Menyja

Programi Horizon 2020 fillom me 15 miliardë euro për dy vitet e para

Sot, Komisioni Evropian për herë të parë i prezantoi thirrjet për propozim-projekte në kuadër të programit Horizon 2020 të BE-së, me vlerë prej 80 miliardë euro për hulumtime dhe inovacione.

Financimi prej mbi 15 miliardë euro gjatë dy viteve të para ka për qëllim ta nxisë ekonominë evropiane të bazuar në dije dhe t’i trajtojë çështjet që do të kenë ndikim mbi jetët e njerëzve. Janë përfshirë 12 fusha që do të jenë në fokus të veprimit në vitet 2014 dhe 2015, duke përfshirë tema siç janë mbrojtja e personalizuar shëndetësore, siguria digjitale dhe qytetet e mençura.

Komisari evropian për hulumtim, inovacione dhe shkencë, Mer Geogegan – Kuin, deklaroi: “Është koha që seriozisht t’i përkushtohemi këtij programi. Financimi nga Horizon 2020 është me rëndësi esencialе për ardhmërinë e hulumtimit dhe inovacioneve në Evropë dhe do të kontribuojë për rritje ekonomike, vende pune dhe kualitet më të mirë të jetës. E dizajnuam programin Horizon 2020 që të gjenerojnë rezultate dhe e zvogëluam burokracinë që të mundësojmë pjesëmarrje më të lehtë. I ftoj hulumtuesit, universitetet, kompanitë, si dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe subjektet e tjera që të paraqiten!”

Për herë të parë Komisioni përmendi se cilat janë prioritetet për financim në këto dy vite, duke u siguruar hulumtuesve dhe kompanive sigurinë më të madhe deri tani rreth drejtimit të politikës për hulumtim të BE-së. Numri më i madh i thirrjeve nga buxheti i vitit 2014 janë të hapura për aplikime që sot, e do të ketë edhe të tjera brenda vitit. Vetëm thirrjet nga buxheti i vitit 2014 janë në vlerë prej rreth 7,8 miliardë euro, ndërsa financimi fokusohet në tre shtyllat kryesore të Horizon 2020:

Shkenca e shkëlqyeshme: rreth 3 miliardë euro, duke i përfshirë edhe 1,7 miliardë euro për grante nga Këshilli evropian për hulumtim për shkencëtarët kulmorë dhe 800 milionë euro për bursat Maria Skllodovska – Kiri për hulumtuesit e rinj.

Udhëheqësia industriale: 1,8 miliardë euro për përkrahjen e udhëheqësisë industriale evropiane në fushat siç janë TIK-u, nanoteknologjitë, prodhimtaria e avancuar, bioteknologjitë dhe hapësira.

Sfidat shoqërore: 2,8 miliardë euro për projekte inovative të orientuara drejt shtatë sfidave shoqërore të Horizon 2020, e në kuptim më të gjerë: shëndetësia, bujqësia, detaria dhe bioekonomia, energjia, transporti, aksioni klimatik, mjedisi jetësor, efikasiteti i resurseve dhe lëndëve të para, shoqëritë reflektuese dhe siguria.

Burimi: Europe’s Information Society „Horizon 2020 launched with €15 billion over first two years“ 11 dhjetor 2013.

 

Artikujt e ndërlidhur