Platforma e organizatave qytetare për luftë kundër korrupsionit drejton reagim publik kundër vendimit të Kryetarit të Republikës së Maqedonisë për sjelljen e aktit të përgjithshëm për ndërprerjen e të gjithë procedimeve penale kundër personave për të cilët ka procedim ose ekzistojnë dyshime për kryerje të veprave penale lidhur me krizën politike, e të cilët janë lëndë e punës së Prokurorisë Speciale Publike, dhe të fal politikan i cili është duke e vuajtur dënimin me burg.

Kryetari i Republikës së Maqedonisë është i obliguar ta mbrojë interesin e qytetarëve për sundim të pakushtëzuar të së drejtës dhe për forcimin e shtetit të së drejtës. Në këto kushte të krizës politike, zbatimi i të gjithë hetimeve për keqpërdorime lidhur me burimet e krizës politike, të cilët për momentin i zbaton PSP por edhe Prokuroritë Publike, është interes publik.

Në kundërshtim me këtë, vendimi i presidentit për falje nuk ka bazë juridike, meqenëse neni 11 i Ligjit për falje është anuluar me Ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për falje të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në vitin 2009, me të cilin falja respektivisht abolicioni nuk është i mundur. Funksioni normativ është në kompetencë ekskluzive të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë e jo të Gjykatës Kushtetuese, dhe vetëm Kuvendi mund të sjell ndryshime dhe plotësime të Ligjit për falje.

Si organizata të cilat luftojmë kundër korrupsionit konsiderojmë që zgjidhja e krizës politike, e cila buron nga korrupsioni i përhapur dhe keqpërdorimi i pushtetit nga ana e individëve në nivel të lartë nuk duhet dhe nuk guxon të zgjidhet me falje.

Çelësi në luftën kundër korrupsionit është bindja e qytetarëve në faktin që askush nuk është i paprekshëm nga ligji dhe që çdokush për të cilën ka indikacione se e ka keqpërdorur detyrën zyrtare për dobi private, ose po ka kryer ndonjë vepër tjetër joligjore, do të jetë lëndë e hetimit dhe nëse do të ketë akuzë do të ketë gjykim të drejtë.

Vetëm në atë mënyrë, përmes hetimit, gjykimit të drejtë dhe bartjes së përgjegjësisë për keqpërdorim të pushtetit mund të ketë zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme të krizës politike dhe sundimit të mëtutjeshëm të ligjit. Veprimi i këtillë arbitrar, antikushtetues dhe antiligjor i presidentit në mënyrë plotësuese kontribuon drejt thellimit të krizës politike, paqëndrueshmërisë së shtetit dhe me siguri do të shpijë drejt humbjes së rekomandimit për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian, i cili është i kushtëzuar me zbatim të tërësishëm të Marrëveshjes së Përzhinos.

Për më tepër informata lidhur me reagimin mund ta kontaktoni Misha Popoviq në numrin e telefonit: 071 211 439 ose përmes postës elektronike: misha@idscs.org.mk

Ndaje: