Menyja

U mbajt konferenca “Liria dhe interneti në Maqedoni”

Sot në Muzeun e Arteve Bashkëkohore është mbajtur konferenca “Liria dhe interneti në Maqedoni”, në kuadër të së cilës janë mbajtur panelet për diskutim për zhvillimin e internetit në vend, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet komuniteti i mediave onlajn, për përvojat dhe nevojat e tyre. Në hapjen e konferencës mbajtën fjalim, drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari dhe anëtarja e Bordit Drejtues Sanda Argirova, të cilët folën për kontributin e Fondacionit Shoqëri e Hapur që ka dhënë në zgjerimin e qasjes në internet me çka është lehtësuar përfitimi i informatave. Jashari, tregoi për rolin kyç dhe mbështetjen e Fondacionit Shoqëri e Hapur për zhvillimin e infrastrukturës së internetit.

“Fondacioni Shoqëri e Hapur ka dhënë mbështetje për qasje deri në internet, në kohën kur në Maqedoni qasja deri në internet ishte shumë e ulët, vetëm 2 apo 3%. Gjithashtu ka ndihmuar në zhvillimin e përmbajtjeve si dhe në aspektin e vendosjes së ueb infrastrukturës në komuna, në kohën kur vetëm Qyteti i Shkupit kishte ueb-faqe. Në këtë pjesë, Fodancionii dha mbështetje për punësimin e një personi për mirëmbajtje të ueb-faqes. Qëllimi ishte që interneti dhe teknologjia si mjet demokratik, të vendosen në funksion të qytetarëve”, tha Jashari, duke rikujtuar që FSHH bashkë me Metamorfozis kanë mbështetur luftën kundër lajmeve të rrejshme dhe gjuhës së urrejtjes. Jashari gjithashtu theksoi rëndësinë e internetit për informimin e qytetarëve, duke e rikujtuar kohën kur, isiç tha ai, në Maqedoni shumë qytetarë përveç që u përgjuan, pushteti i mbylli shumë media dhe rrjetet sociale mbetën e vetmja hapësirë për t’i deklaruar qëndrimet kundër pushtetit.
Argirova nga ana tjetër ka theksuar për rëndësinë e internetit si dhe për sfidat me të cilat përballet. “Interneti ndihmon që të shpërndahen shpejtë informatat, është mirë që gjithkush mund të informohet, por duhet të dihet se si të përdoret. Është një mundësi që njerëzit të thonë atë që duan. Fuqia e internetit është e madhe, por ajo është pasqyrë e shoqërisë. Përkryerja e internetit i tregon papërkryershmëritë e shoqërisë”, tha Argirova.

Paneli për momentet kyçe në zhvillimin e internetit në Maqedoni, Ognen Firfov, nga Revizioni Intern i Telekomit të Maqedonisë foli për pikat kyçe të zhvillimit të internetit duke u ndalur në disa pika kryesore siç janë: formimi i provajderit të ri të internetit në vitin 1999, gjatë konfliktit të vitit 2001, publikimin e informatave pozitive në opinion, inicimin që komunat të hapin ueb-faqe të tyre, duke iu dhuruar kompjuterë falas, por edhe zhvillimin e infrastrukturës së internetit. “Hap i rëndësishëm ka qenë edhe paraqitja e kabllovikëve, e cila ka ndikuar shumë në zhvillimin e infrastrukturës së internetit. Pos kësaj, gjithashtu edhe agregatorët, të cilët u formuan diku në vitin 2008 dhanë kontribut të madh në rritjen e lejueshmërisë në portale të ndryshme si dhe rrjetet sociale ”, tha Firfov.

Igor Trajkovski, themelues dhe pronar i Time.mk, u ndal te çështja e transparencës, ku tha se për shembull shumë institucione pas një periudhe i fshijnë të dhënat.
“Për shembull Byroja për Furnizime Publike nuk i ka publike të dhënat para vitit 2015-të. Interneti duhet të jetë mjet për transparencë, në këtë rast institucionet duhet t’i publikojnë dhe t’i ruajnë të dhënat, pra të krijohet një farë arkivi i të dhënave”, tha Trajkovski.
Në panel morën pjesë edhe Sofçe Jovanovska nga Qeveria e Maqedonisë dhe Igor Trajkovski, themelues i On.net, të cilët folën për hapat e parë dhe sfidat me internetin si dhe zhvillimin e infrastrukturës së saj.

Në këtë kontekst, panelsitët konstatuan se interneti ka ndikim të fuqishëm dhe ka ndihmuar në ambientin demokratik në Maqedoni.

Në panelin me temë për mediat – online dhe luftën kundër lirisë së fjalës, ka folur kryeredaktorja e Portalb.mk, e cila foli për sfidën në kohën kur u formua redaksia dhe luftën për raportim të drejtë ndër vite.

