Për herë të parë, Fondacioni Metamorfozis ndau çmimin e tij vjetor “Ilija Zhupanoski” për përballjen me dezinformatat në edicionin e 20-të të konferencës e-Shoqëri.mk.
Çmimin në kategorinë “Punimi më i mirë gazetaresk, përkatësisht punimi profesional i përgatitur nga organizata të shoqërisë civile dhe individë” e fitoi Instituti për Media dhe Analitikë IMA – Shkup për punimin profesional me një seri përmbajtjesh të ndërlidhura mes tyre, për që i referohen temës së njëjtë.
Bëhet fjalë për përmbajtjet: “’Propozimi francez’: Gjuhë e urrejtjes, dezinformatat, manipulimet mediatike” (analiza mediatike), analiza “Mediat dhe fushatat me dezinformata dhe gjuha e urrejtjes kundër barazisë gjinore dhe seksuale”, “Dezinformatat ruse dhe pro-ruse në Maqedoninë e Veriut: Analiza e narrativeve propaganduese dhe studime të rasteve” dhe “Ndryshimet kushtetuese në media: dezinformatat, manipulimet mediatike, gjuha e urrejtjes” (analiza) të përpunuara në emisionin televiziv “Poligraf” për ekspozimin e dezinformatave dhe lajmeve të pasakta. Autorë të projektit dhe të skenarit janë Petrit Saraçini dhe Zharko Trajanoski.
Në kategorinë “Përmbajtje edukative multimediale, e përgatitur nga të rinjtë e moshës nga 18 deri në 28 vjeç”, çmimin e fitoi gazetari Ardit Ramadani për videon e titulluar “Histeria mediatike për gjininë e Imane Helifit i ka rrënjët në Rusi, media, sërish, ranë në grackën e Rusisë”. Ky çmim ndahet për përmbajtje ku teknologjitë e informacionit dhe komunikimit janë përdorur në mënyrë kreative dhe inovative, për të arritur tek të rinjtë dhe për t’i edukuar ata për të forcuar rezistencën ndaj dezinformatave.
Gazetarja Vesna Kollovska, e cila fitoi mirënjohje për kontribut të veçantë për serialin edukativ “Dezinformatat dhe përhapja e teorive të konspiracionit”, tha se lufta kundër teorive të konspiracionit është një nga më të vështirat.
Çmimi për kategorinë e parë “Punimi më i mirë gazetaresk, gjegjësisht profesional” është 3.000 euro në kundërvlerë në denarë. Çmimi për kategorinë e dytë “Përmbajtje multimediale edukative e përgatitur nga të rinjtë e moshës nga 18 deri në 28 vjeç” është 1.000 euro në kundërvlerë në denarë.
Për ndarjen e çmimeve vendosi një komision i përbërë nga persona të shquar nga mediat dhe sfera publike: Katerina Bllazhevska, Dejan Donev, Arta Tahiri, Biljana Georgievska dhe Nazim Rashidi.
Çmimi mban emrin e Ilija Zhupanoskit, i cili ishte aktivist shoqëror për demokracinë dhe luftëtar aktiv kundër dezinformatave dhe kundër sulmeve hibride dhe kibernetike ndaj demokracive në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Ilija ishte bashkëpunëtori ynë, bashkëluftëtari ynë, i cili një pjesë të konsiderueshme të jetës së tij ia kushtoi kuptimit të efektit të dezinformatave dhe ndikimeve të huaja mbi proceset demokratike në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse për fat të keq na la shumë herë, puna e tij e palodhshme la gjurmë të pashlyeshme në shoqëri, kurse përpjekjet e tij do të vazhdojnë të jetojnë në të gjithë ne, që vazhdojmë të luftojmë kundër dezinformatave në mbrojtje të së vërtetës, gjegjësisht të ndërtojmë një shoqëri, në të cilën liria e fjalës është e pacenueshme”, deklaroi Drejtoresha e programeve në Fondacionin Metamorfozis, Dançe Danillovska-Bajdevska në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
Lexoni më shumë në Meta.mk
Ndaje: