Verifikimi i fakteve të përmbajtjeve në “Facebook”

03.02.2021

Projektet

Angazhimi ynë

Luftimi i lajmeve të rreme është një përgjegjësi e madhe. Verifikimi sistematik i fakteve dhe raportimi i bazuar në të vërtetën e konfirmuar ndikojnë në rritjen e nivelit të edukimit mediatik dhe informativ, dhe në të njëjtën kohë sigurojnë mbështetje në ndërtimin e vlerave demokratike të shoqërisë.

Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis ka punuar për vite me radhë në verifikimin e fakteve përmes programit “Mediat për demokraci”. Mbi 10,000 përmbajtje nga zhanre dhe tema të ndryshme janë botuar si pjesë e Vërtetmatës-it, verifikimiifakteve.mk dhe crithink.mk. Përvoja dhe angazhimi kanë çuar në bashkëpunime dhe partneritete të shumta, i fundit prej të cilëve ishte në gusht të vitit 2020 kur Rrjeti social “Facebook”, së bashku me Metamorfozis dhe portalin Vërtetmatësi filluan bashkëpunimin në kuadër të programit për verifikimin e fakteve të përmbajtjeve të shpërndara në “Facebook” që e kanë origjinën nga vendi ynë.

Si funksionon kjo?

Verifikimi i fakteve nuk është vlerësim personal i asaj se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është gënjeshtër. Verifikimi i fakteve është një detyrë konkrete dhe e qartë, një proces, e që faktet të jenë fakte, duhet të ketë dëshmi. Në bazë të metodologjisë së përcaktuar nga “Facebook”-u (Facebook’s Third-Party Fact Checking Program), organizatat profesionale nga mbi 75 vende të botës janë pjesë e këtij programi përmes të cilit bëjnë identifikimin e lajmeve të rreme të mundshme, rishikimin e fakteve të përfshira në lajmet e rreme të identifikuara, dhe për këtë e njoftojnë “Facebook”-un, i cili vendos më tej se si do të veprojë në lidhje me dukshmërinë e atyre përmbajtjeve në rrjetin e tij.

Ky program nuk përfshin opsionin për të fshirë përmbajtje nga rrjeti social “Facebook”, por parashikon shënimin e tyre si të rreme, duke e zvogëluar arritjen e tyre tek përdoruesit dhe paralajmërimin e përdoruesve që e shohin atë ose që duan ta shpërndajnë atë se është shënuar si e rreme.

Kush është përgjegjës?

Verifikimi i fakteve të përmbajtjeve në “Facebook” bëhet nga ekipi i Vërtetmatësit. Vërtetmatësi është një portal për llogaridhënie dhe transparencë publike, i cili merret me verifikimin e fakteve në media, qoftë në mënyrë të pavarur, por edhe në bashkëpunim me projekte të tjera të verifikimit të fakteve në kuadër të Fondacionit Metamorfozis. Portali publikon materiale në tre gjuhë: maqedonisht (vistinomer.mk), shqip (vertetmates.mk) dhe anglisht (truthmeter.mk). Që nga viti 2019, Vërtetmatësi është i vetmi anëtar i licencuar i Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve nga Maqedonia e Veriut.

 

 

https://metamorphosis.org.mk/sq/aktivnosti_arhiva/facebook-ne-partneritet-me-metamorfozis-dhe-vertetemates-filloi-program-per-verifikimin-e-fakteve-ne-maqedonine-e-veriut/