Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve, në bashkëpunim me Zëvendëskryeministren, Sllavica Gërkovska, përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, dhe Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik, organizuan konferencën me temë: “Çfarë i intereson qytetarët? – Përmirësimi i sistemit për qasje të lirë në informatat me karakter publik”. Ngjarja u mbajt më 23 shtator 2022 në hotelin Panoramika, Shkup.

Përfaqësuesja e Fondacionit Metamorfozis, Marijana Jançeska, foli për Indekset e Hapjes në nivelin ekzekutiv dhe lokal, kriteret mbi të cilat bazohet Indeksi i Hapjes dhe rezultatet e matjeve të fundit.

Indeksi i Hapjes udhëhiqet sipas një kornize të parimeve që e rregullojnë sistemin e qeverisjes, i cili jep rezultate që i plotësojnë nevojat e shoqërisë duke i shfrytëzuar burimet në dispozicion në mënyrën më të mirë të mundshme:

(1) qasshmëria – e vlerëson shkallën në të cilën e drejta për qasje në informata garantohet nga ligji dhe në praktikë, si dhe cilësinë e mekanizmave për përfshirjen dhe konsultimin gjatë proceseve të hartimit të politikave;

(2) efikasiteti – e shqyrton përkushtimin e institucioneve për të mësuar nga proceset aktuale dhe për t’i përmirësuar ato përmes sistemeve të vendosura të monitorimit, vlerësimit dhe mësimit – duke përdorur pika/tregues kyçë gjatë planifikimit strategjik dhe raportimit;

(3) transparenca – e vlerëson disponueshmërinë publike të informacionit organizativ, buxhetin dhe procedurat e furnizimeve publike,

(4) integriteti e vlerëson praninë e mekanizmave për të parandaluar konfliktet e interesit, për të rregulluar lobimin, si dhe disponueshmërinë e kodit të sjelljes etike që do ta udhëheqë dhe sanksionojë sjelljen e nëpunësve shtetërorë dhe të administratës publike.

Jançeska theksoi se sipas matjes për vitin 2021, Qeveria e Maqedonisë së Veriut është më e hapura, e cila i përmbush 82,71% të kritereve të përcaktuara për hapje, e ndjekur nga Qeveria e Malit të Zi me 58,16%. Në vendin e tretë ëstë BdheH me 49,58%. Qeveria e Republikës së Serbisë është në vendin e fundit, e cila i përmbush 37,96% të kritereve për hapje. Kur bëhet fjalë për ministritë, rezultatet më të mira, mesatarisht, i arrijnë ministritë e Maqedonisë së Veriut me 58,56% përmbushje të treguesit të hapjes. Në vendet e tjera, ministritë plotësojnë më pak se gjysmën e treguesve të caktuar – në Mal të Zi 48,17%, Serbi 46,82%, Bosnjë dhe Hercegovinë 38,5%. Rezultatet më të dobëta i vërejmë në organet e administratës shtetërore. Mesatarisht, organet në përbërje në Maqedoninë e Veriut plotësojnë 41,54%, Mali i Zi 40,82%, Bosnja dhe Hercegovina 40,49% dhe Serbia 31,20%.

Në konferencë u diskutuan edhe rezultatet e Indeksit të Hapjes në nivel lokal. U tha se në matjen për vitin 2022 janë përfshirë të gjitha 80 komunat plus Qyteti i Shkupit. Indeksi i hapjes tregoi se në matjen për vitin 2022, rezultate më të mira kanë komunat e Vallandovës (62%), Prilepit (59%), Manastirit (57%), Ohrit (54%), Koçanit (52%), si dhe Velesi dhe Dellçeva, Demir Hisari dhe Krusheva (50%) dhe Vasileva (47%), ndërsa më dobët janë të renditura Dollneni (9%), Vrapçishti (8%), Karbinci (7%), Buteli (6%), Sopishteja (5%), Haraçina dhe Zelenikova (3%) dhe komuna e Krivogashtanit me 0%. Vlera 0 për komunën e Krivogashtanit është rezultat i sulmeve të hakerëve dhe pyetësorit të paplotësuar. Në krahasim me vitin 2021 ka ndryshime në renditje, në vend të Ohrit, tani në pozitën e parë është Vallandova, ndërsa më të suksesshme janë komunat urbane që kanë burime më të mira njerëzore dhe financiare.

Sa i përket rajoneve planifikuese, hulumtimi tregoi se në vitin 2022 komunat në Rajonin Juglindor janë më të hapurat, me një hapje mesatare prej 35%, ndërsa më pak të hapura janë komunat në rajonin e Shkupit me hapje mesatare prej 20%. në vend të Rajonit të Pollogut në vitin 2021, i cili tani është në pozitën e parafundit me 21%.

Në fund të prezantimit, përfaqësuesja e Fondacionit Metamorfozis foli për rekomandimet për përmirësimin e institucioneve.

Rekomandimet janë të ndara në katër shtyllat që maten, ndërsa pas publikimit të rezultateve, ato komunikohen me institucionet e monitoruara në takime të posaçme, por me to njihet edhe publiku përmes fushatave:

  • Të gjitha organet ekzekutive duhet të kenë faqet e tyre të internetit ose të krijohet një seksion i veçantë në faqet e internetit të ministrive të linjës, për të mundësuar transparencë aktive, ndërveprim të drejtpërdrejtë me publikun dhe llogaridhënie. Të aktivizohen kërkuesit funksional në faqet e internetit të organeve ekzekutive.
  • Institucionet duhet të fusin procedura të brendshme që do ta avancojnë procesin e transparencës reaktive, por edhe atë aktive, me afate të përcaktuara dhe persona përgjegjës për shpërndarjen dhe përditësimin e informacioneve në faqet e tyre të internetit.
  • Institucionet duhet t’i publikojnë në faqen e tyre të internetit përgjigjet me të cilat kanë mundësuar qasje në informata pas një kërkese të parashtruar (nga qasja reaktive në atë aktive), gjë që do ta reduktonte përsëritjen e kërkesave të marra me shkrim për të njëjtat informata.
  • Është e nevojshme që institucionet ta publikojnë në mënyrë proaktive paketën e dokumenteve, të dhënave dhe informacioneve të përcaktuara në nenin 10 të Ligjit për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik, gjë që do të ndikojë në rritjen e transparencës aktive.
  • Të zvogëlohet afati maksimal për t’iu përgjigjur kërkesave për qasje të lirë në informatat me karakter publik nga 20 në 15 ditë, duke qenë se kjo është një periudhë e arsyeshme pritjeje sipas standardeve ndërkombëtare dhe praktikës së vendosur rajonale.
  • Duhet të zbatohet roli i Sekretariatit të Përgjithshëm për kontrollin e cilësisë dhe monitorimin e zbatimit të politikave ekzistuese.
  • Qeveria duhet ta zvogëlojë trendin e numrit të propozim-ligjeve që propozohen me procedure të shkurtuar, në mënyrë që të mos rrezikohet cilësia e tyre dhe/ose të ulet pjesëmarrja e palëve të interesuara në konsultime.

Qeveria duhet t’i shmanget ndryshimit të politikave pa dëshmi se ndryshimet e propozuara do të ofrojnë përmirësime të konsiderueshme. Kërkohet angazhim dhe krijimi i praktikës për kryerjen e analizave ex ante dhe ex post.

Ndaje: