Мени

Gazetarët e kritikojnë Ligjin për media të Maqedonisë

Debati i parë për Ligjin e ri për media zbuloi se gazetarët dhe organizatat mediale nga Maqedonia akoma i shohin me mosbesim ndryshimet e propozuara.

Pasi Qeveria e Maqedonisë para dy javësh e publikoi propozim-ligjin për media, me të cilin parashihet organ i ri rregullator, për të cilin shumë njerëz frikohen se do përdoret si vegël për censurë, ditën e hënë u organizua debat për ligjin e ri.

Në ngjarjen e titulluar si “Diskutim për nevojën për Ligj për media” të organizuar nga organizata qytetare Qendra për zhvillimin e mediave, u mblodhën një numër i madh gazetarësh dhe organizatash mediale.

Ankesa e tyre kryesore ishte për atë se qeveria e përgatiti propozim-ligjin e ri pa pjesëmarrjen e gazetarëve, sektorit joqeveritar dhe faktorët e tjerë kyç.

Një pjesë prej disa dhjetëra pjesëmarrësve në debat thonin se është e pakuptimtë që komuniteti i mediave të negociojë me qeverinë, për shkak se propozim-ligji është përgatitur që më parë.

“Neve nuk na duhet ligj i këtij lloji. Nuk na duhet rregullim i mediave. Na duhet liri e mediave. Duhet të mbetemi të bashkuar dhe të gjejmë forcë t’i themi “jo” ligjit për të cilin nuk u konsultuam”, deklaroi udhëheqësja e Sindikatit të gazetarëve dhe të punëtorëve medialë, Tamara Çausidis.

Biljana Petkovska nga Instituti maqedonas për media tha se ligji i ri vetëm do të krijojë probleme.

“Ky propozim nuk i zgjidh problemet e vërteta, por krijon të reja. Mendoj se liria e të shprehurit do të ngecë” tha Petkovska.

“Pyetja është se si duhet të jetë rregullativa minimale që na nevojitet që media të mund të funksionojnë ashtu siç duhet? Nuk mendojmë se duhet të rregullohen mediat e shtypura dhe mediat në internet”, deklaroi Roberto Beliçanec nga Qendra për zhvillimin e mediave.

Propozim-ligji siguron rregullim të internetit si dhe të mediave të shtypur, që nuk ka ndodhur deri më tani në Maqedoni. Ligji i definon si gazetarë vetëm ata që janë të punësuar të rregullt në organizatën mediale.

Gazetarët janë të brengosur edhe për kufizimet e mundshme të lirisë së mediave që janë përfshirë në dispozitat që kanë të bëjnë me “ruajtjen e shëndetit dhe të moralit”, dhe të cilat nuk arrijnë të definojnë se çka konkretisht nënkuptohet me këtë. Kritikët thonë se kjo dispozitë mund lehtë të keqpërdoret për të bërë censurë.

Ky propozim vjen në kohë kur shprehet brengosje për ardhmërinë e lirisë së mediave në Maqedoni.

Indeksi për lirinë e mediave në botë për vitin 2013, që u publikua në janar nga organizata Raportuesit pa kufinj, e rangoi Maqedoninë në vendin e 116-të nga gjithsej 179 vende, që paraqet rënie të madhe prej madje 22 vendesh në krahasim me vitin e kaluar.

Para katër vjetësh, Maqedonia ishte e ranguar në vendin e 34 në raportin e njëjtë për lirinë e mediave.

Burimi: Balkaninsight „Новинарите го критикуваат македонскиот Закон за медиуми“ 23 prill 2013.

Поврзани натписи