Më 29 maj, në Shkup, përfaqësues të njëzet organizatave qytetare mbajtën konferencë për shtyp, ku i prezantuan informacionet për presionet me të cilat ballafaqohen gjatë pesë muajve të fundit.

 

Të respektuar,

Në emrin e njëzet organizatave qytetare dhe në interes të shoqërisë qytetare dëshirojmë t’i ndajmë me publikun presionet e jashtëzakonshme të cilave u ishim nënshtruar dhe të cilat akoma i përjetojmë gjatë pesë muajve të fundit.

Që në dhjetor filluan kontrollet e para të organizuara mbi organizatat tona nga ana e disa institucioneve. Gjatë periudhës së njëjtë, partia e atëhershme në pushtet, VMRO-DPMNE-ja, bëri thirrje publike për përndjekje të organizatave qytetare, që na jep arsye të besojmë se këto kontrolle nuk janë rutinore, por me qëllim të caktuar dhe që t’u bëhet dëm organizatave tona. Edhe pse institucionet kanë të drejtë të bëjnë kontrolle, mënyra se si zhvillohen ato, bën me dije se këto nuk janë kontrolle të rregullta profesionale, por se bëhet fjalë për shfrytëzimin e institucioneve për të bërë presion politik. Ja disa shembuj për këtë: në urdhëresat për kontrollet nuk ka sqarim se çka dhe pse kontrollohet; ne jemi të detyruar të japim informata pa e ditur se në çfarë cilësie e bëjmë këtë; urdhëresat lëshohen nga institucionet në ditët e njëjta për organizatat e ndryshme. Gjashtë institucione të ndryshme bëjnë kontroll të pabazë: Drejtoria për të hyra publike, Policia financiare dhe Ministria për Punë të Brendshme me kërkesë të Prokurorisë Publike, e kemi informata se edhe Agjencia për kundërzbulim financiar dhe Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit kanë ndërmarrë aksione.

Me përgjegjësi themi se si organizata punën tonë e bëjmë në mënyrë profesionale dhe nuk kemi problem të japim llogari para institucioneve ashtu siç e bëjmë këtë për çdo ditë edhe para tyre edhe para anëtarëve tanë, donatorëve dhe qytetarëve. Tashmë pesë muaj, po thuaj se çdo ditë inspektorët janë të pranishëm në zyrat e dhjetëra organizatave, të punësuarit përgjigjen në pyetje të shumta dhe vazhdimisht kopjojmë grumbuj dokumentesh. Institucionet duhet të kenë punë më të rëndësishme se sa me muaj të tërë të angazhojnë dhjetëra inspektorë që të bëjnë kontrolle mbi organizatat joqeveritare, të cilat e kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale.

Janë paraqitur edhe rastet e para të dënimeve të padrejta dhe të montuara mbi organizatat të cilat me vite të tëra punojnë dhe u ndihmojnë qytetarëve më të rrezikuar dhe më të varfër. Organizata e cila ka ndarë 550 pako foshnjash dhe 280 pako ushqimore për familjet e varfra në tre qytete, tani është e detyruar të paguajë tatime shtesë dhe dënime për shkak se institucionet kanë vendosur që ndihmën ta trajtojnë si të ardhura për familjet, duke e keqpërdorur paqartësinë juridike. Organizata e cila ka dhuruar veshje dimërore dhe pranverore për fëmijët romë, që dhuron libra dhe libra për ngjyrosje, u ndihmon njerëzve të gjejnë punë dhe u mundëson atyre kontrolle shëndetësore – në vend të lëvdatës nga shteti merr dënim të padrejtë.

Me këto veprime të padrejta, institucionet rrezikojnë të humbet ajo që organizatat ua japin qytetarëve – donacionet humanitare, ndihma juridike, rinovimi i hapësirave publike, trajnimet falas për punë dhe ndihma të tjera. Me këto aksione ka rrezik që edhe Maqedonia ta humbë ndihmën financiare ndërkombëtare, me të cilën ndihmohen institucionet dhe qytetarët.

Prandaj, kërkojmë nga pushteti i ri dhe institucionet që ky presion, të cilit i janë nënshtruar organizatat tona në mënyrë të padrejtë dhe të qëllimshme, të ndërpritet menjëherë. Kërkojmë të verifikohet arsyeshmëria e kontrolleve dhe të hulumtohet keqpërdorimi i detyrës zyrtare për të bërë presion politik dhe diskriminim. Kërkojmë që dënimet e shqiptuara dhe procesverbalet nga këto raste të anulohen.

Me këtë rast dëshirojmë të theksojmë se jemi të brengosur nga informata e re se qeveria aktuale ka ndarë 800.000 еuro për organizatat qytetare dhe kërkojmë anulim të këtij vendimi. Qeveria teknike në largim nuk ka të drejtë morale dhe mandat që të marrë vendime të këtilla. Qëllimi është i qartë, sepse thirrja u shpall mu në mes të përndjekjes politike të organizatave joqeveritare, e njëkohësisht kjo qeveri dëshiron të ndajë fond më të lartë se sa që e ka ndarë dikush për organizatat joqeveritare. Përderisa vitin e kaluar janë nënshkruar marrëveshje deri në 5.000 еuro, tani ato janë rritur deri në 50.000 еuro. Duke i marrë parasysh të gjitha këto arsye, kërkojmë që ky vendim për ndarjen e mjeteve publike të rishikohet në afat sa më të shkurtë.

Dëshirojmë ta njoftojmë publikun se edhe përkundër rrethanave dhe presioneve të përditshme të cilave iu nënshtruam gjatë këtyre muajve, ne nuk u ndalëm së kryeri punën tonë. Do të vazhdojmë të punojmë me përgjegjësi dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, si kontrollues të pushtetit dhe të institucioneve. Do të jemi këtu që të kujdesemi se do të ketë institucione të përgjegjshme dhe kuvend funksional, që do të jetë i hapur për qytetarët, dhe i cili do ta kontrollojë pushtetin. Ne si organizata do të vazhdojmë të punojmë për kthimin e demokracisë, lirive të qytetarëve dhe sundimit të të drejtës në Maqedoni.

Me respekt,

Аksioni plus, Resnjë | Vizio, Kërçovë | Еurothink – Qendra për strategji evropiane | KHAM, Dellçevë| Qendra kulturore rinore, Manastir | Forumi arsimor rinor | OJQ-ja Infocentar | Organizata e grave, Strumicë | Paktis, Prilep | Patokazi, Gjevgjeli | PROEKT-EU, Kavadar | Qendra rajonale për zhvillim të qëndrueshëm, Kratovë | Fakulteti për gjërat që nuk mësohen | Fondacioni Metamorfozis | Fondacioni Shoqëri e hapur – Maqedoni |Fondacioni Fokus, Veles | Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut i Republikës së Maqedonisë | Qendra për zhvillim të qëndrueshëm të bashkësisë, Dibër | Qendra për arte bashkëkohore | XHEF Maqedoni

Ndaje: