Menyja

Programim intuitiv me “App Inventor” në gjimnazin “Josip Broz Tito” në Shkup – java evropiane e programimit

meet-and-code-860x680

Nxënësit e shkollave në Maqedoni, në kuadër të javës evropiane të programimit, përmes ngjarjeve të mbështetura nga fondacioni “Metamorfozis” në kuadër të projektit “Meet and Code” do të kenë mundësi të fitojnë njohuri nga fusha e teknologjisë. Nga fondacioni, si implementues i projektit, theksojnë se qëllimi i projektit është që nxënësit të njihen më shumë me botën e teknologjisë dhe mundësitë që i ofron kjo sferë.

Të martën (16.10.18) në shkollën e mesme të Shkupit,” Josip Broz Tito”, në kuadër të Javës evropiane të programimit, konkretisht në kuadër të projekti “Meet and Code 2018” u mbajt ngjarja “Kodimi intuitiv me App Inventor”, ku përveç përfaqësuesve të fondacionit “Metamorfozis” mori pjesë edhe ministri për shoqëri informatike dhe administratë, Damjan Mançevski.

Valon Abdiu nga Fondacioni “Metamorfozis”, theksoi se qëllimi i projektit është që nxënësit të fitojnë njohuri për botën e teknologjisë dhe mundësitë që kjo i ofron fushë për krijimin e gjërave inovative. Abdiu tregon se për Javën evropiane të programimit, e cila sivjet mbahet nga 6 deri më 21 tetor,  nga Maqedonia janë paraqitur mbi 130 ngjarje, ndërsa në kuadër të projektit “Meet and Code 2018!” që është pjesë e kësaj jave, janë mbështetur 24 ngjarje me grante prej 300 eurosh për ngjarje.

“E gjithë kjo bëhet me qëllim që t’i përgatisim të rinjtë për botën e teknologjisë, sepse ajo është pjesë e rëndësishme e jetës sonë – ndikon në mënyrën se si punojmë, mësojmë, komunikojmë, blejmë e kështu me radhë. Prandaj, nëpërmjet këtyre ngjarjeve, duam që gjeneratat e reja t’i vetëdisojmë për aspektet e ndryshem të teknologjisë, t’ua rrisim shkathtësitë dhe aftësitë për programim që të jenë sa më të përgatitur për ardhmen”, deklaroi Abdiu.

Ministri i shoqërisë informatike, Damjan Mançevski, vlerëson se ky projekt do ta zgjojë interesin e të rinjve për fushën e teknologjisë dhe për benefitet që sektori i TIK-it mund t’i sjellë në jetën e tyre në të ardhmen.

“Përveç mësimit të rregullt, mundohemi që nxënësit t’i motivojmë të programojnë dhe të gjejnë mënyra si të krijojnë diçka inovative. Si ministër që udhëheq me këtë dikaster, mendoj se fusha e TIK-ut në Maqedoni përveç që sjellë paga më të larta dhe vend të sigurtëtë punës, të rinjve u ofron mundësi edhe për vetëpunësim”, tha Mançevski për Portalb.mk.

Projekti “Meet and Code” dëshiron të tregojë se si mund të krijohet bota nëpërmjet programimit dhe sa argëtues mund të jetë programimi. Ngjarjet në Maqedoni mbështeten me grant prej 300 eurosh. Iniciativa në veçanti i përkrah organizatat e vogla, lokale, jofitimprurëse, në të gjitha vendet. Pra, ajo i fuqizon iniciativat lokale që mundësojnë programim dhe edukim digjital për të gjithë – që është qëllimi i deklaruar i Javës së programimit të BE-së.

Llojllojshmëri ngjarjesh: Nga kurse për fillestarë e deri tek inteligjenca artificiale

Nga ngjarje të thjeshta deri tek ato të ndërlikuarat, nga ato për fillestarë deri tek ato të avancuarat, ….  – ngjarjet në “Meet and Code 2018” janë të llojllojshme. Të rinjtë mund të marrin pjesë në kurset ku sqarohen funksionet themelore të kompjuterëve ose si ta përdorin Word-in. Por, ata mund të paraqiten edhe për punëtoritë për programim, robotikë ose dizajn.

Të gjitha ngjarjet e “Meet and Code 2018” mund t’i gjeni këtu:  https://www.meet-and-code.org

Projekti “Meet and Code 2018” në Maqedoni implementohet nga Fondacioni “Metamorfozis” në partneritet me portalin për TI “Stifter-helfen” dhe partnerët përkatës të rrjetit të “TechSoup Europe”. “Meet and Code” mundësohet nga kompania SAP.