“Në kohën kur u formua redaksia e Portalb.mk, skena mediatike ishte e tensionuar. Qeveria e regjimit të Gruevskit u kishte shpallur luftë mediave që e kritikonin, ndërkaq para prakisht ishin mbyllur disa media. Në këtë kohë, hapësira për informim të drejtë dhe kritik ndaj pushtetit ishte interneti, andaj edhe Portalb u formua me qëllimin që të informojë në mënyrë të drejtë dhe të japë hapësirë për të gjithë ata që nuk pajtoheshin me pushtetin, pra Portalb ishte nevojë e kohës”, tha Zylbeari.
Ajo rikujtoi se në kohën kur u formua Portalb, tregu mediatik ishte shumë i varfër, duke theksuar se kishte media-portale me nga një person, kishte prej tyre që kanë qenë të orientuar politikisht etj.

Në aspektin e punës, Zylbeari theksoi se Portalb.mk, ka mbështetur mendimin e lirë nëpërmjet hapjes së këndit “na shkruani”, zërin e drejtësisë, por edhe u ka dhënë studentëve që t’i tregojnë problemet e tyre. Pos kësaj, Portalb.mk, ka qenë medium i cili ka ndihmuar për marrëdhëniet e mira ndëretnike.
Kryeredaktori i agjencisë së lajmeve Meta, Zoran Andonovski, i përmendi problemet me të cilat përballen mediat e sotme.

Sipas tij, vdekje për gazetarinë e sotme janë mediat me nga një gazetarë të cilët raportojnë prej zyrave.

“Gazetarët sot kanë mundësi të raportojnë nëpërmjet video-live – përparësia është që e nxjerr informatën shpejtë, por nga ana tjetër nuk munden që të parashtrojnë pyetje. Vdekje e gazetarisë janë mediat me nga një gazetarë . Tani nuk ka redaksia të mëdha, numri i tyre po zvogëlohet”, tha Andonovski.

Në panel diskutuan edhe Branko Geroski nga Plusinfo dhe Nikolla Gelevski nga Okno.mk. Ata theksuan gjithashtu luftën e portaleve të tyre kundër, siç thanë regjimit të Gruevskit, por edhe me sfidat e mediave në përgjithësi.

“Të drejtat autoriale janë të rëndësisë themelore”, kështu deklaroi Xvezdan Georgievski, nga Sindikata i Pavarur i Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatik, në panel diskutimin “Plagjiatura dhe lajmet e rrejshme – kërcënim për gazetarinë profesionale”.
Sipas tij, gazetarët në Maqedoni përballen me mungesë të së drejtës për t’i pasur të drejtat autoriale, ndërkaq përhapja e copy-paste lajmeve vjen si pasojë e kursimit të mediave për të paguar gazetarë.
“Për video, fotografi ekziston për mbrojtjen e të drejtave autoriale, ndërkaq për autorin nuk ka diçka të tillë pasi që të gjitha të drejtat i ka mediumi. Kur është çështja te lajmet copy – paste, ajo vjen si pasojë e mediave me nga një gazetar. Pronarët paguajnë rrymë, hapësirë, sigurojnë pajisje, por kur vjen puna të paguajnë gazetarë kursejnë”, tha Georgiev.
Avokatja e fotografëve që para ca kohësh i paditën shumë portale për vjedhje të fotografive, Natalija Milenkovska, deklaroi se pas paditjes, shumica prej tyre janë vetëdijesuar dhe tani ka kujdes më të madh.
“80% prej portaleve prej se kur u kemi dërguar paralajmërim për padi janë vetëdijesuar dhe tani kur marrin fotografi e shohin autorin, marrin leje ose interesohen se si të paguajnë”, tha Milenkovska.
Ajo gjithashtu tha se praktika gjyqësore është shumë e keqe në aspektin e padive për të drejtat autoriale, pasi që shumë pak prej tyre që vjedhin të drejta autoriale janë dënuar.
Në panel gjithashtu foli edhe fotografi Tomisllav Georgiev, i cili ishte njëri prej tyre që ka paditur portale për vjedhjen e fotografive të tij. Ai tha se ka pasur raste të ndryshme kur mediat kanë vjedhur, madje përmendi një rast kur edhe Qyteti i Shkupit ka vjedhur fotografi dhe ka bërë pllakatë pa i respektuar të drejtat autoriale.
Ai paralajmëroi se do të krijohet një agjenci me fotografë e cila do të ofrojë çmim të lirë për portalet që të mos vjedhin fotografi, por të njëjtat t’i marrin në mënyrë legale.

Fotogalerinë nga ngjarja mund ta shihni këtu.