Komisioni evropian, industria dhe institucionet akademike u morën vesh të vendosin partneritet public-privat për robotikë, që t’u ndihmojnë kompanive evropiane ta rrisin pjesëmarrjen e tyre në tregun global të robotikës i cilin në nivel vjetor arrin në 15,5 miliardë euro.
Përfaqësuesit e prodhuesve evropianë të robotikës dhe të institutive hulumtuese iu bashkangjitën Neli Kros-it, nënkryetares së Komisionit Evropian, në nënshkrimin e Memorandumit për mirëkuptim si shenjë e parë drejt krijimit të partneritetit publik-privat në vitin 2013. Komisioni konsideron se partneriteti i ardhshëm publik-privat do ta përforcojë sektorin e robotikës së BE-së.

Neli Kros, nënkryetarja e Komisionit Evropian për agjendën digjitale, deklaroi: “Industria e fortë për robotikë është faktor kyç për konkurencën në Evropë në të ardhmen. Zhvillimi i industrisë për robotikë do të thotë vende të reja pune dhe sektor i fuqishëm prodhues evropian”.

Robotika është shtytësi kryesor për rritjen ekonomike dhe konkurencën e Evropës. Tre milionë vende pune krijohen ose mbahen në botë si rezultat i përdorimit të një milionë robotëve industrialë. Industria evropiane e robotikës është shumë e suksesshme, dhe kontribuon me rreth një të katërtën e prodhimtarisë globale të industrisë robotike dhe ka pjesëmarrje prej 50 % në tregun e robotikës për shërbime profesionale. Tregu vendor dhe tregu i robotikës për shërbime profesionale pritet të rriten për 40 % në vitet e ardhshme, me rritje më të madhe në shërbimet për shpëtim, siguri dhe pastrim profesional. Deri në vitin 2020, robotika për shërbime mund të arrijë vëllim tregu prej 100 miliard eurosh në vit. Partneriteti publik-privat për robotikë ka për qëllim:

1. T’i përforcojë qëllimet strategjik për robotikën evropiane dhe ta përkrahë realizimin e tyre;

2. Ta përmirësojë konkurencën industriale në Evropë nëpërmjet teknologjive inovative të robotikës;

3.Të sigurojë produkte dhe shërbime robotike si mjete kyçe që do të ndihmonin në zgjidhjen e sfidave shoqërore në Evropë;

4. T’i përmirësojë aktivitetet për rrjetëzim të komunitetit evropian për robotikë;

5. Ta avancojë robotikën evropiane;

6. Të vendosë komunikim me shfrytëzuesit dhe tregjet ekzistuese edhe ato të reja;

7. Të kontribuojë për zhvillimin e politikave dhe t’i trajtojë çështjet etike, juridike dhe shoqërore.

Partnerët privatë në partneritetin publik-privat (nga institucionet akademike dhe industria) do të përgatisin propozim për partneritet publik-privat, të cilin Komisioni do ta shqyrtojë dhe do ta miratojë formalisht.

Burimi: Europe’s Information Society „Digital Agenda: Commission and European industry commit to bigger and better robotics sector“ 18 shtator 2012.