Menyja

Policia italiane bllokon ueb-faqe me banerë që gjoja çojnë në ueb-faqe jolegale

Policia italiane për kriminialitet kompjuterik, Guardia di Finanza Agropoli, para do kohësh e bllokoi qasjen deri te serverët për emrat e domeneve të ueb-faqeve që ofrojnë linke deri te përmbajtje që janë të indeksuara në rrjetet BitTorrent, cyberlockers dhe eDonkey.

Pesë nga ueb-faqet e bllokuara i takojnë rrjetit Italianshare.net dhe të cilat, gjoja kanë publikuar linke deri te filma, lojëra ose muzikë, para nxjerrjes së tyre në shitje. Poashtu, janë bllokuar edhe dy ueb-faqe që nuk kanë asnjë lloj lidhjeje me këtë rrjet.

Sipas Guardia di Finanza, ueb-faqet kanë pasur llogari për reklamim dhe donacione nëpërmjet PayPal, që ka qenë edhe arsye për policinë që t’i hetojë ato për pirateri komerciale dhe evazion fiskal. Disa grupe kundër piraterisë kanë parashtruar ankesa kundër pronarëve të ueb-faqeve, që rezultoi me konfiskim të pajisjeve të tyre kompjuterike.

Mirëpo, edhe ueb-faqet “e pafajshme”, italianstylewebsite.net dhe freeplayclub.org, si duket me gabim, ishin viktimë e këtij aksioni që ishte ndërlidhur me ueb-faqet që ishin nën hetim. Pronarët e këtyre dy ueb-faqeve reaguan duke theksuar se ueb-faqet e tyre kanë qenë ligjore, ndërsa lidhja e tyre e vetme me Italianshare.net ka qenë këmbimi i banerëve. Ueb-faqet e tyre kanë hostuar vetëm linke legale deri te softuere për shkarkim pa pagesë ose te lojëra kompjuterike.

Gjithashtu, dy pronarët deklaruan se paraprakisht nuk janë paralajmëruar nga pushteti dhe se në fillim kanë menduar se kanë probleme me serverët për emrat e domeneve. Për shkak se nuk kanë marrë njoftim zyrtar, ata bile nuk e kanë ditur kujt t’i drejtohen me qëllim që ta dëshmojnë ligjshmërinë e ueb-faqeve të tyre.

Fulvio Sarzana, avokati i pronarit të rrjetit Italianshare.net deklaroi se pas analizës së parë, ai konsideron se është e qartë se ka pasur parregullsi në procedurën për konfiskim preventiv.

Sipas Sarzanës, masat e ndërmarra nga ana e policisë janë jokompatibile me qarkullimin e lirë të informaatave në internet, si dhe me të shprehurit e lirë të mendimit në forumet në internet. “Parimi nga i cili duhet të nisemi është se çdo paligjshmëri duhet të pengohet e jo të nxitet, mirëpo, kuptohet, kjo duhet bërë kur jeni të sigurt, e poashtu edhe pa paragjykime dhe pa ide të paramenduara në lidhje me navigimin në shërbimet P2P, që është shfrytëzuar për aktivitetet jolegale, e në raste kur instrumenetet që përdoren për pengim preventiv nuk janë në pozitë që t’i dëmtojnë vlerat kushtetuese ose të drejtat e palëve të treta”.

Avokati, tërhoqi vërejtjen në lidhje me faktin se nëse një konfiskim i tillë preventiv mund të shfrytëzohet “pa kontroll të mënyrave alternative për pengim të përmbajtjeve ilegale”, ky instrument mund të shfrytëzohet edhe në raste të shpifjeve nëpërmjet mediumeve ose blogeve. “Me një ndikim të fuqishëm mbi lirinë e informimit në internet”.

Burimi: ЕDRI-gram “Italian Police blocks sites that had banners to alleged illegal websites” nr. 9.23, 30 nëntor 2011.

Artikujt e ndërlidhur