Më 9 korrik, në Impact Hub Beograd (Serbi), CRTA dhe partnerët e projektit ICEDA organizuan ngjarjen rajonale “Dialogje mbi Agjendën Digjitale: “Inteligjenca artificiale dhe algoritmet në e-shërbimet qeveritare”, e cila gjithashtu u transmetua edhe në internet.

Ngjarja kishte për qëllim të inicojë diskutim mbi mundësitë dhe sfidat e përdorimit të inteligjencës artificiale (AI) në shërbimet publike. Trendi sipas të cilit algoritmet i kryejnë detyrat në vend të njerëzve është gjithnjë e më shumë pjesë e operacioneve qeveritare, madje edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Algoritmet “fshehurazi” drejtojnë shumë procese në prapavijë, dhe shpesh publiku i gjerë nuk ka njohuri për këto procese, gjë që sjell një efikasitet të jashtëzakonshëm. Megjithatë, një qeverisje e tillë mund të jetë e rrezikshme sepse algoritmet mund të marrin vendime të njëanshme, e madje edhe të dëmshme, ndërsa kornizat e përgjegjësisë shpesh mungojnë. Për këtë arsye, ngjarja do t’i shqyrtojë algoritmet në e-shërbimet qeveritare në Serbi dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Folës në këtë ngjarje ishin përfaqësues të rëndësishëm të institucioneve dhe përfaqësues të OSHC-ve nga vendet e synuara të Ballkanit Perëndimor, gjegjësisht: Albert Aliu, Global CT (Kosovë), Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), z. Drazhen Vujoviq, Qeveria e Malit të Zi (Mali i Zi), znj. Ersila Qeramixhiu, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (Shqipëri), znj. Jelena Kociç, Shoqata Serbe për IA (Serbi), z. Kosta Petrov, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (Maqedonia e Veriut), znj. Misha Bojoviq, studiuese e Lartë në CRTA (Serbi).

 

Në fjalën e tij hyrëse, Bardhyl Jashari tha se rajoni nuk ka shumë probleme me lidhjen e internetit sepse shumica e popullatës ka pajisje digjitale dhe internet. Megjithatë, ai theksoi – “Ne disi mbetemi prapa kur bëhet fjalë për mënyrën se si shërbimet e zhvilluara për qytetarët i marrin parasysh prioritetet e qytetarëve, e jo vetëm prioritetet e qeverive dhe të bizneseve”. Ai theksoi se IA duhet të rregullohet në mënyrë strategjike, duke u përqendruar në të drejtat e njeriut dhe integritetin me rregullore specifike që do të ndalojë abuzimin dhe modelet joetike të sjelljes.

Në terma të thjeshtë, Jelena Kociq e përshkroi IA si “një fushë e inxhinierisë softuerike që synon t’u ndihmojë njerëzve t’i kryejnë më mirë detyrat e tyre me automatizëm”, që mund të ndihmojë në një larmi procesesh duke filluar nga vendimmarrja e deri te automjetet e automatizuara. Ajo vazhdoi të japë shembuj të veçantë të përditshëm se ku përdoret IA, të tilla si filtri për e-mailat e padëshiruar (spam) në e-mail (ky proces dikur ishte manual, por tani është i automatizuar), njohja e fytyrës, njohja e emocioneve dhe në disa qytete algoritmet për distancimin social zbatohen në masën që kamerat e rrugës mund të zbulojnë çdo shkelje të rregullit për distancim social.

Aleksandar Linç ndau informacion në lidhje me Strategjinë për IA të Serbisë dhe nevojën që Qeveria dhe i gjithë komuniteti t’i zhvillojnë në mënyrë strategjike aftësitë e tyre të IA. Ai e theksoi rëndësinë e qendrave të të dhënave dhe vetë të dhënave, të cilat janë gjithashtu të përfshira në këtë strategji, si kyçe për zhvillimin e çdo lloj analize, algoritmeve të shkencës së të dhënave ose të mësuarit e makinës dhe produkteve të inteligjencës artificiale. Sipas Linç-it, qeveritë duhet t’i kenë të dhënat e tyre në formë digjitale si një formë që kompjuterët mund ta përpunojnë, e cila më tej mundëson që shumë procese të automatizohen (e-shërbimet qeveritare, zgjidhje inovative nga “start-up”-et, etj.).

Për shkak se njerëzit gjenerojnë mijëra të dhëna në ditë, të cilat nuk përdoren si duhet ose nuk përdoren fare, kishte një pyetje se si qeveritë duhet të përfitojnë më shumë nga ato të dhëna ose si të bëjnë dallimin midis të dhënave të rëndësishme dhe të parëndësishme. Linç këshilloi që qeveritë duhet të krijojnë fitore të vogla – t’i përdorin grupe ekzistuese të të dhënave dhe të ndërtojnë zgjidhje inovative duke u bazuar në to, së bashku me sektorin e biznesit, institucionet akademike dhe aktorët e tjerë të rëndësishëm. Për shkak se të gjithë këto palë të interesuara e sjellin ekspertizën dhe përvojën e tyre në proces, i gjithë procesi duhet të menaxhohet ose të drejtohet nga një subjekt i interesuar dhe për këtë arsye ai angazhohet për futjen e pozicionit të “zyrtarit kryesor digjital” si pjesë e Qeverisë, gjegjësisht një person i cili duhet të jetë përgjegjës për krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm për këtë.

Kosta Petrov deklaroi se Maqedonia e Veriut është në një fazë të hershme të IA-së. Për shkak se punojnë për të krijuar Strategjinë e Inteligjencës Artificiale për vendin, ai tha se një nga pengesat është ajo se qeveria nuk ka strategji të qartë digjitale. Ai përmendi se ata janë në fazën përfundimtare të krijimit të një grupi pune dhe pritshmëria e tyre në 6-12 muajt e ardhshëm është të kenë një “strategji praktike për IA, e përqendruar kryesisht në shërbimet qeveritare”. Ai vuri në dukje se IA është shumë e rëndësishme në vendet në rajon ku ka një mungesë profesionistësh të trajnuar mirë në administratë, njerëzit ende duhet t’i marrin dokumentet e tyre fizikisht dhe ka shumë burokraci. Kështu, qëllimi i tyre është ta bëjnë jetën më të lehtë për qytetarët duke siguruar qasje më të shpejtë dhe më efikase në të dhënat dhe shërbimet qeveritare, si dhe hapësirë për informacione kthyese nga qytetarët për qytetarët. Ai gjithashtu përmendi se ndërkohë ata janë duke punuar në një projekt pilot “Asistenti digjital IA” për programet e ndihmës shtetërore, i cili do t’u mundësojë kompanive të dorëzojnë një formular për të parë se për çfarë ndihme janë të kualifikuar. Për më tepër, ata planifikojnë ta kopjojnë këtë sistem në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale me fokus në përfitimet sociale, në Ministrinë e Shëndetësisë të përqendruar në monitorimin e sëmundjeve dhe përhapjen e sëmundjeve, në Ministrinë e Punëve të Brendshme për parandalimin e veprave penale dhe rekomandime për praninë optimale të policisë, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, e përqendruar në arsimin e personalizuar, etj. Qëllimi i tyre është që të kenë robotë për bisedë (chat-bots) në të gjitha zyrat e administratës qeveritare në 2 vitet e ardhshme. “Rajoni mund të jetë vonuar në lojë, por ajo që është me të vërtetë e rëndësishme është të punojmë kolektivisht, ta shkëmbejmë ekspertizën dhe në fund të ditës rajoni është i vogël, prandaj duhet të kemi një bashkëpunim të madh rajonal dhe me të vërtetë ta krijojmë këtë transformim që është shumë i nevojshëm”. – shtoi ai.

Albert Aliu foli për përfitimet nga përqindja e lartë e depërtimit të interneti, siç është në Kosovë. Ai theksoi se Kosova ka një qasje strategjike ndaj qeverisjes elektronike që nga viti 2008, e cila me të vërtetë e ka bërë jetën më të lehtë për pronarët e bizneseve, si dhe e ka zvogëluar burokracinë. Ata bënë një hulumtim në vitin 2011, të cilin e përsëritën në vitin 2019 me të njëjtat biznese, dhe panë një rritje të madhe në përdorimin e e-shërbimeve publike nga kompania dhe përmirësimin e qasjes së tyre në tregtinë elektronike. Aktualisht ata po krijojnë një sistem për menaxhim të mashtrimeve duke përdorur të mësuarit e makinës për të zbuluar mashtrimet në ueb-faqet për tregti elektronike dhe janë në fazat e fundit të krijimit të një zgjerimi për shfletuesin Chrome për të analizuar faqet e rrejshme në Kosovë, të cilin planifikojnë ta zgjerojnë në të gjithë rajonin.

Drazhen Vujoviq e ngriti çështjen e dukimit digjital të qytetarëve dhe ofruesve të shërbimeve si një çështje aktuale për ofrimin dhe përdorimin e e-inovacioneve, që momentalisht është shumë e theksuar në Malin e Zi. Përgjigja e Malit të Zi ndaj kësaj nevoje ishte të thjeshtonte plotësisht proceset dhe kështu t’i bënte shërbimet elektronike më të kuptueshme, por ata u përballën me çështjen e shtimit të reCAPTCHA në platformën e tyre të vaksinimit, që i hutoi edhe më shumë njerëzit. Të gjithë folësit ranë dakord se përgjigja për këtë pyetje është arsimi – nga mosha e re, deri në arsimin universitar, në programet e të mësuarit gjatë gjithë jetës nga qeveria ose bizneset, në mënyrë që të jenë në hap me përparimet teknologjike. Maqedonia e Veriut po punon me bizneset dhe sektorin e arsimit joformal për të siguruar kurse themelore për edukim digjital dhe inteligjencën artificiale, ndërsa qeveria e ka liruar plotësisht taksën për kurset e edukimit digjital. Petrovi përmendi se rrogat e ulëta për njerëzit me aftësi të TI-së janë një problem i madh, por me dhomat e TI-së ata po zhvillojnë një model të “out-sourcing”-ut për pozicionet kryesore të TI-së në Qeveri, në mënyrë që të sigurojnë qasje në një forcë punëtore shumë të kualifikuar për t’i zbatuar këto trende.

Albumi nga kjo ngjarje mund ta shikoni këtu.

Projekti “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në Agjendën digjitale – ICEDA” zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti realizohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

Ndaje: