Teknologjia duhet të përdoret për tua lehtësuar jetën qytetarëve, për t’i zvogëluar barrierat dhe për të ofruar qasje më të lehtë në shërbime. Për këtë duhet të sigurohen kushtet e nevojshme dhe të zhvillohen mjetet e duhura, por kjo gjë të bëhet njësoj për të gjithë qytetarët dhe saktësisht të gjendet një zgjidhje për nevojat e tyre, theksoi Millan Tançeski, drejtor i Qendrës për Inovacione Sociale “Blink 42- 41” nga Shkupi, në sesionin e tretë të Konferencës ndërkombëtare “Transformimi digjital për qytetarët” që mbahet sot dhe nesër në format hibrid – fizikisht në hotelin “Meriot” në Shkup dhe online përmes platformës “Zoom”, njofton Meta.mk.

Se si mund të bëhet kjo, pra të lehtësohet jo vetëm qasja në shërbime, por edhe komunikimi i qytetarëve me institucionet e pushtetit, e me këtë pjesërisht edhe zgjidhja e problemeve të tyre, përmes shembujve nga vendet e tyre, përveç Tanceskit, sqaruan edhe Marija Suziq nga Instituti për Zhvillim dhe Inovacion nga Serbia; Kristina Mihailloviq nga Shoqata “Prindërit” nga Mali i Zi; Antigona Uka nga Qendra Kosovare për Edukim në Distancë, si dhe Francesca Muço nga Rrjeti i Profesionistëve të Rinj nga Shqipëria.

Procedura më e përhapur që është digjitalizuar ose që duhet të digjitalizohet në vendet e Ballkanit Perëndimor është mbase regjistrimi i fëmijëve në kopshte dhe shkolla fillore. Millan Tançeski dhe Marija Suziq nga Serbia, si dhe Kristina Mihailloviq nga Mali i Zi folën për atë se si kjo është zbatuar pjesërisht ose duhet të zbatohet, si një nga qëllimet e projektit “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA”.

Konferenca Ndërkombëtare “Transformimi Digjital i Qytetarëve” e organizuar nga “Fondacioni Metamorfozis”
Konferenca Ndërkombëtare “Transformimi Digjital i Qytetarëve” e organizuar nga “Fondacioni Metamorfozis”, foto: Portalb.mk

Duke folur për platformën digjitale “mZaednica”, e cila funksionon në nivel të shërbimeve komunale, e zhvilluar nga Qendra për Inovacione Sociale “Blink 42-41” nga Shkupi”, Tançeski sqaroi se regjistrimi i fëmijëve në kopshte apo në shkolla është një nga gjërat që duhet t’i prezantojë kjo platformë. Tani ajo mundëson komunikimin dhe marrjen e shërbimeve në disa komuna dhe ideja është që të funksionojë në nivel të gjithë territorit të vendit.

Platforma apo zgjidhje të tilla në kuadër të ICEDA janë zhvilluar edhe në Serbi edhe në Mal të Zi.

Por pabarazia jo vetëm në aspektin e shërbimeve digjitale në nivel komunal, por edhe në nivel qendror është problem edhe në Serbi, edhe pse ky vend ka bërë hapa të mëdha në drejtim të shfrytëzimit të mundësive teknologjike. Disa zgjidhje këtu nuk janë përshtatur aq sa duhet për grupet e cenueshme dhe kjo duhet të tejkalohet, tha Marija Suziq, nga Instituti për Zhvillim dhe Inovacion.

“Të gjitha shërbimet nuk janë njëlloj të qasshme për të gjithë qytetarët, në disa komuna fëmijët mund të regjistrohen në kopsht me procedurë digjitale, në disa jo. Pastaj, realizimi i së drejtës së kompensimit për pushimin e lindjes herë mund të bëhet, herë jo. Qeveria duhet të ofrojë mbështetje më të mirë, shërbimet elektronike duhet të jenë të disponueshme për të gjithë”, theksoi ajo.

Në Malin e Zi, i cili ka numrin më të vogël të popullsisë nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe në Ballkan në përgjithësi, është tejkaluar një problem – tani për të marrë vërtetimin mjekësor që kërkohet gjatë regjistrimit të fëmijës në kopsht apo shkollë, prindërit nuk kanë më nevojë të shkojnë deri tek qendrat shëndetësore, por mund ta shkarkojnë atë me ndihmën e internetit dhe ta printojnë në shtëpi.

Edukimi digjital është një nga pengesat kryesore

Ndoshta pengesa kryesore sa i përket transformimit digjital të shoqërive është niveli i ulët i shkathtësive digjitale të qytetarëve dhe në këtë plan po punohet në Serbi dhe Mal të Zi, por edhe në Kosovë e Shqipëri e Maqedoni, përmes udhëzimeve në formë tekstuale apo si video leksione, shpjeguan disa nga pjesëmarrësit.

Edukimi digjital në Kosovë është i dobët jo vetëm te grupet e tjera të popullsisë, por edhe te studentët universitarë, theksoi Antigona Uka nga Qendra Kosovare për Edukim në Distancë.

“Është interesante se Kosova ka 98 përqind mbulim të territorit internet, që është përqindja më e lartë në Evropë. Kjo është një përparësi që duhet shfrytëzuar, por prandaj duhet të punohet në mjete që do të përdoren që në moshën parashkollore”, theksoi ajo.

Nevoja për zhvillimin e shkathtësive digjitale është e madhe edhe në Shqipëri, ku edhe pse ka një përqindje të lartë të qasjes së popullsisë në internet, trajnimi i pamjaftueshëm për mjetet digjitale e rrit edhe më shumë pabarazinë, theksoi Françeska Muço, sekretare e përgjithshme e Rrjetit të Profesionistëve të Rinj.

Konferenca u organizua si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjedën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerët për Ndryshime Demokratike Serbi (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe “Open Data Kosovo” (Kosovë).

Konferenca ndërkombëtare “Transformimi digjital për qytetarët” vazhdon edhe nesër në Hotel “Meriot” në Shkup dhe online përmes platformës “Zoom”. Konferenca do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen e projektit në Facebook.

Link deri tek origjinali: Digjitalizimi duhet t’i zvogëlojë barrierat dhe ta lehtësojë qasjen e qytetarëve në shërbime – PORTALB

Ndaje: