Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medias – 3 maj, e cila mbahet për 28 vjet me radhë. “Fondacioni Metamorfozis” e uron këtë ditë për gazetarët, punonjësit e mediave dhe të gjithë aktivistët e lirisë së shprehjes të cilët angazhohen për respektimin e plotë të të drejtave të njeriut, njofton Portalb.mk.
Mediat e lira dhe profesionale luajnë rol kryesor në sigurimin e njohurive dhe zërit të qytetarëve, ekspozimin e korrupsionit dhe zhvillimin e një kulture kritike ku qytetarët kanë gjithnjë e më pak frikë të vënë në dyshim veprimet e autoriteteve dhe janë të autorizuar të marrin pjesë në proceset demokratike.
“Fondacioni Metamorfozis” është e qëndrimit se një shoqëri e informuar është thelbësore për të siguruar llogaridhënie si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.
Sipas matjeve të organizatës ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij”, liria e medias në vend është përmirësuar në vitet e fundit. Por ka ende shumë sfida për t’u kapërcyer.
Siç theksojnë “Reporterët pa Kufij” në raportin e tyre të fundit për vitin 2021, në Maqedoninë e Veriut, zyrtarë të lartë të qeverisë vazhdojnë të kërcënojnë dhe të fyejnë mediat, ndërsa ngacmimi kibernetik dhe sulmet verbale ndaj gazetarëve në mediat sociale po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.
“E gjithë kjo ka shërbyer për të forcuar kulturën tani më të rrënjosur të mosndëshkimit. Në të njëjtën kohë, pandemia e ka ndërlikuar raportimin,” thonë “Reporterët pa Kufij” mbi lirinë e medias në vend.
“Fondacioni Metamorfozis” prej kohësh i ka vendosur në pah pasojat negative që mund të rezultojnë nga fluksi i keqinformimit dhe nevoja për informacione të sakta, të verifikuara dhe të besueshme, të cilat gjatë pandemisë Covid-19 dëshmuan të ishin jashtëzakonisht të rëndësishme.
Hulumtimi i vitit të kaluar të “Fondacionit Metamofozis”, bazuar në të dhënat e disponueshme deri në fund të shkurtit 2020, i tregon rreziqet e mos vazhdimit të reformave në sektorin e medias.
Gjatë dekadës së kaluar, “Fondacioni Metamorfozis” ka zhvilluar një program të pasur mediatik, i cili vitet e fundit është zhvilluar në një pjesë të veçantë të punës së fondacionit i titulluar “Mediat për Demokraci.”
Qëllimi i programit është të sigurojë informim të saktë për publikun bazuar në fakte. Kjo e përfshin dhe punën në planin arsimor për arsimim mediatik dhe zhvillimin e mendimit kritik përmes të Krithink, si dhe mjetin për verifikimin e fakteve Vertetmatës.mk, i cili është anëtari i parë dhe i vetëm i Rrjetit Ndërkombëtar për Verifikimin e Fakteve. Gjithashtu, “Fondacioni Metamorfozis” është jashtëzakonisht i përkushtuar në raportimin e saktë dhe të verifikuar, analiza dhe vizualizimin e të dhënave përmes Agjencisë së Lajmeve, Meta.mk dhe portalit në gjuhën shqipe, Portalb.mk.
Ndaje: