Мени

Aleancë globale për luftë kundër keqpërdorimit të fëmijëve në internet

Komisarja evropiane për punë të brendshme, Sesilia Malmstrom, së bashku me Erik Holder-in, prokurorin publik të SHBA-ve, e formojnë Aleancën globale kundër keqpërdorimit seksual të fëmijëve në internet.

Iniciativa ka për qëllim t’i bashkojë vendimmarrësit nga e gjithë bota, për të bërë identifikimin më të mirë të viktimave dhe ndëshkimin e autorëve të veprave të këtilla. Në mesin e pjesëmarrësve në promovimin që u mbajt në Bruksel më 5 dhjetor, kishte ministra dhe përfaqësues të lartë nga 27 vende-anëtare të BE-së, të cilave iu bashkangjitën 21 vende që nuk janë anëtare të BE-së.

Vendet e Aleancës angazhohen për disa qëllime të politikave.

“Pas çdo fotografie të keqpërdorimit të fëmijëve, ka një fëmijë të keqpërdorur, si një viktimë e eksploatuar dhe e pambrojtur. Kur këto fotografi do të vendosen në internet, ato mund të jetojnë atje përgjithmonë. Është përgjegjësia jonë që t’i mbrojmë fëmijët pa marrë parasysh se ku jetojnë dhe kriminelët t’i nxjerrim para drejtësisë, kudo që ata veprojnë. Mënyra e vetme që të arrihet kjo është të bashkohemi, me qëllim që të ketë një aksion më intensiv dhe të koordinuar më mirë në suaza botërore”, deklaroi komisarja Sesilia Malmstrom.

Malmstrom foli në hapjen e konferencës së ekspertëve më 5 dhjetor, e pastaj mbajti konferencës për shtyp me prokurorin publik Holder. Gjatë orëve të pasdites, pas konferencës së ekspertëve, kishte mbledhje të ministrave të vendeve pjesëmarrëse.

Rrjetat e pedofilëve e shfrytëzojnë mungesën e këmbimit të informatave dhe zbrazëtirat e ligjeve që ekzitojnë brenda vetë shteteve, por edhe ndërmjet tyre. Bashkëpunimi ndërkombëtar është kyç për hulumtimin efikas të rasteve të keqpërdorimit seksual të fëmijëve në internet dhe për identifikimin dhe ndjekjen më të mirë të autorëve të këtyre veprave. Në qëllimet e Aleancës bëjnë pjesë edhe zvogëlimi i qasjes te materialet me përmbajtje të keqpërdorimit të fëmijëve në internet dhe rritja e vetëdijes për metodat e “nxitjes”, të cilat i përdorin pedofilët.

Njëri nga qëllimet është të vendosen edhe organe speciale policore për këto vepra penale në të gjitha vendet dhe të lehtësohet inicimi i hetimeve të përbashkëta ndërkufitare policore. Duhet të intensifikohet bashkëpunimi me shërbimet për thirrje telefonike (hotlajn), ku publiku mund t’i denoncojë rastet e pornografisë me fëmijë që i kanë hasur në internet. Vendet, poashtu duhet të angazhohen të sigurojnë se baza ndërkombëtare e Interpolit me të dhëna për materialet me kepqërdorim të fëmijëve do të rritet për çdo vit nga 10%.

“Me këtë iniciativë ndërkombëtare do të përforcohen resurset tona të përbashkëta që të nxjerrim sa më tepër autorë të këtyre veprave para drejtësisë, të identifikohen sa më tepër fëmijë-viktima të keqpërdorimit seksual dhe të sigurohet se do ta marrin ndihmën dhe përkrahjen tonë”, deklaroi prokurori shtetëror amerikan, Erik Holder. “Nëpërmjet kësaj aleance globale mund të ndërlidhemi me suksesin e operacioneve të mëparshme ndërkufitare policore për shkatërrimin e rrjeteve të pedofilëve dhe të mbrojmë sa më shumë fëmijë në botë”.

Vlerësohet se për momentin në internet ka mbi një milion fotografi të fëmijëve që i janë ekspozuar keqpërdorimit seksual dhe eksploatimit. Sipas UNODC-së, çdo vit shtohen 50.000 fotografi të reja me fëmijë-viktima të keqpërdorimit seksual.

Përveç SHBA-ve dhe 27 vendeve anëtare të BE-së, anëtare të Aleancës janë edhe: Shqipëria, Australia, Kamboxha, Kroacia, Gjeorgjia, Gana, Japonia, Moldavia, Mali i Zi, Zelanda e Re, Nigeria, Norvegjia, Filipinet, Serbia, Republika e Koresë, Zvicra, Tajlandi, Turqia, Ukraina dhe Vietnami.

Burimi: European Commission “Global alliance to fight online child abuse” 5 dhjetor 2012.

Поврзани натписи