Fondacioni “Metamorfozis” përmes një ngjarje online i prezantoi grupet e reja të komunikimit në platformat e komunikimit WhatsApp dhe Viber, të dedikuara për gazetarët dhe publikun e gjerë. Siç theksoi Goran Rizaov, moderatori i ngjarjes, përmes grupeve në WhatsApp të dedikuara për gazetarët, ata do të mund të parashtrojnë pyetje zyrtare për përfaqësuesit e qeverisë dhe të marrin përgjigje të shpejtë zyrtare për 4 tema: Kovid-19, Regjistrimi i popullsisë, Mjedisi jetësor dhe Integrimi.

Për publikun është hapur një grup Viber për postimin e informacioneve të verifikuara me emrin DE FAKTO, ku publikohen analizat e dezinformatave më të përhapura që janë demaskuar nga ana e shërbimit “Vërtetmatësi”.

Në diskutim, folësit i kushtuan vëmendjen më të madhe përhapjes së dezinformatave, por edhe nevojës për një transparencë më të madhe të pushtetit, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal.

Sipas Marjan Zabrëçanecit, Koordinator kombëtar për komunikime strategjike dhe për zbatimin e strategjisë së komunikimit të Qeverisë, përgjegjësia për informimin e drejtë apo për përballjen me dezinformatat nuk bie vetëm tek gazetarët, por se ky fenomen duhet të trajtohet ashtu siç bëhet tani, me një aktivitet të përbashkët të vazhdueshëm, si të qeverisë ashtu edhe të gazetarëve dhe të organizatave joqeveritare. Ai tha se Qeveria është e përkushtuar për transparencë aktive dhe në këtë kontekst, edhe pse ka dobësi, megjithatë ka shumë shembuj pozitivë dhe apeloi tek autoritetet lokale, përkatësisht komunat, që ta ndjekin atë trend.

Sipas Bardhyl Jasharit, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, edhe pse po punohet në këtë plan, megjithatë nuk punohet sa duhet në luftën kundër dezinformatave që përhapen kryesisht përmes rrjeteve sociale.

“Gazetarët duhet t’i respektojnë me përpikëri standardet profesionale dhe të punojnë sipas Kodit të SHGM-së dhe t’i respektojnë rekomandimet e Këshillit për Etikë. OJQ-të duhet të punojnë në edukimin e qytetarëve në mënyrë që ata t’i përdorin rrjetet sociale me më shumë kompetencë dhe përgjegjësi dhe kështu edhe t’i konsumojnë përmbajtjet. Ne në Metamorfozis e konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishme të punojmë në edukimin mediatik”, tha Jashari. Ai konsideron se nuk është e mundur të mposhten të gjithë aktorët që përhapin dezinformata dhe kjo është kryesisht për shkak të natyrës demokratike të internetit, e cila keqpërdoret nga këta aktorë.

Siç theksoi Katerina Sinadinovska, kryetare e Këshillit drejtues të Këshillit për Etikë në Media të Maqedonisë, një nga gjërat kryesore në luftën kundër dezinformatave është që gazetarët të mos spekulojnë dhe të citojnë burime zyrtare, e jo burime të dyshimta dhe të paverifikuara.

“Për gazetarët, nëse informacioni përpunohet siç duhet, gjasat që pastaj të dalin dezinformata janë të vogla. E kur publikohet diçka, ndonjë informacion i pa verifikuar, duhet ta pyesni veten nëse ajo që do të publikohet do t’i ndihmojë interesit publik”, tha Sinadinovska, duke theksuar se mënyra se si agjencitë e marketingut i ndajnë paratë nga fitimi prej reklamave – në bazë të numrit të vizitave, pjesën më të madhe të mediave i bën të jenë sensacionaliste.

 

Ndaje: