Duhet të investohet në trajnimin e të rinjve në aftësitë digjitale, duhet të rritet edukimi digjital, si dhe qasja në pajisjet digjitale, veçanërisht në mesin e grupeve të margjinalizuara, siç janë romët.
Këto ishin përfundimet e diskutimit të sotëm në panel me temën “Aftësitë digjtale dhe papunësia e të rinjve”, në kuadër të Konferencës Kombëtare mbi Zbatimin e Politikave të Përfshirjes së Romëve, të organizuar nga Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave – Romalitiko.
Në diskutim folën Albert Memeti dhe Marija Sulejmanova, menaxherë të programeve në Romalitiko, Milla Josifovska Danillovska, koordinatore e programeve në Fondacionin Metamorfozis, si dhe Mitko Pishtollov nga Qendra Maqedonase për Arsim Qytetar, i cili është udhëheqës i ekipit për zhvillimin e aftësive në Aktivitetin e USAID-it për të rinjtë që në mënyrë aktive krijojnë mundësi.
Sulejmanova e prezantoi hulumtimin mbi edukimin digjital në mesin e komunitetit rom, të kryer nga Romalitiko.
Nga 1.269 të anketuar, 54 përqind ishin të papunë. Tridhjetë e katër për qind e të anketuarve kishin vetëm arsim fillor, 33 për qind kishin arsim të mesëm, ndërsa 18 për qind nuk kishin arsim.
Më shumë se gjysma e të anketuarve nuk kishin komunikuar fare me shërbimet publike nëpërmjet internetit, ndërsa mbi gjysma e atyre që nuk kanë komunikuar thanë se kjo ishte për shkak të mungesës së aftësive dhe njohurive. Për më tepër, pothuajse 80 për qind e të anketuarve nuk kishin paguar faturë online për energji elektrike, ngrohje, ujë ose shërbime të tjera.
Sulejmanova vuri në dukje se hulumtimi rekomandon zbatimin e programeve për edukim digjital në shkollat e komuniteteve rome, promovimin më të madh të ueb-faqeve aktuale për shërbime online, të tilla si shërbimet elektronike.
“Më brengos fakti që politika të tilla si rimbursimi i TVSH-së nuk arrijnë te njerëzit më të margjinalizuar dhe më të varfër, të cilët kanë më shumë nevojë për to. Politikat e tilla mbeten në klasën e mesme. Politikat e hartuara në mënyrë të gabuar mund të rezultojnë me një popullatë të synuar gabimisht” – thotë Memeti për gjetjet e hulumtimit.
Më pas ai i prezantoi gjetjet e një hulumtimi tjetër të Romalitiko-s, në lidhje me papunësinë midis popullsisë së re rome. Hulumtimi zbuloi se 19 për qind e romëve meshkuj kishin qenë të papunë për më shumë se dy vjet, ndërsa 11 përqind e romeve femra kishin qenë të papuna për më shumë se dy vjet.
Lë përshtypje fakti që vetëm gjysma e të anketuarve do të pranonin të punonin në një qytet tjetër, por madje 77 për qind e të anketuarve do të pranonin punë jashtë vendit.
“Të rinjtë janë të pakënaqur me situatën shoqërore. Ata janë të pakënaqur me praninë e ryshfetit dhe korrupsionit. Edhe pse disa do të përfundojnë arsimin e lartë, kushtet shoqërore i detyrojnë të largohen nga vendi” – thotë Memeti.
Ai konsideron se digjitalizimi mund të jetë i dobishëm për romët, veçanërisht kur kanë të bëjnë me institucionet publike.
“Zhvillimi i digjitalizimit do ta vogëlojë diskriminimin me të cilin përballen romët në shërbimet publike. Ata nuk do të duhet të merren me të situatën e “hajde nesër, hajde pasnesër’” -, thotë Memeti.
Pishtollov foli më gjerësisht për kushtet e punës për të rinjtë. Edhe pse ai konsideron se arsimi në vendin tonë është i dobishëm, ai ka shumë hapësirë për përmirësim.
“Kjo botë nuk është e njëjtë me atë që ishte njëzet vjet më parë. Kërkohen aftësi më ndryshe, kurse arsimi është i njëjtë me atë që ishte njëzet vjet më parë”, tha Pishtolov.
Ai vuri në dukje se kurrikulave të institucioneve aktuale arsimore u mungon mësimdhënia e duhur e aftësive të buta, aftësive digjitale, njohuritë financiare dhe këshillimi për karrierë.
Por, sipas Pishtolovit, arsyeja kryesore pse të rinjtë po largohen nga vendi është mungesa e mundësive të punësimit dhe ndërtimit të kapaciteteve. Ai thotë se kompanitë në përgjithësi janë më të gatshme të punësojnë njerëz më të vjetër dhe me përvojë sesa të punësojnë kuadër të ri dhe t’i trajnojnë ata. Edhe pse opsioni i dytë kërkon më shumë energji dhe burime, ai konsideron se është i nevojshëm për të zhvilluar vendin, duke thënë se institucione si Oda Ekonomike duhet të shqyrtojnë mënyra për t’i shpërblyer kompanitë që punësojnë dhe trajnojnë të rinjë.
Josifovska Danillovska foli për rëndësinë e përhapjes së njohurive digjitale, mundësimit të qasjes në pajisjet digjitale, si dhe zbatimit të digjitalizimit të plotë në institucionet shtetërore.
Foto: Romalitiko
“Ajo që ne, si Metamorfozis, e kemi propozuar si iniciativë që të përfshihet në programin qeveritar për vitin 2025 është krijimi i një strategjie gjithëpërfshirëse kombëtare për edukimin digjital, e cila do t’i përfshijë edhe qytetarët jashtë sistemit formal të arsimit”, thotë Josifovska Danillovska.
Edukimi digjital është veçanërisht i rëndësishëm që qytetarët të jenë në gjendje të dallojnë dezinformatat dhe mashtrimet online, të cilat po bëhen gjithnjë e më të përhapura në epokën e përmbajtjeve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, theksoi Josifovska Danillovska.
Lidhur me qasjen në pajisjet digjitale, ajo e theksoi nevojën për qendra të posaçme ku qytetarët do të mund të përdorin burime të tilla, duke vënë në dukje se më parë këtë rol e luanin klubet shtetërore të internetit, por edhe se ato duhet të jenë vende ku qytetarët do të mund të marrin mbështetje aty për aty.
Josifovska Danillovska shpjegoi se Fondacioni Metamorfozis, me mbështetje nga Bashkimi Evropian, mbështeti tre organizata në Shkup, Prilep dhe Kërçovë për të krijuar dhe menaxhuar qendra mbështetëse për qeverisjen elektronike, përkatësisht për të mbështetur qytetarët në përdorimin e shërbimeve ekzistuese elektronike, por edhe për të rritur njohuritë e tyre digjitale. Brenda një viti, u shërbyen më shumë se 7.300 qytetarë nga komunitete të ndryshme në ato tre rajone. Ky projekt arriti te shumë më tepër njerëz krahasuar me projektin shtetëror “Një pikë për shërbime”, përmes të cilit, sipas analizës së Metamorfozis nga viti i kaluar, u shërbyen rreth 1.000 qytetarë.
Por, ekziston edhe një problem në sinkronizimin e digjitalizimit midis institucioneve. Josifovska Danillovska vuri në dukje se nuk është e pazakontë që një noter të mos e njohë një dokument të lëshuar elektronikisht, ose që të jetë e nevojshme të bashkëngjitet fizikisht një dokument i lëshuar gjatë përdorimit të një shërbimi të caktuar online. Ajo vuri në dukje të ashtuquajturin sistem X-Road në Estoni, i cili përdoret për të transferuar të gjitha llojet e informacionit midis institucioneve, duke i zvogëluar detyrimet e qytetarëve për të ngarkuar të njëjtin informacion personal në institucione të shumta.
Qëllimi përfundimtar i konferencës, e cila filloi dje, është identifikimi i barrierave që e pengojnë përparimin drejt përfshirjes dhe identifikimi i zgjidhjeve që do të kontribuojnë për përparimin e qëndrueshëm të komunitetit rom.
Linku deri te artikulli origjinal: Aftësitë digjitale janë thelbësore për të rinjtë, veçanërisht për grupet e margjinalizuara si romët

