveritare të Maqedonisë u dërgojnë udhëzime për “qasjen e drejtpërdrejtë” dhe kërkojnë nga autoritetet të përgjigjen se a do t’i implementojnë reformat dhe a do të fusin në përdorim mekanizma urgjente mbrojtëse kundër saj.

Letra i është dërguar Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Avokatit të Popullit të Republikës së Maqedonisë, dhe Komisionit për mbikëqyrjen e punës së Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim dhe Agjencisë për zbulim. Një kopje e letrës i është dërguar edhe Delegacionit të BE-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim, të cilat luajnë një rol me ndikim në Maqedoni, e cila është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE.

 

Ndaje: