Fondacioni për internet dhe shoqëri – Metamorfozis e mbështet procesin e miratimit të një Strategjie Kombëtare për TIK 2021-2025 me Planin shoqërues aksional, gjithëpërfshirës dhe afatgjatë, i cili do të sigurojë identifikim më efikas të fushave prioritare në sektorin e TIK-ut dhe do ta përgatisë Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) për një të ardhme gjithëpërfshirëse dhe të shkathët digjitale. Fokusi kryesor i Strategjisë dhe i Planit Aksional është përballja me sfidat e imponuara nga nevoja në rritje për lidhje në shoqëri, forcimi i konkurrencës dhe mundësimi i jetës më të zgjuar të përditshme të qytetarëve dhe bizneseve.

Duke u bazuar në përvojat e tij të mëparshme dhe ekspertizën e specializuar të zhvilluar përmes projekteve dhe iniciativave, Strategjia Kombëtare për Zhvillimin e Shoqërisë Informatike (2004-2005), Siguria në internet (2007-deri më tani), Kultura e Lirë – Creative Commons, Qasja e hapur në përmbajtjet akademike dhe Rrjetin Evropian Komunia (2007-deri më tani), hulumtimi Përdorimi i kompjuterëve në arsim (2010), Burimet e hapura arsimore (2012-deri më tani), Mendim kritik për qytetarët me aftësi mediatike – Krithik (2018-deri më tani), Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA (2020-deri më tani) dhe një numër aktivitetesh të tjera të mëparshme dhe aktuale, ekipi i Fondacionit për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis në bashkëpunim dhe konsultim me ekspertë të jashtëm bëri disa analiza të shkurtra tematike të Propozim-tekstit të Strategjisë Kombëtare për TIK 2021-2025, me Planin shoqërues aksional, nga disa aspekte kryesore, duke përfshirë:

Analizat e shkurtra tematike janë dhënë më poshtë, dhe për t’i shkarkuar ato në pajisjen tuaj digjitale, mund të klikoni në temat e mësipërme.

 

Rekomandimet për Propozim-Strategjinë Kombëtare të TIK-ut 2021-2025 dhe Planin aksional shoqërues në lidhje me të drejtën për privatësi

(rekomandimet janë dhënë në kontekstin e zbatimit të Ligjitpër Mbrojtjen e të Dhënave Personale (Gazeta Zyrtare e RMV nr.42/20) dhe Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR–General Data Protection Regulation 2016/679)

 

  • Në procesin e forcimit të kapaciteteve të TI-së të institucioneve, përveç profesionistëve të TI-së, një burim kyç njerëzor që duhet planifikuar seriozisht është edhe Zyrtari për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Roli i Zyrtarit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është ngritur në një nivel më të lartë ku ekspertiza dhe pavarësia janë në radhë të parë. Për të siguruar efikasitet në përmbushjen e detyrimeve, institucionet janë të detyruara të sigurojnë që Zyrtari për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të përfshihet në mënyrë adekuate dhe në kohë në të gjitha çështjet që lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale dhe t’i ofrojnë atij/asaj mbështetje në kryerjen e detyrave, duke ia siguruar të gjitha burimet e nevojshme dhe qasje në të dhënat personale dhe operacionet e përpunimit.
  • Kur përcaktohet infrastruktura e qendrës qendrore të të dhënave të sigurta, veçanërisht në pjesën e shkarkimit të të gjitha aplikacioneve të të gjitha ministrive, agjencive, institucioneve, universiteteve dhe spitaleve, duhet të kihet parasysh se një numër i madh i aplikacioneve ekzistuese nuk i kanë të përfshira parimet për mbrojtjen e të dhënave personale. Çdo institucion që ka një aplikacion përmes të cilit përpunohen të dhënat personale duhet ta analizojë atë, ta vlerësojë atë dhe ta harmonizojë në mënyrë të detyrueshme funksionalitetet e tij me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale para se ta dorëzojë atë në qendrën e të dhënave. Koleksionet, aplikacionet dhe mjetet e tjera elektronike e paharmonizuara të të dhënave personale mund ta dobësojnë më tej sistemin e sigurisë dhe të mbrojtjes së të dhënave personale, dhe kështu ta rrezikojnë sigurinë e vetë qendrës qendrore të të dhënave.
  • Ekziston një ndryshim thelbësor midis e-shërbimeve të institucioneve, të cilat janë një mënyrë alternative e marrjes së shërbimit (e jo shërbim shtesë të cilin qytetarët nuk do të mund ta merrnin ndryshe) dhe të atyre shërbimeve që janë të disponueshme për qytetarët vetëm në mënyrë elektronike (dhe të njëjtët qytetarët nuk mund t’i marrin në ndonjë mënyrë tjetër). Kjo është një çështje kryesore që duhet të merret parasysh patjetër në centralizimin e ofrimit të e-shërbimeve. Për shërbimet që janë të disponueshme për qytetarët vetëm në mënyrë elektronike, parimet e “vetëm një herë” dhe të përzgjedhjes së kanalit do të duhet të rishikohen dhe të rivlerësohet zbatimi i tyre.
  • Miratimi i një strategjie komunikimi dhe planifikimi i aktiviteteve promovuese nuk duhet të detyrohen para se të kontrollohet më parë nëse shërbimet elektronike ekzistuese mbështeten nga Politikat e Privatësisë, nëse respektohen të gjitha parimet për mbrojtjen e privatësisë në ofrimin e shërbimit elektronik dhe nëse institucionet kanë përcaktuar mënyrën dhe kanalet përmes të cilave qytetarët mund të kërkojnë ushtrimin e së drejtës së tyre për privatësi.
  • Qeveria duhet të sigurojë që puna e secilës ministri, organ, institucion, ndërmarrje publike që ofron shërbime elektronike është në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Kjo veçanërisht për faktin se parimi i Sigurisë sipas dizajnit i referohet shërbimeve, mjeteve, aplikacioneve të reja, e jo atyre ekzistuese të cilat pritet të ripërkufizohen në përputhje me parimet e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
  • Qeveria duhet të sigurojë se çdo institucion që ofron shërbime elektronike t’i respektojë parimet e “ligjshmërisë, drejtësisë dhe transparencës”; “kufizimit të objektivave”; “vëllimit minimal të të dhënave”; “saktësisë”; “kufizimi të periudhës së ruajtjes”; “integritetii dhe konfidencialitetii” dhe “llogaridhënies”.
  • Në kontekstin e krijimit të një Qendre për internet më të sigurt për fëmijët, Qeveria duhet ta mbështesë procesin e transpozimit të Direktivës (BE) 2016/680 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit mbi mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin e të dhënave personale nga autoritetet kompetente me qëllim të parandalimit, hetimit, zbulimit ose ndjekjes së veprave penale ose për zbatimin e sanksionet penale dhe për lëvizjen e lirë të këtyre të dhënave, e cila siguron përdorimin e mjeteve teknologjike nga policia që nuk e cenojnë privatësinë. Kjo Direktivë është dispozita e dytë kryesore, përveç Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave Personale (GDPR) në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, e cila duhet të jetë pjesë e legjislacionit kombëtar.
  • Gjatë krijimit të e-shërbimeve ose mjete të reja, veçanërisht për shërbimet për ofrimin e të cilave nuk ka asnjë procedurë të përcaktuar ligjore (siç është, për shembull, StopCorona, vakcinacija.mk, TVSH-ja IME), Qeveria duhet t’i mbështesë institucionet në procesin e kryerjes së analizave dhe vlerësimit të ndikimit të privatësisë, si një hap i parë i detyrueshëm para se të merret vendim për ta krijuar e-shërbimin ose mjetin.
  • Marrëdhënia midis Qeverisë dhe subjekteve të tjera duhet të përcaktohet qartë dhe duhet të dihet se cili subjekt në çfarë momenti shfaqet në rolin e përpunuesit të të dhënave personale, përdoruesit të të dhënave personale ose të palës së tretë. Kjo marrëdhënie duhet të rregullohet me marrëveshje të veçanta midis institucioneve, të cilat kanë të bëjnë ekskluzivisht me sigurimin e masave për mbrojtjen e të dhënave personale.
  • Qeveria duhet të miratojë një metodologji për zbulimin, raportimin dhe korrigjimin e incidenteve të sigurisë që lidhen me shkeljet e sigurisë së të dhënave personale të qytetarëve gjatë përdorimit të e-shërbimeve ose mjeteve. Me këtë rast, qasja e sërishme në të dhënat që i janë nënshtruar incidentit duhet të sigurohet pa përjashtim.
  • Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AMDhP) duhet të përfshihet në mënyrë aktive në zbatimin e strategjisë së TIK-ut. Përveçse është një qendër burimore e njohurive dhe praktikave, AMDhP-ja do të duhet të japë mendimin, miratimin dhe udhëzimin e saj në një numër aktivitetesh, kështu që përfshirja e tyre është thelbësore për të siguruar një proces që do ta mbështesë zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në çdo aspekt.

 

Rekomandimet për Propozim-Strategjinë Kombëtare të TIK-ut 2021-2025 dhe Planin aksional shoqërues në lidhje me mundësinë e përdorimit nga ana e personave me aftësi të kufizuara

Në periudhën nga 1 korriku deri më 12 korrik 2021, një analizë e detajuar e aksesueshmërisë së personave me aftësi të kufizuara u krye në zbatimin e strategjive të përfshira në Propozim-Strategjinë Kombëtare për TIK 2021-2025 dhe Propozim-Planin Aksional të Strategjisë Kombëtare për TIK 2021-2025 nga një person me aftësi të kufizuara fizike. Analiza zgjati 8 ditë pune, me ç’rast u përfshinë të gjitha elementet e përfshira në Propozim-Strategjinë Kombëtare për TIK 2021-2025 dhe Propozim-Planin Aksional të Strategjisë Kombëtare për TIK 2021-2025.

Analiza përfshiu disa lloje të aftësive të kufizuara të pranishme në popullatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë personat me dëgjim të dëmtuar pjesërisht ose plotësisht, personat me shikim të dëmtuar pjesërisht ose plotësisht dhe personat me aftësi të kufizuara fizike ose mendore.

Gjatë analizës, u ngritën disa pyetje dhe vërejtje në lidhje me nevojat dhe mundësitë e njerëzve me aftësi të kufizuara dhe adresimin e nevojave të tyre specifike.

Në pjesën e “Forcimit të programeve mësimore të TIK -ut në sistemin arsimor”, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) pohon se do t’i drejtojë përpjekjet e saj për zhvillimin e ngjarjeve të TIK-ut dhe panaireve për orientim në karrierë në mënyrë që të tërheqë sa më shumë studentë në sektorin e TIK-ut. Mirëpo, këtu lind pyetja a i merr qeveria parasysh personat me aftësi të kufizuara në përpjekjen për të tërhequr studentë në sektorin e TIK-ut?

Nëse marrim parasysh sistemin aktual të arsimit digjital në sektorin e TIK-ut, mund të thuhet se ai nuk është i arritshëm sa duhet për shumicën e njerëzve me aftësi të kufizuara dhe është një lloj diskriminimi sepse i privon këta njerëz nga mundësia për përparim dhe digjitalizim, veçanërisht në këtë sektor.

Për të arritur qëllimin e Qeverisë së RMV-së dhe për të përfshirë personat me aftësi të kufizuara në strategjinë për tërheqjen e më shumë studentëve në sektorin e TIK-ut, është e nevojshme të bëhen ndryshime thelbësore në digjitalizimin e sistemit arsimor që njerëzit me lloje të ndryshme të aftësisë së kufizuar të jenë në gjendje të kenë qasje të pavarur në të gjitha mjetet digjitale, pavarësisht nga nevojat e tyre specifike.

Në këtë drejtim, nisma “për të siguruar qasje të lehtë në shërbime për të gjitha kategoritë e përdoruesve, duke përfshirë të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara, si dhe verifikimin e vazhdueshëm të përputhshmërisë së dizajnit të ueb-faqes publike me udhëzimet dhe teknologjitë adaptive të Iniciativës për qasje në ueb është në një drejtim të mirë. Rrjedhimisht, rekomandohet rishikimi i ueb-faqeve ekzistuese të institucioneve shtetërore dhe e-shërbimeve/mjeteve digjitale që ato i ofrojnë në të gjitha fushat, si dhe përshtatja e tyre me nevojat e personave me aftësi të kufizuara për t’u mundësuar atyre pjesëmarrje në mënyrë aktive dhe të informuar në proceset shoqërore.

Çështja e përmendur më parë nuk u shpjegua fare në asnjë aspekt të digjtalizimit arsimor për personat me aftësi të kufizuara në Propozim-Strategjinë Kombëtare për TIK 2021-2025 dhe Propozim-Planin Aksional të Strategjisë Kombëtare për TIK 2021-2025.

Pyetja tjetër që u hap gjatë analizës kishte për qëllim ADMV-në ose “Agjencinë Digjitale të Maqedonisë së Veriut”. Qeveria e RMV njofton se do të krijojë, përmes një procedure zyrtare ligjore, një Agjenci Qendrore Digjitale, e cila do të jetë një mundësi e re për krijimin e vendeve të reja të punës.

Nëse agjencia formon një ekip shumë të kualifikuar nga sektori privat dhe publik dhe ofron një mjedis dhe përvojë moderne, tërheqëse të punës, pyetja është nëse ajo do të përshtatet dhe do të vihet në dispozicion për personat me aftësi të kufizuara, të cilët do të ishin të kualifikuar për një pozicion të caktuar në ADMV.

