Përparimi i përshpejtuar i teknologjisë e afroi edhe më shumë ndikimin e saj të jashtëzakonshëm në jetën tonë të përditshme në drejtim të ofrimit të zgjidhjeve të lehta për t’u përdorur dhe më të shpejta për nevojat tona. Ajo ka ndikuar gjithashtu në mënyrën se si e shohim botën dhe si zhvillohemi si shoqëri, e po ashtu edhe si individë.
Qeveritë kanë përqafuar proceset e digjitalizimit për të ofruar mekanizma të ndryshëm të pjesëmarrjes së qytetarëve, me synimin për t’u mundësuar qytetarëve të komunikojnë me administratën publike më shpejt dhe më lehtë.
Por, kur vjen puna te faktori themelor, cila është një nga gjërat më të rëndësishme për të qenë në gjendje të ushtrosh të drejtat e tua dhe të komunikosh jo vetëm me administratën publike, por edhe me subjekte dhe individë të tjerë, dhe në përgjithësi – të jesh në gjendje të marrësh pjesë plotësisht në shoqërinë bashkëkohore? Duhet të sigurohemi se komunikojmë pikërisht me atë person apo institucion, njësoj siç duhet dëshmuar se jemi pikërisht ata që themi se jemi.
Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të kuptojmë se çfarë është identiteti dhe çfarë do të thotë ai në botën digjitale.
Në psikologji, identiteti zakonisht përkufizohet si “ndjenjë e një personi për veten, e krijuar nga karakteristikat e tij unike, përkatësitë dhe rolet e tij shoqërore”.
Nga ana tjetër, në sferën online, identiteti ynë digjital është “një mënyrë për të verifikuar se kush jemi në internet në mënyrë të sigurt, në një mënyrë që ofron mbrojtje të të dhënave dhe e ruan informacionin tonë personal”. Në praktikë, ai përfaqëson një zgjerim të dokumenteve tona të identifikimit, por edhe informacion të grupuar rreth nesh që ekziston në internet dhe mund të ofrojë një përfaqësim digjital për ne si individë.
Llojet e ndryshme të identiteteve digjitale
Ne mund ta vërtetojmë identitetin tonë në internet në disa mënyra. Kjo zakonisht përfshin lloje të ndryshme të informacioniz në varësi të platformës që përdorim ose të nivelit të shërbimeve që duam t’i marrim.
Mund të flasim për dy lloje të identifikimit në internet që i njohim për çdo ditë:
- Identifikimi i besuar
- Identifikimi i butë (i lëkundshëm).
Lloji i parë zakonisht lëshohet nga ofruesit e besuar të shërbimeve ose qeveritë. Besueshmëria e tyre është e lartë dhe ato janë prova jonë se ne jemi pikërisht ai individ në sistem, duke na lejuar të përdorim shërbimet e qeverisjes elektronike, shërbimet e biznesit, transaksionet financiare, etj.
Për formën tjetër të identifikimit, ne nuk kemi nevojë për identifikimin tonë të qeverisë për të fituar qasje në llogaritë tona të e-mail-it ose të mediave sociale, për shembull. Ne i përdorim kredencialet që janë unike për ne, si p.sh. emrin e llogarisë dhe fjalëkalimin për të fituar qasje në profilet tona dhe për t’i përdorur ato më tej. Dallimi kryesor midis këtyre dy llojeve të identifikimit qëndron në sigurinë dhe besueshmërinë e tyre, pasi identifikimi i butë është më i prirur ndaj shkeljeve të të dhënave, sulmeve kibernetike, vjedhjeve të identitetit dhe llojeve të tjera të rreziqeve që janë në pritje për sulm në internet.
Identifikimi elektronik dhe Ballkani Perëndimor
Sipas Bashkimit Evropian, identiteti digjital (elektronik) është një “mjet që njerëzit të provojnë në mënyrë elektronike se janë ata që thonë se janë dhe kështu të kenë qasje në shërbime. Identiteti lejon që një subjekt (qytetar, biznes, administratë) të dallohet nga çdo subjekt tjetër”. Shpjegohet se, kur shihet identiteti elektronik, një individ zakonisht është i përfshirë në “sektorë të shumtë (p.sh. taksat, sigurimi social, arsimi, shërbimet e telefonisë, shërbimet bankare) dhe gjithashtu shpesh kryen role të ndryshme (p.sh. nëpunës civil, avokat ose baba)”, kështu që të dhënat që lidhen me atributet e tyre unike duhet të qasen në mënyrë të pavarur, por gjithashtu duhet të mbështeten nga një kornizë adekuate legjislative, veçanërisht në aspektin e mbrojtjes së të dhënave dhe se si ne mund të menaxhojmë dhe kontrollojmë individualisht të dhënat tona si qytetarë.
Kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, jo shumë vende kanë filluar zbatimin e letërnjoftimeve elektronike (eID). Në fakt, Mali i Zi është aktualisht i vetmi vend që ka implementim të plotë të sistemit për sa i përket ofrimit të eID-ve (që nga viti 2020), por fatkeqësisht nuk janë zhvilluar shumë shërbime për të cilat mund të përdoren këto ID elektronike. Sipas Ministrisë së Administratës Publike dhe Ministria së Punëve të Brendshme të Malit të Zi, ID-të e reja (elektronike) duhet të ofrojnë qasje të lehtë në shërbimet elektronike, por ata e pranojnë se niveli i ulët i informacionit për përdorimin e ID-ve elektronike është një nga pengesat më të mëdha për përdorimin më të gjerë të eID-ve. Nga ana tjetër, sipas Raportit të Observatorit të Agjendës Digjitale të Malit të Zi për vitin 2022, të dhënat nga fokus grupi që teston aktivizimin dhe përdorimin e eID-së e gjetën atë të vështirë, dhe jo për “nivelin mesatar të aftësive të qytetarëve”, megjithëse janë ofruarudhëzues me shkrim për përdorim.
Tema e identifikimit elektronik dhe pyetja a mund të kemi shërbime elektronike cilësore pa identitet digjital u trajtua gjatë Dialogjeve Rajonale për Agjendën Digjitale, të organizuar në qershor të vitit 2022, ku përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile u mblodhën për të shkëmbyer njohuri dhe për të folur për sfidat dhe zgjidhjet e kësaj çështjeje aktuale në rajon, si dhe për nevojën për përmirësimin e mëtejshëm të qasjes së qytetarëve në shërbimet publike elektronike.
Kur bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut, qytetarët mund të marrin një sasi të caktuar të shërbimeve elektronike të cilat nuk janë plotësisht të digjitalizuara, përmes portalit kombëtar të shërbimeve elektronike. Për t’i përdorur shërbimet elektronike, ata fillimisht duhet të regjistrohen me sistemin “Single Sign-On” (SSO) duke futur emrin e përdoruesit (adresën e e-mail-it) dhe fjalëkalimin, duke formuar kështu profilin e tyre SSO. Për më tepër, gjatë procesit të regjistrimit kryhen disa kontrolle për të lidhur profilin e tyre SSO me identitetin e tyre. Kosova e lëshoi në përdorim portalin e shërbimeve elektronike eKosova, i cili në vitin 2022 kishte rreth 676.000 përdorues të regjistruar, dhe qytetarët mund të shkarkojnë lloje të ndryshme të certifikatave, si p.sh. çertifikatat e lindjes.
Në Shqipëri, nga 1 maji i vitit 2022, qeveria vendosi të kalojë plotësisht online, dhe nëpërmjet portalit e-Albania (portal i qeverisë), ata filluan prodhimin e certifikatave të para elektronike ose të vulosura në mënyrë digjitale, si dhe ofrojnë një vulë elektronike në dokument që vërteton se është dokument nga një subjekt qeveritar. Përkundrazi, në Serbi, një kartë ID biometrike përdoret për t’u regjistruar në portalin qeveritar, dhe megjithëse niveli i digjitalizimit është përshpejtuar dukshëm për shkak të vullnetit politik për t’u fokusuar në transformimin digjital, përfaqësuesit e sektorit qytetar thonë se portali uprava.rs nuk është i përshtatshëm për përdoruesit dhe se është e vështirë për t’i përdorur shërbimet në dispozicion, kurse shërbimet e dëshiruara nuk mund të gjenden lehtësisht.
——————————————————————————————————————————————
Ky tekst edukativ është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Projekti “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA” zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerët për Ndryshim Demokratik (Serbi), OJQ 35mm (Mali i Zi) dhe ODK – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.
Ndaje: