Janë paratë tuaja

26.04.2016

Projektet

Periudha e realizimit: 1 nëntor – 30 dhjetor, 2015

 

Me projektin “Janë paratë tuaja”, Metamorfozis arriti të krijojë kapacitete për prodhimin e video-dokumentarëve për çështjet aktuale shoqërore të fokusuara në gazetarinë hulumtuese, sa i përket shpenzimit të parave të obliguesve tatimorë në Maqedoni. Brenda një afati të shkurtër kohor u formua, i trajnua dhe u pajis një rrjet i korrespodentëve, i cili prodhoi, publikoi dhe promovoi 6 video-storje nga 6 rajone të ndryshme të vendit.

Aktivitetet e projektit përfshinë përgatitjen dhe ndërtimin e kapaciteteve të rrjetit të korrespodentëve, produksion të video-storjeve, si dhe publikimin dhe promovimin e tyre.

Storjet fillimisht u publikuan në të njëjtën kohë nga agjencia e lajmeve Meta.mk në maqedonisht, shqip dhe аnglisht dhe nga portali për lajme Portalb.mk në gjuhën shqipe, e pastaj u riemituan në tre gjuhë nëpërmjet një rrjeti të mediave të përbërë nga 22 ueb-portale nacionale dhe lokale dhe dy stacione televizive lokale, si dhe nëpërmjet rrjeteve sociale. Vetëm për një javë ato arritën deri te mbi 190.000 shfrytëzues të rrjeteve sociale, si dhe deri te disa qindra mijë shikues nëpërmjet televizioneve. Storjet kishin ndikim të matshëm edhe në nivel nacional, e veçanërisht në komunitetet lokale në rajonet e Shkupit, Tetovës, Prilepit, Manastirit, Velesit dhe Strumicës.

Reagimet e qytetarëve dhe të gazetarëve bëjnë me dije se me këtë lloj të storjeve, ku në plan të parë janë nevojat e njerëzve të zakonshëm, plotësohet një zbrazëtirë e rëndësishme në hapësirën mediatike të Maqedonisë. Për shkak të mungesës së programeve të këtij lloji te mediat kryesore, video-storjet u mirëpritën nga publiku i gjerë si një rikthim në bazat e gazetarisë profesionale. Qytetarët e çmuan lartë faktin që gazetarët u kushtuan vëmendje nevojave të tyre të përditshme, dhe kërkuan që kjo qasje të vazhdojë edhe më tutje. Në nivel lokal këto storje shërbyen si bazë për diskutime publike dhe për të kërkuar llogaridhënie dhe transparencë më të madhe nga komunat. Autoritetet komunale në tre komuna reaguan menjëherë pas publikimit të këtyre storjeve, si p.sh. në rastin e Prilepit duke zgjidhur një pjesë të problemeve (në shtëpinë e pensionistëve), apo duke dhënë duke deklarata.