Gjatë analizës, u vu re se Propozimi nuk thekson mundësinë e zbatimit të gjithëpërfshirjes në vendin e punës ku njerëzit me lloje të ndryshme të aftësisë së kufizuar do të kishin të njëjtat mundësi për avancim dhe punë të pavarur si edhe bashkëpunëtorët e tyre.

Pas kryerjes së kësaj analize, u përcaktua se nevojat e personave me aftësi të kufizuara nuk janë mbuluar sa duhet në Propozim-Strategjinë Kombëtare për TIK 2021-2025 dhe në Propozim-Planin Aksional të Strategjisë Kombëtare për TIK 2021-2025 të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo çon në diskriminim dhe ndarje sistematike dhe bie ndesh me parimet dhe synimet reciproke të Qeverisë së RMV-së.

 

 

Rekomandimet për Propozim-Strategjinë Kombëtare të TIK-ut 2021-2025 dhe Planin aksional shoqërues në lidhje me përfshirjen (inkluzionin) digjital

(rekomandimet janë dhënë në bazë të Observatorit të Agjendës Digjitale – Raport mbi situatën aktuale dhe udhërrëfyes për avancimin e Agjendës Digjitale në Maqedoninë e Veriut të vitit 2020 dhe të vitit 2021, dhe në kontekstin e përfshirjes (inkluzionit) digjitale)

 

