Me ftesë të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Milla Josifovska Danillovska, Menaxhere e programeve në Fondacionin Metamorfozis ishte folëse në tryezën e rrumbullakët me temën: “Digjitalizimi i administratës publike në kontekstin e integrimit evropian – avantazhet dhe sfidat” që u mbajt më 6 mars 2025 në Shkup.

Së bashku me Stanisllav Vasillkovskin nga Ministria e Transformimit Digjital dhe Valentin Fetaxhokoskin nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Josifovska Danillovska dha një pasqyrë të gjendjes së digjitalizimit të administratës publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga perspektiva e sektorit civil dhe institucioneve shtetërore.

Burimi: Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut

Sfidat kryesore në transformimin digjital

Josifovska Danillovska në prezantimin e saj theksoi se digjitalizimi nuk duhet parë vetëm si pjesë e procesit të integrimit evropian, por si një reformë themelore që do të sjellë përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve. Ajo vuri në dukje se e re Plani i Rritjes së BE-së përcakton detyrime dhe afate konkrete në fushën e digjitalizimit, të cilat shteti duhet t’i përmbushë për të siguruar progres të vazhdueshëm.

Josifovska Danillovska theksoi se sigurina kibernetike është një nga sfidat më të mëdha që kërkon, ndër të tjera, harmonizimin e legjislacionit me Direktivën NIS2, si dhe formimin dhe operacionalizimin e CERT-ve kombëtare dhe qeveritare në përputhje me standardet e BE-së, në mënyrë që të mundësohet një nivel i lartë i sigurisë kibernetike për mbrojtjen gjithëpërfshirëse dhe zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë.

Po ashtu, ajo theksoi se është i nevojshëm harmonizimi me Rregulloren për Identitetin Digjital të BE-së dhe eIDAS2, si dhe zbatimi i një sistemi të vetëm të menaxhimit të dokumenteve në të gjitha institucionet shtetërore. Josifovska Danillovska shtoi se pa ndërveprueshmëri (interoperabilitet), edukim digjital dhe shërbime elektronike funksionale, transformimi digjital nuk do të japë rezultate reale. Theks i veçantë u vu në rëndësinë e nevojës për Portofolin e Identitetit Digjital në përputhje me standardet e BE-së dhe nevojat e qytetarëve, me synimin për qasje të sigurt, të shpejtë dhe të unifikuar në shërbimet elektronike publike dhe private, duke lehtësuar njohjen ndërkufitare të dokumenteve digjitale dhe duke rritur besimin, sigurinë dhe efikasitetin në transaksionet digjitale të qytetarëve.

Burimi: Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut

Edukimi digjital dhe të dhënat e hapura – faktorë kyç për digjitalizim të suksesshëm

Josifovska Danillovska theksoi se edukimi digjital është një nga parakushtet për një transformim të suksesshëm digjital. Pa qytetarë dhe administratë publike me edukim digjital, digjitalizimi nuk do të japë rezultate efektive. Ajo theksoi se është e nevojshme qasje strategjike ndaj edukimi digjital, përmes arsimit formal dhe joformal, aktivitete edukative të përshtatura dhe fushatave masive për ngritjen e vetëdijes, në mënyrë që qytetarët t’i kuptojnë dhe t’i shfrytëzojnë përfitimet e digjitalizimit.

Lidhur me futjen në përdorim të zgjidhjeve të bazuara në inteligjencën artificiale në ofrimin e shërbimeve publike, Metamorfozis kreu një hulumtim mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në të drejtat e njeriut, duke analizuar rregulloret dhe standardet etike evropiane dhe ndërkombëtare. Josifovska Danillovska theksoi se para aplikimit të inteligjencës artificiale në sektorin publik, është e nevojshme të vendosen strategji dhe politika të qarta që do të sigurojnë që teknologjia të mos ndikojë negativisht në të drejtat e njeriut, sidomos gjatë vendimmarrjes së automatizuar. Ajo gjithashtu foli për rëndësinë e harmonizimit me Ligjin e BE-së për Inteligjencën Artificiale, miratimin e standardeve etike për krijimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, si dhe nënshkrimin dhe ratifikimin e Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për IA-në dhe të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Sundimin e Ligjit.

Përveç kësaj, ajo e theksoi rëndësinë e të dhënave të hapura për një transformim të suksesshëm digjital. Të dhënat e hapura nuk janë të rëndësishme vetëm për shkak të transparencës, por edhe për faktin se sistemet e bazuara në inteligjencën artificiale përmirësohen vetëm nëse kanë qasje në informatat dhe të dhënat përkatëse. Në këtë drejtim, ajo theksoi se është e nevojshme të miratohet dhe të zbatohet Ligji për të Dhënat e Hapura dhe Ripërdorimin e të Dhënave në Sektorin Publik në përputhje me Direktivën e BE-së për të Dhënat e Hapura (2019/1024/BE).

“Të gjitha këto procese i prekin drejtpërdrejt qytetarët. Prandaj, konsiderojmë se institucionet duhet të jenë të hapura për bashkëpunim me sektorin e shoqërisë civile, i cili ofron ekspertizë në mbështetjen e reformave dhe qasje për kategori të ndryshme qytetarësh – që nga faza e hartimit të politikave dhe zgjidhjeve, e deri te zbatimi dhe vlerësimi i tyre. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një ekosistem të fuqizuar digjitalisht që i shërben vërtet qytetarëve” – përfundoi Josifovska Danillovska.

Ndaje: