“Të dhënat dhe informacionet e prodhuara nga institucionet janë të qytetarëve, administrata publike është shërbim për qytetarët, i cili domosdoshmërisht duhet të jetë plotësisht transparent, dhe njëkohësisht bartësit e funksioneve dhe institucionet duhet të jenë të vetëdijshëm/e dhe përgjegjës/e për nevojën për transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve”, tha Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska, në debatin e sotëm publik për Draft-Strategjinë për Transparencë të Qeverisë (2023-2026), e cila është përgatitur në bashkëpunim me Fondacionin për Internet dhe Shoqëri – “Metamorfozis”.
Ky dokument është punuar nga një grup punues i përbërë nga palët kryesore të interesit në shoqëri, përfaqësues të sektorit civil, përfaqësues të mediave, si dhe përfaqësues nga institucionet kompetente.
“Transparenca dhe publikimi proaktiv i informacionit duhet të jetë shtylla kurrizore e funksionimit të përditshëm të institucioneve shtetërore. Në atë drejtim janë edhe një pjesë e proceseve të transformimit digjital të shoqërisë, të cilat duhet të sigurojnë hapjen e plotë të institucioneve për qytetarët. Në periudhën e kaluar janë krijuar një sërë mekanizmash, të cilët sigurojnë transparencë proaktive, e një prej tyre është edhe Udhëzuesi për përmirësimin e transparencës së institucioneve, i cili është miratuar nga Qeveria me sugjerim të kabinetit tim, dhe me të cilin institucionet obligohen që në ueb-faqet e tyre të publikojnë një sasi dukshëm më të madhe të të dhënave” – theksoi Zëvendëskryeministrja Grkovska.
Me Strategjinë që po prezantojmë sot, shtoi ajo, përcaktohen procedurat dhe standardet e nevojshme për transparencë dhe llogaridhënie, të ngritura në një nivel që do të sigurojë përgjegjësinë adekuate të të gjithë nëpunësve dhe zyrtarëve publikë para qytetarëve.
“Strategjia i drejton të gjitha ministritë dhe organet në kuadër të saj, organet e pavarura të administratës shtetërore, organet e pavarura shtetërore dhe organizatat administrative që i përgjigjen Qeverisë, ndërmarrjet publike të themeluara nga qeveria dhe shoqëritë aksionare në pronësi shtetërore, ta kuptojnë dhe ta pranojnë transparencën si një mënyrë e punës. Ata e kanë për obligim që të jenë sa më të hapur në punën e tyre të përditshme, t’i ndajnë të gjitha informatat me qytetarët pa e shfrytëzuar të drejtën e qasjes së lirë në informata të karakterit publik” – informoi Gërkovska.
Ajo theksoi se transparenca e plotë është një proces që nuk arrihet brenda natës dhe për të cilin, mbi të gjitha, është i nevojshëm ndryshimi i vetëdijes në shoqëri, për të cilin duhet të kontribuojnë të gjithë aktorët në shoqëri. Zëvendëskryeministrja Gërkovska theksoi se kontributi që do të rezultojë nga debati i sotëm publike do të jetë udhërrëfyes i rëndësishëm për përmirësimin e mëtejmë të dokumentit për grupin punues që punon në tekstin e Strategjisë për Transparencë të Qeverisë.
Teksti është marrë nga ueb-faqja e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, linku.
Ndaje: