Fronti për lirinë e të shprehurit, OJQ-ja “Infocentar”, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut, Metamorfozis, CIVIL, Tetë Shtatori, Qendra maqedonase për arsim evropian, “Plloshtad Slloboda”, Qendra për arte bashkëkohore, OKNO dhe Fondacioni Shoqëri e hapur – Maqedoni, shprehin brengosje të madhe për shkak të sulmeve gjithnjë e më të shpeshta mbi gazetarët, pronarët e mediave dhe aktivistët qytetarë që kanë qëndrim kritik ndaj pushtetit dhe politikave të tij.

Sulmi i djeshëm fizik i zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike, Vlladimir Peshevski, ndaj pronarit të portalit Мaktel, Sashe Ivanovski, mirëpo edhe komunikata e VMRO-DPMNE-së, paraqesin treguеs të qartë dhe të padyshimtë të atmosferës së linçit dhe të dhunës në shoqëri, të cilën vazhdimisht e krijojnë dhe e përforcojnë pushteti dhe ithtarët e tij.

Zëvendëskryeministri Peshevski, si funksionar i lartë i Qeverisë së RM-së, duhet ta dijë se privatësia e tij është shumë më e vogël se sa ajo e qytetarit të zakonshëm dhe se në çdo kohë dhe në çdo vend duhet të japë llogari dhe të jetë transparent për punën e tij.

Duke e pasur parasysh gjithë këtë, kërkojmë nga Peshevski që të japë dorëheqje urgjente dhe të parevokueshme, ndërsa institucionet kompetente t’i ndërmarrin të gjitha masat për zbardhjen dhe sanksionimin e këtij akti të dhunës.

Njëkohësisht, kërkojmë nga institucionet kompetente t’i ndërmarrin të gjitha masat për zbulimin dhe dënimin e autorëve edhe të të gjitha sulmeve të tjera ndaj kritikuesve të pushtetit, që kanë ndodhur gjatë disa muajve të fundit.

Ndaje: