Fondacioni për internet dhe shoqëri – Metamorfozis e mbështet procesin e miratimit të Ligjit të ri për qasjen e lirë në informatat me karakter publik, i cili do të sigurojë mbrojtje më efektive të së drejtës për qasje të lirë në informatat me karakter publik si e drejtë e njeriut.

Sa i përket dispozitave konkrete të propozim-tekstit të Ligjit për qasje të lirë në informatat me karakter publik, Fondacioni për internet dhe shoqëri – Metamorfozis i ka këto qëndrime dhe sugjerime:

  • Neni 1, paragrafi 1 – definimi i partive politike si poseduese të informatave me karakter publik në pjesën e të ardhurave dhe të shpenzimeve është njëra nga risitë kryesore pozitive në Ligjin për qasje të lirë në informatat me karakter publik. Mendojmë se statusi i informatave publike që u jepet informatave që kanë të bëjnë me financimin e partive politike me mjete nga buxheti është me rëndësi të madhe për rritjen e transparencës për mënyrën e shpenzimit të parave publike nga ana e partive politike.
  • Neni 3, paragrafi 1, alineja 7 – definimi i interesit publik ku janë përmendur rastet (7), në të cilat ushtrimi i të drejtës për qasje në informata do të konsiderohet se është me interes publik, nuk tregon qartë se në rastet e ndryshme nga ato që janë përmendur a do të zbatohet testi për dëmin si një mekanizëm për ta vlerësuar (mos)ekzistimin e interesit publik. Nuk e rekomandojmë përpjekjen për ta përcaktuar interesin publik me ligj për shkak se çdo definim i interesit publik bart rrezikun për kufizim të ushtrimit të të drejtave të njeriut. Për t’iu shmangur interpretimit të kufizuar të këtij definimi, propozojmë zbatim të testit të dëmit, i cili është definuar si i detyrueshëm për t’u përdorur për ta vlerësuar (mos)ekzistimin e interesit publik, pa u definuar me këtë rast me ligj.
  • Neni 10 – definimin e detajuar të informatave nëpërmjet renditjes së tyre në këtë nen e konsiderojmë si mënyrë e përshtatshme për t’u ndihmuar poseduesve të informatave që ta definojnë listën e informatave me karakter publik. Përveç kësaj, përveç vëllimit të informatave, disponueshmëria e tyre në ueb-faqet e poseduesve do të kontribuojë në zvogëlimin e numrit të kërkesave për qasje të lirë që do të arrijnë deri te poseduesit, duke u dhënë kështu atyre mundësinë që të jenë më efikas në zbatimin e përgjithshëm të ligjit.
  • Neni 21, paragrafi 1 – shkurtimi i afatit për t’iu përgjigjur kërkesës për qasje të lirë në informatat me karakter publik prej 30 në 20 ditë është ndryshim për të cilin konsiderojmë se nuk do të kontribuojë dukshëm në zbatimin më të mirë të ligjit, veçanërisht kur merren parasysh gazetarët si kërkues të informatave me karakter publik. Rekomandimi ynë është që afati të jetë 15 ditë. Për më tepër, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në planin e saj të punës 2017-2022 thekson se me qëllim të rritjes së transparencës, do ta zbatojë plotësisht konceptin e qeverisë së hapur, në përputhje me Partneritetin për qeveri të hapur (Open Government Partnership), do të propozojë ndryshime ligjore për ta përgjysmuar afatin ligjor për t’iu përgjigjur kërkesave për qasje të lirë në informatat me karakter publik prej 30 në 15 ditë.
  • Neni 31 – ndryshimin e statusit të organit kompetent për zbatimin e Ligjit për qasje të lirë në informatat me karakter publik, nga Komisioni si organ kolektiv në Agjenci si organ i pavarur, e konsiderojmë ndryshim pozitiv, nga i cili pritet së shpejti të reflektojë në praktikë, veçanërisht në pjesën e zhvillimit të procedurës së ankesës.

Fondacioni për Shoqëri dhe Internet – Metamorfozis, vazhdon aktivisht të punojë në fushën e avancimit të të drejtave të njeriut dhe llogaridhënies ndaj shoqërisë, të cilat janë përcaktime strategjike të Fondacionit.

Ndaje: