Мени

U mbajt tryezë e rrumbullakët “Softueri arsimor për arsim inkluziv”

Më 28 maj 2013, me fillim në orën 11, në hotelin “Kontinental” në Shkup, u mbajt tryezë e rrumbullakët me temë “Softueri arsimor për arsim inkluziv”, në organizim të shoqatës “Hapni dritaret”, si pjesë e projektit “Lokalizimi i softuerit arsimor për personat me aftësi të kufizuara në Maqedoni”, i realizuar nga “Hapni dritaret”, organizata austriake Lifetool dhe e financuar nga Diakoni Austri.

Qëllimi i kësaj ngjarjeje, ku mori pjesë edhe një përfaqësues i fondacionit Metamorfozis, është të përforcohet vetëdija për mundësitë që i ofron zbatimi i softuerit arsimor për rritjen e mundësive arsimore të fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara. Gjatë ngjarjes, të pranishmit kishin mundësi të këmbejnë përvoja dhe praktika pozitive në aspekt të zbatimit dhe zhvillimit të softuerit arsimor.

Tryeza e rrumbullakët filloi me prezantimin e zonjës Xhoana Kinberger nga Diakoni Austri, e cila foli për përkrahjen e kësaj organizate për lokalizimin e softuerit arsimor në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe.

Pastaj, zonja Liana Mar, e cila është drejtoreshë programore e USAID Maqedoni, e theksoi përkrahjen e USAID-it për arsim bashkëkohor dhe inkluziv në Maqedoni, para së gjithash nëpërmjet lokalizimit të aplikacioneve arsimore dhe trajnimit të arsimtarëve për zbatimin e kompjuterëve në arsim.

Në këtë prezantim u ndërlidhën edhe z. David Hofer, drejtor i Lifetool, dhe zonja Irmgard Stajninger, të cilët folën për zbatimin e softuerit edukativ në punën me nxënës me dhe pa aftësi të kufizuara në Austri. Ata shtuan se qëllimi i këtij softueri edukativ është të përmirësohen aftësitë e nxënësve për lexim, shkrim dhe llogaritje, por edhe të aftësohen arsimtarët. Poashtu, ata i prezantuan rezultatet e hulumtimit të realizuar me ndihmën e 33 arsimtarëve nga shkollat e veçanta në Austri, ndërsa përfundimi i përgjithshëm i këtij hulumtimi është se fëmijët me aftësi të kufizuara kanë përfitime më të mëdha nga përdorimi i softuerit për persona me nevoja të veçanta, por përfitimet janë të dukshme edhe te fëmijët me hendikep.

Ivan Çorbev, i cili është docent në Fakultetin për shkenca inxhinjerike dhe inxhinjering kompjuterik (FSHIIK), foli për zhvillimin e softuerit arsimor në Maqedoni, për atë se çka është bërë deri tani, në çka është duke u punuar, si dhe për përvojat dhe mundësitë.

Në përmbyllje të sesionit të parë, zonja Ollga Samarxhiq Jankova nga “Hapni dritaret” foli për përvojat me lokalizimin dhe zbatimin e softuerit edukativ GCopris në punën me nxënës me nevoja të veçanta arsimore.

Pas një pauze të shkurtë, Radmilla Stojkovska Aleksova, nga “Hapni dritaret” i prezantoi aplikacionet e lokalizuara të Lifetool në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe: Më trego (Show Me) dhe Për numrat (About Numbers). Lojërat ofrojnë mundësi të shumta për zbatim në arsim, veçanërisht në punën me nxënës me nevoja të veçanta arsimore, për shkak se mundësojnë zhvillim të shkathtësive matematikore duke i përvetësuar termet dhe operacionet kryesore matematikore, si dhe duke e pasuruar fjalorin dhe duke i zgjeruar njohuritë nëpërmjet lidhjes së fjalëve me fotografi. Lojërat ofrojnë mundësi për krijimin e profilit individual të çdo nxënësi, ndërsa në fund fitohen të dhëna në formë të diplomës për nivelin që e ka arritur nxënësi dhe kohën që i është dashur ta përfundojë lojën.

Qëllimi i projektit “Lokalizimi i softuerit arsimor për personat me aftësi të kufizuara në Maqedoni” është të përforcohet pjesëmarrja aktive e fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara duke e siguruar dhe duke e promovuar zbatimin e softuerit adekuat arsimor në arsim.

Поврзани натписи