  • Edhe pse po bëhen përpjekje për vendosejen e të gjitha shërbimeve elektronike nga institucionet Portalin kombëtar të shërbimeve elektronike (Portali), disa shërbime elektronike ofrohen në mënyrë të pavarur nga institucionet. Rekomandohet që të gjitha e-shërbimet shtetërore të ofruara nga institucionet në nivel kombëtar dhe lokal, të jenë të centralizuara në një vend, gjegjësisht të ofrohen përmes Portalit. Pastaj, në kuadër të Portalit këshillohet të sigurohet një databazë e unifikuar me të gjitha të dhënat për shërbimet elektronike (informata mbi numrin e përdoruesve të regjistruar të ndara sipas personave juridikë dhe individë, informata mbi shërbimet më të kërkuara ose më të përdorura nga qytetarët dhe kompanitë, informata mbi numrin e e-shërbimeve të ofruara, të dhëna që rezultojnë nga matja e kënaqësisë së klientit, etj.). Kjo bazë të dhënash mund të përdoret më tej nga institucionet, shoqëria civile, komuniteti i biznesit, etj. sa i përket vendimmarrjes, krijimit të hulumtimeve dhe strategjive të detajuara, si dhe krijimit të zgjidhjeve inovative të TI-së.
  • Iniciativa ADMV (Agjencia Digjitale e Maqedonisë së Veriut) gradualisht do të fusë shërbime të kompletuara për përdoruesit e fundit për ngjarjet kryesore të jetës duke e integruar ofrimin e shërbimeve nga pronarë të ndryshëm të të dhënave, duke përdorur Kornizën ekzistuese të ndërveprimit. Deri në fund të vitit 2025, të paktën pesë shërbime të tilla do të jenë funksionale”, që është një hap i madh në drejtim të mirë. Paralelisht me këtë, rekomandohet të krijohet një plan tranzicioni, gjegjësisht digjitalizim i plotë i shërbimeve saktësisht të caktuara, me afate të përcaktuara saktësisht, në të cilat opsioni për ta marrë atë shërbim në sportel do të kufizohej gradualisht, drejt heqjes së tij të plotë. Në të njëjtën kohë, është e nevojshme të jepet mbështetje intensive për qytetarët në këtë drejtim.
  • Gjatë futjes në përdorim të inovacioneve, rekomandohet që institucionet të përpiqen të sigurojnë qëndrueshmërinë dhe praktikën e tyre pas një periudhe të caktuar kohore, dhe për këtë arsye duhet të sigurohet kujdes adekuat për funksionalitetin e tyre vazhdueshëm. Në këtë drejtim, është e nevojshme të forcohet bashkëpunimi me sektorin civil në fushën e “Hulumtimit dhe inovacioneve”.
  • Në lidhje me ngritjen e vetëdijes për portalin e-Qeverisë dhe shërbimet elektronike, dhe angazhimin që “deri në vitin 2022 duhet të miratohet një strategji dhe plan veprimi koherent komunikimi, në mënyrë që të rritet dukshmëria e shërbimeve të disponueshme për qytetarët”, rekomandohet përfshirja e sektorit civil në krijimin e këtyre dokumenteve strategjike, i cili është një urë lidhëse midis qytetarëve dhe institucioneve, dhe që i kupton më së miri nevojat e qytetarëve. Për më tepër, rekomandohet që zbatimi i strategjisë të mbështetet nga një ekip i fortë marketingu për ta lehtësuar ndërgjegjësimin kolektiv për Portalin dhe kështu të zvogëlohet skepticizmi në lidhje me shërbimet elektronike. Në këtë drejtim, rekomandohet që Qeveria të caktojë një zëdhënës (spokesperson), i cili do të raportojë rregullisht për përparimin për sa i përket zbatimit të Agjendës Digjitale (AD) dhe aktiviteteve që lidhen me të, dhe të cilën qytetarët do ta njohin në këtë kontekst. Kjo është gjithashtu e nevojshme për të ngritur vetëdijen e publikut për përfitimet nga AD-ja, si dhe për ta sjellë atë më pranë qytetarëve. Në këtë drejtim, është e nevojshme të promovohen aktivitetet dhe bashkëpunimi nën ISA2, gjegjësisht rezultatet e zbatimit të AD-së të lidhen drejtpërdrejt edhe me anëtarësimin e ardhshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) në Bashkimin Evropian (BE);
  • Në drejtim të mirë është edhe angazhimi për forcimin e aftësive digjitale në hapësirat publike duke siguruar qasje në TIK (lidhshmëri, pajisje, por edhe burime njerëzore për të mbështetur popullatën) në infrastrukturën dhe hapësirat publike, duke e zhvilluar rolin e bibliotekave publike për të përmirësuar përfshirjen digjitale, menaxhimin e 18 klubeve të internetit në të gjithë vendin dhe hulumtimin mbi rolin që do ta ketë rrjeti i ardhshëm për një pikë shërbimesh, si dhe duke zhvilluar shërbime të TIK-ut në hapësirat publike në mënyrë që çdo qytetar i RMV të ketë në dispozicion mjete dhe mënyra për t’i përmirësuar aftësitë e tij digjitale. Në funksion të sigurimit të pajisjeve digjitale për kategoritë e cenueshme të njerëzve dhe mbledhjen dhe azhurnimin e pajisjeve digjitale për shpërndarje te personat që kanë të drejtë për një ndihmë të tillë, është e këshillueshme që të konsultohen nismat që e kanë kryer këtë rol vullnetarisht gjatë pandemisë së KOVID-19 (p.sh. Dhuro kompjuter) në kuptim të shkëmbimit të përvojave dhe mundësive për sinergji.
  • Lidhur me tejkalimin e hendekut digjital që ekziston midis një pjese të popullsisë dhe shoqërisë që tashmë jeton në botën digjitale, si dhe atyre që nuk zotërojnë asnjë pajisje digjitale, rekomandohet të sigurohet ngritja e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile dhe mediave për informimin dhe edukimin e qytetarëve për Agjendën Digjitale dhe përfitimet e saj. Organizatat e shoqërisë civile, si pika kryesore që punojnë drejtpërdrejt me qytetarët dhe tashmë janë të njohura me nevojat e tyre, mund të luajnë më tej rolin e shumëzuesve ku ata, me mbështetjen institucionale dhe financiare nga institucionet, do të jenë në gjendje të përhapin edukimin digjital të popullatës dhe të punojnë drejtpërdrejt me qytetarët në zhvillimin e aftësive të tyre digjitale.
  • Në kuadër të ngritjes së shkathtësive digjitale të të gjithë qytetarëve, duhet të planifikohet edhe zhvillimi i një programi arsimor në shumë nivele (fillor, i mesëm, i avancuar) që do të komunikoheshin në mënyrë të përshtatshme me moshën, aftësinë mendore dhe ekspertizën e qytetarëve nga të gjitha sferat. Përveç zhvillimit të aftësive digjitale përmes arsimit formal (parashkollor, shkollor, të mesëm, të lartë), është e këshillueshme që të krijohen edhe programe të mësimit gjatë gjithë jetës për t’i përfshirë qytetarët që nuk janë pjesë e arsimit formal.

Theksojmë se përfshirja digjitale duhet të evoluojë së bashku me evoluimin e teknologjive të reja, që do të thotë gjithashtu investim në zvogëlimin dhe heqjen e barrierave historike, institucionale dhe strukturore për qasjen në dhe përdorimin e teknologjive.

Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis vazhdon të punojë në mënyrë aktive në fushën e avancimit të të drejtave të njeriut dhe llogaridhënies shoqërore, të cilat janë pjesë e angazhimeve strategjike të Fondacionit, dhe gjithashtu vazhdon ta analizojë Propozim-Strategjinë Kombëtare për TIK 2021-2025 me Planin shoqërues aksional për të paktën edhe një temë tjetër – barazinë gjinore.

Ndaje: