Goce Arsovski, Fondacioni Metamorfozis, foto: Printscreen

Niveli i vetëdijes së qytetarëve, shoqërisë civile, mediave, bashkësisë akademike, por edhe i vetë shteteve, për sistemet e vendimmarrjes automatike (VMA) dhe inteligjencës artificiale (IA) është i ulët dhe kjo duhet të ndryshojë pasi këto sisteme vazhdojnë të ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve. OShC-të duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe me autoritetet qeveritare për të diskutuar për përfitimet dhe rreziqet e këtyre sistemeve.

Kjo u tha, ndër të tjera, në seancën “Algoritmet, privatësia dhe siguria. “Të flasim për të drejtat e njeriut”, në kuadër të Konferencës së 17-të Ndërkombëtare”e-Shoqëri.mktë organizuar nga Fondacioni Metamorfozis, ku folën përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë ligjorë nga RMV-ja, Evropa dhe Amerika.

“Kur bëhet fjalë për përdorimin e VMA dhe IA, veçanërisht të VMA-së në përdorim zyrtar shtetëror, OSHC-të heshtin kryesisht për rreziqet, përfitimet dhe efektet anësore që mund të sjellë ky proces. Kjo mund të jetë për arsye të ndryshme, si mungesa e njohurive teknike profesionale për kontrollin e algoritmeve, mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare, e ndoshta edhe një ndjenjë e përgjithshme se kjo temë është “shumë teknike” dhe se i përket një numri shumë të vogël të palëve të interesuara, por mund të ketë edhe një ndjenjë të pamjaftueshmërisë për të komentuar zhvillimet dhe trendet e fundit”, tha Goce Arsovski nga Fondacioni Metamorfozis.

OShC-të mund të ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes për përdorimin e sistemeve të automatizuara të vendimmarrjes ose inteligjencës artificiale.

“Pajtohem se niveli i vetëdijes së publikut për VMA-në nuk është në nivelin e duhur. Organizatat donatore mund të ndihmojnë sepse ne punojmë me komunitete më të mbyllura në nivel lokal dhe ato mund të ndihmojnë duke ofruar shpjegime për publikun rreth qëllimit të përdorimit të VMA-së. Ata mund të japin grante për hulumtime në këtë fushë, ashtu si qeveritë që duhet të ofrojnë fonde të caktuara nga buxheti” – tha Ollga Kiriliuk, menaxhere e programeve teknike në Shoqatën e Avokatëve Amerikanë.

Orsolia Vinçe, eksperte ligjore në “K-Monitoring” në Hungari, tha se zyrtarët e qeverisë nuk ishin të njohur me procesin dhe se shoqatat nuk ishin të përfshira.

“Inteligjenca artificiale në thelb nuk njihet si temë për organizatat e shoqërisë civile, ne jemi organizatë kundër korrupsionit dhe më pas jemi përfshirë në këtë fushë. Kemi një koalicion të inteligjencës artificiale (IA) dhe disa janë pjesë e tij, por kemi gjithashtu një grup etike që punon në legjislacionin se si të rregullohen algoritmet. Kur bëhet fjalë për rregulloret për VMA, jemi pak vonë. Ajo që kemi mësuar nga studimi ynë është se zyrtarët shtetërorë nuk janë të vetëdijshëm për procesin”, theksoi Vinçe.

Krzysztof Izdebski, nga Fondacioni “Stefan Batory” në Poloni, foli për sistemin elektronik të shpërndarjes së lëndëve gjyqësore në Poloni, i cili është i ngjashëm me sistemin AKMIS që përdoret në RMV për shpërndarjen e lëndëve gjyqësore.

“Unë jam përpjekur të marr algoritmin e sistemit nga Ministria e Drejtësisë, fillimisht nuk e kanë dhënë, por më pas e fituam rastin dhe tani algoritmi është publikuar në faqen e Ministrisë së Drejtësisë. Njerëzit menduan se ky nuk ishte një sistem i hapur, dhe se mund të ishte një sistem manipulues. Për ne ekspertët ishte e rëndësishme t’u tregonim atyre se zbatimi i VMA-së ka ndikim në të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve. Domethënë, çdo vendimmarrje, duke përfshirë edhe VMA-në, duhet të jetë transparente” – theksoi Izdebski.

Të gjithë panelistët u pajtuan se organizatat e shoqërisë civile, pavarësisht nga fusha e tyre e veprimit, duhet të përfshihen në diskutimet për këtë çështje.

Ndryshe, dje u mbajt dita e dytë e konferencës së sivjetme “e-Shoqëri.mk”, e cila do të zgjasë 4 ditë.

Sot, në ditën e tretë të konferencës, do të mbahen dy trajnime me tema që kanë të bëjnë me sigurinë kibernetike dhe privatësinë. Trajnimi i parë nga ora 12 do të jetë në temën Siguria kibernetike – mitet e zakonshme, ndërsa trajner do të jetë Goce Arsovski.

“Duket se bota digjitale, e cila vazhdimisht zgjerohet, nuk e merr parasysh nivelin e edukimit digjital dhe përvojën e përdoruesve të sistemeve kompjuterike. Për më tepër, fushatat e dezinformimit, të cilat përdoren shpesh në politikë, kanë “nën-degën kibernetike” të tyre kur bëhet fjalë për sigurinë dhe privatësinë në internet. Ky trajnim do të fokusohet në mitet më të shpeshta dhe dezinformatat rreth kërcënimeve të zakonshme të sigurisë kibernetike dhe do të përpiqet të ofrojë zgjidhje për to” – thuhet në njoftimin e trajnimit.

Trajnimi i dytë i sotëm është “Si të ndërtohet një sistem i fortë dhe i qëndrueshëm për mbrojtjen e privatësisë”, ndërsa trajnuese do të jetë Elena Stojanovska.

Në njoftim thuhet:

 

Mbrojtja e të dhënave personale ose Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) është një term i përdorur shpesh tashmë një kohë të gjatë, por shumë njerëz e injorojnë ose nuk e kuptojnë vlerën e saj. Ky trajnim do të shqyrtojë Ligjin aktual për mbrojtjen e të dhënave personale dhe mekanizmat në Maqedoninë e Veriut nga perspektiva e OSHC-ve dhe qytetarëve. OShC-ve do t’u ofrohet njohuri dhe mbështetje për harmonizimin e tyre të plotë me detyrimet që i përcakton ligji. Sa i përket qytetarëve, ky trajnim do t’u ndihmojë ta kuptojnë Ligjin dhe fuqinë e (keq)përdorimit të të dhënave të tyre personale nga subjektet tjera, por edhe rreziqet e shkëmbimit të të dhënave personale të të tjerëve pa pëlqimin paraprak.

Të gjithë të interesuarit mund t’i ndjekin trajnimet duke u lidhur në linkun e platformës Zoom për këtë ngjarje, ose nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë në faqen e Fondacionit Metamorfozis në Facebook.

Ndaje: