Televizion dixhital me fotografi, por jo edhe përmbajtje të mirë.

digitalna televizija

Dixhitalizimi i sinjalit televiziv në Maqedoni nuk ndihmoi në demokratizimin e komunikimeve dhe për pluralizëm më të madh mediatik, edhepse sipas rekomandimeve të Këshillit të Evropës ky është një ndër qëllimet kryesore.

Autor: Kristina Ozimec

Fotografi dhe sinjal cilësor, por jo edhe liri më të madhe dhe pluralizëm në media. Kështu e komentojnë njohësit procesin e dixhitalizimit të sinjalit televiziv, i cili e përmirësoi fotografinë dhe zërin e televizioneve, por nuk kontribuoi për demokratizim më të madh në sferën mediatike.

Vendi ynë, në vitin 2013, ndër të parët në rajon e ç’kyçi sinjalin analog dhe kaloi në sinjal dixhital më cilësor, i cili përveç cilësisë teknike, shikuesve duhej t’u ofrojë edhe përmbajtje cilësore. Në publik, procesi i dixhitalizimit të sinjalit televiziv u kuptua si një proces teknik i cili duhet të përmirësojë fotografinë, zërin dhe mundësitë e tjera gjatë shikimit të programeve, por ky është vetëm një aspekt, komentojnë njohësit e kësaj problematike.

„Rekomandimi i Këshillit të Evropës e obligon vendin që ta promovojë kontributin demokratik dhe social të radiodifuzionit dixhital”, thotë d-r Snezhana Tërpevska nga Instituti për studime të komunikimit.

„Rekomandimi thekson se interesi publik duhet ruajtur edhe në mjedisin dixhital, që do të thotë, midis të tjerave, të ruhet liria e shprehjes, qasja deri tek informacionet dhe pluralizmi i ideve dhe mendimeve”, shton Tërpevska.

Ajo thekson se vendi e ka pranuar atë model me vetë faktin që jemi anëtar i Këshillit të Evropës, i cili është i inkorporuar nëpër ligje dhe duhet që qeveritë tona t’i ndjekin vazhdimisht politikat dhe dokumentet e Këshillit të Evropës.

„Trupi rregullator i cili është kompetent për këtë aspekt publik të dixhitalizimit duhet t’i ndjekë ato dokumente dhe të ndërmarrë aktivitete që procesi të implementohet ashtu siç duhet. Përkundrazi, për arsye se trupi rregullator është i politizuar dhe i partizuar, shohim një ndjekje të interesave politike të partisë në pushtet dhe procesi është implementuar kështu siç është. Jo vetëm ky por edhe ai paraprak, sepse edhe ai ka një faj të madh për mënyrën se si është implementuar dixhitalizimi”, thotë Tërpevska.

Në këto vitet e fundit funksionarët dhe përfaqësuesit e qeverisë shpeshherë deklaronin se Maqedonia është shteti i parë në rajon i cili ka bërë dixhitalizim të sinjalit televiziv, por cilat janë përparësitë e gjithë këtij procesi?

Zoran Fidanovski, i cili është anëtar në Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, thotë se nuk është aspak i bindur se kalimi në dixhital ka ndihmuar për demokratizimin e komunikimeve.

„Faktet tregojnë se dixhitalizimi mundësoi një pasqyrë më të qartë se çka duan teleshikuesit e vërtetë të kenë si përmbajtje programore. Oferta që e japin shtëpitë televizive kombëtare, pavarësisht a janë ato tokësore ose transmetojnë nëpërmjet sistemit kabllor, satelitit, platformës së internetit, me përjashtime shumë të rralla, nuk i plotëson kriteret, dhe aq më pak orekset e publikut. Për këto arsye, hulumtimet tregojnë se së paku një e treta e shikuesve aspak nuk i „hap” kanalet televizive të vendit dhe kryesisht ndjek kanale të huaja me përmbajtje të ndryshme. Domethënë, për suksesin e një medie televizive, vendimtare duhet të jetë oferta e programeve dhe jo sinjali dixhital”, thotë Fidanovski.

Sipas kryetarit të Këshillit për etikë, Mirçe Adamçevski, kalimi në transmetim dixhital dhe normat e miratuara nuk kanë mundësuar aspak demokratizim të medieve, sepse ato ende janë në duart e pushtetit, të varura nga ai nëpërmjet trupave „të pavarur” rregullatorë. Procesi i dixhitalizimit, sipas tij, nuk ka qenë transparent dhe gjithëpërfshirës aq sa duhet.

„Nuk u formua një trup kombëtar koordinues për dixhitalizimin i cili do ta udhëhiqte të gjithë punën në mënyrë transparente. Pastaj, nuk u bënë të gjitha ndryshimet ligjore. U dhanë „me forcë” tre multipleksë. Tani ai që i ka ato po heq të zitë e ullirit për t’i kthyer paratë që i investoi”, thotë Adamçevski.

Kush fitoi, dhe kush humbi nga procesi i dixhitalizimit?

Sipas Tërpevskas çështja e parë është se nëse mënyra në të cilën e implementua procesi i dixhitalizimit tek ne i favorizonte transmetuesit e vendit apo jo, sepse të gjitha vendet e implementuan këtë proces për ta pasuruar ofertën e vendit. Ajo thotë se Strategjia e parë për radiodifuzion 2007-2012 parasheh që transmetimi i sinjalit të bëhet ashtu që të jetë në favor të transmetuesve të vendit, të cilët duhet ta mbrojnë identitetin kulturor dhe përmbajtjet vendore, por ajo strategji nuk u implementua dhe konkurset ju ndanë firmave të huaja.

„Ato operatorë përdorin frekuenca të cilat janë ndarë nga R. e Maqedonisë dhe frekuencat janë e mirë publike, bëjnë pjesë në resurse publike, si ujërat, xehet etj. Numri më i madh i shteteve nuk ja japin këtë transmetim dikujt tjetër që të bëjë transmetim të kanaleve të huaja, por e shfrytëzojnë për transmetim të përmbajtjeve vendore”, thotë Tërpevska.

Çështja tjetër, sipas saj është se çfarë na solli dixhitalizimi si pluralizëm i përmbajtjeve – në nivel kombëtar dhe rajonal, si pluralizëm kulturor dhe gjuhësor, por edhe si pluralizëm politik.

„Më parë kishim shumë stacione që transmetonin në gjuhët e tjera, ato ishin rajonale dhe lokale, por ai diversitet në aspekt të gjuhës në të cilën transmetojnë humbi, sepse nëse ato nuk janë financiarisht të aftë që të prodhojnë përmbajtje, aq më pak do munden të prodhojnë programe në gjuhët e minoriteteve dhe gjuhët e vogla”, shton ajo.

Sipas Dejan Georgievskit nga Qendra për zhvillimin e medieve, dobi më të madhe nga i gjithë procesi ka Operatori i DVB-T multipleksëve për televizion komercial, kompania “ONE”.

„Sa u përket televizioneve, kjo për ato nënkuptonte shpenzime të reja që mund t’i përballojnë vetëm më të mëdhenjtë. Kështu mbetëm pa televizion lokal tokësor, gjegjësisht të gjithë televizionet lokale duhej të zhvendosen nga transmetimi tokësor në atë kabllor. Problemi është që menaxhimi me DVB-T multipleksët për televizion komercial iu besua një kompanie private, e cila faktikisht fitoi monopol dhe mund të diktojë çmime”, thotë ai.

Sipas Georgievskit, gjendja e këtillë ndikoi negativisht në radiodifuzionin lokal, sepse televizionet lokale, në pamundësi për ta përballuar pagesën e kompensimit ndaj „ONE”, kaluan në transmetim kabllor.

„Kjo domethënë se qytetarët nga rrethet më të vogla rurale, ku ndërtimi i rrjetit kabllor nuk është i leverdishëm, për shkak të numrit të vogël të banorëve për të cilët parapagesa merr një pjesë e konsiderueshme të buxhetit familjar, kanë qasje vetëm tek stacionet televizive kombëtare dhe rajonale dhe marrin shumë pak informacione lokale, të cilat duhet të kenë një rëndësi të veçantë për to”, shton ai.

Në dhjetor të vitit 2013, operatori „ONE” shpalli se kanë arritur mbulim prej 94,9 % të amvisërive në Maqedoni. Nga „ONE.VIP” për transmetuesit lokalë thonë se në pajtim me procedurën tenderuese për përcaktimin e operatorit, nuk ka qenë i paraparë transmetim lokal, por vetëm kombëtar dhe rajonal.

„Nëse flasim për kanalet rajonale, në fillim numri i kanaleve lokale që vendosën të kalojnë në transmetim rajonal ishte më i madh, por pastaj numri i tyre u zvogëlua. Për momentin janë 16 kanale televizive të cilët transmetohen si rajonale. Në mënyrën se si ishte paraparë procedura tenderuese, duhej të përcaktohet çmim për transmetim kombëtar dhe rajonal. Edhe pse shikuar nga aspekti teknologjik transmetimi rajonal në një masë të caktuar është më i ndërlikuar, përsëri, duke pasur parasysh aftësinë më të ulët për mbulim të shpenzimeve për transmetim, shuma për transmetim rajonal arrin 632.400 denarë/mbps në krahasim me transmetimin nacional, ku kompensimi sipas tenderit është 4.836.000 denarë/mbps. Edhe përkrah kësaj shume të ulët, përsëri disa programe televizive rajonale vendosën të kalojnë në lloj tjetër transmetimi”, thonë nga „ONE.VIP”.

Nga QZHM thonë se faturimin e transmetuesve tokësorë nga ana e „ONE.VIP” për transmetimin e sinjalit – rreth 100.000 euro për transmetim kombëtar dhe rreth 14.000 euro për transmetim rajonal – televizionet lokale nuk mund ta përballojnë.

Partia në pushtet e forcoi portfolion mediatike

Sipas njohësve, institucionet kompetente e shfrytëzuan edhe procesin e dixhitalizimit për t’i thelluar lidhjet klienteliste me pronarët e medieve.

„Rrjeti tokësor, nëse e shohim si burim, është më i kufizuar se ai dixhital, i cili mundëson ekzistimin e shumë më shumë kanaleve. Kjo teorikisht duhet të nënkuptojë se ai mundëson pluralizëm më të madh politik dhe kulturor nëpër medie. Por, tek ne kjo gjë nuk ndodhi. Arsyeja është se dixhitalizimi përsëri u shfrytëzua si resurs klientelistik”, thotë Igor Micevski nga Instituti për studime të komunikimit.

Nga Qendra për zhvillimin e medieve, nga ana tjetër, thonë se partia në pushtet përsëri e shfrytëzoi rastin që ta përforcojë „portfolion mediatike” të saj, posaçërisht në nivel rajonal, nëpërmjet biznesmenëve dhe pronarëve të afërt me të.

„Nga ana tjetër, nëpërmjet trupit rregullator, e pengon hyrjen në treg të një televizioni të ri nga i cili mund të presim se do të kujdeset në mënyrë primare për interesin publik, para së gjithash, nëpërmjet qasjes kritike ndaj proceseve sociale dhe punës dhe politikave të pushtetit”, thotë Dejan Georgievski nga QZHM.

Sipas Tërpevskas, është fakt se pushteti edhe nëpërmjet rregullatorit dhe mekanizmave të tjerë që i përdor si reklama shtetërore, tash e vite me radhë, i ka tërhequr pronarët kah vetja duke u dhënë shumë para.

„Nga ana tjetër, rregullatori miratonte ndryshime të strukturës së pronarëve ose lidhjen e televizioneve, siç është rasti me televizionet lokale që janë të lidhura në rrjete rajonale, i kalonte formalisht ndryshimet e strukturës së pronarëve pa gërmuar në prapavijën e pronësisë. Dhe tani, nëpërmjet një analize të pronësisë mund të shihet se ne kemi modele te tilla të strukturës së pronarëve të cilët përsëri e favorizojnë ideologjinë apo politikën e strukturave të pushtetit”, shton ajo.

Nga ana tjetër, nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele thonë se dixhitalizimi nuk reflekton tek profesionalizmi në punën e medieve ose gazetarëve. Sipas tyre, qytetarët kanë pasur dobi të shumta nga ky proces, siç janë fotografia dhe zëri më cilësor, mundësia për qasje deri tek një numër i madh programesh, titrimi në më shumë gjuhë, guida elektronike të programeve, mundësia për televizion interaktiv me përdorim të lidhjes së internetit, teletekst më të shpejtë etj.

Servisi publik mbetet i margjinalizuar

Në vend që të jetë lider në dixhitalizim dhe shtyllë kryesore në mbrojtjen e interesit publik, RTVM u bë edhe më i margjinalizuar, komentojnë njohësit. Sipas Micevskit, ky proces jo vetëm që nuk e mbrojti interesin publik, por edhe u keqpërdor për relativizimin e asaj që duhet të definohet si interes publik. Servisi publik duhet të paraprijë në produksionin vendor, posaçërisht në krijimin e përmbajtjeve për fëmijë, arsimore ose artistike. Megjithatë, sipas drejtorit të mëparshëm të RTVM-së, Petar Karanakov, dixhitalizimi solli edhe shumë përparësi për servisin publik. „Pajisjet dixhitale rezultojnë me kapacitete më të mëdha për regjistrim dhe mbulim të më shumë ngjarjeve, me çka shfaqet mundësia për zgjerim drastik të të gjithë asaj që do të jetë e përfshirë, si dhe mundësi më e madhe e kryerjes së interesit publik me kapacitet të plotë, posaçërisht të liruar nga kufizimet tekniko-teknologjike. Megjithatë, prioritetet i caktojnë redaktorët dhe jo teknika për regjistrim dhe transmetim”, shton ai.

Interneti e ndryshon televizionin

Televizioni si edhe mediet e tjera, nuk mund ta anashkalojë krizën që e sollën me vete teknologjitë e reja dhe demokratizimi i prodhimit dhe plasmanit, gjegjësisht transmetimi i përmbajtjeve, thonë nga Qendra për zhvillim të medieve. Sipas tyre, goditja e platformave të reja të internetit tek tani do fillojë të ndjehet. „Hulumtimet tregojnë se vetëm në një vit, 30 kanalet televizive udhëheqëse kabllore në SHBA kanë humbur mesatarisht 10 % të publikut të tyre në kohën kulminante „prime time”, që nënkupton më pak të ardhura nga reklamat. Publiku zhvendoset në shërbimet e reja të internetit për „streaming” dhe për „video on demand”, siç është „Netflix”. „Netflix” tani hyn edhe në rajonin tonë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë tek ne, por sido që të jetë ndryshime do të ketë. Edhe pse ekzistojnë mendime se për shoqërinë tonë të varfëruar parapagesa mund të jetë jashtëzakonisht e lartë dhe në „Netflix” do të parapaguhet kryesisht publiku i ri urban të cilin e tërheqin serialet amerikane dhe që mund ta paguajë atë”, thotë Dejan Georgievski nga QZHM. Teknologjia tashmë po e ndryshon televizionin, por nga ana tjetër, televizioni është më i fuqishmi nga mediet tradicionale dhe ka më shumë resurse për të luftuar, si dhe për t’u adaptuar ndaj goditjes së teknologjive të reja dhe platformave të reja, konsideron Georgievski.

(Teksti është përpunuar në bashkëpunim me Fondacionin Metamorfozis, në kuadër të projektit “Hartimi i digjitalizimit në Radiodifuzionin e Republikës së Maqedonisë”, e finansuar nga Independent Journalism Programs nga Londra.)