Në kuadër të Projektit të USAID-it për Pjesëmarrjen Qytetare, Fondacioni Metamorfozis mbajti një prezantim dhe diskutim mbi rezultatet e Vlerësimit të gjendjes së qeverisjes së mirë të pushtetit ekzekutiv. Ngjarja u zhvillua më 14 tetor në platformën Zoom dhe në të morën pjesë përfaqësues të shumtë të institucioneve shtetërore, sektorit joqeveritar dhe bashkësisë akademike në vend. Pjesëmarrësit shkëmbyen mendime dhe pikëpamje mbi hapjen e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, si dhe propozime dhe ide se si të përmirësohet ajo.
Qëndresa Sulejmani, Drejtore e programeve në Fondacionin Metamorfozis, i prezantoi rezultatet që tregojnë se me përmbushje prej 83,43% të kritereve të përcaktuara për hapjen, Qeveria e Maqedonisë së Veriut është më e hapura në rajon, e ndjekur nga Këshilli i Ministrave i BdheH me 74,9%. Në vendin e tretë është Qeveria e Malit të Zi me 59,46%, e ndjekur nga Këshilli i FBdhH me 58,42%. Qeveria e Republikës së Serbisë përmbush 47.67% të kritereve, ndërsa Qeveria e Krahinës Autonome të Vojvodinës, 50,18%. Në vendin e fundit është Qeveria e Republikës Serbe me përmbushje të kritereve për hapje prej 38,53%. Vlerësimi është rezultat i një studimi empirik gjithëpërfshirës të bazuar në Indeksin e hapjes, i cili synon të përcaktojë shkallën në të cilën respektohen parimet e qeverisjes së mirë në rajon. Perspektiva rajonale shërben si referencë për atë se si vendet në rajon po përparojnë drejt përmirësimit të qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit që i çon ato drejt qëllimit të tyre strategjik – anëtarësimit në BE.
Gordana Gapiq Dimitrovska, Këshilltare Shtetërore, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, theksoi se kur bëhet fjalë për hapjen dhe transparencën, nuk flasim vetëm për institucionet, por edhe për partneritetet e institucioneve me organizatat joqeveritare që kontribuojnë shumë në këtë temë. Ajo e theksoi angazhimin e MSHIA-së për transparencë proaktive dhe dha një pasqyrë të shkurtër të planit të pestë për Partneritetin e hapur qeveritar, si dhe disa prej angazhimeve që i përfshin.
Në ngjarje u diskutua gjithashtu edhe për atë se sa të qarta dhe informative janë ueb-faqet e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, në një kohë kur informatat që janë në dispozicion në formë digjitale janë me rëndësi vendimtare. Ueb-faqja e Sekretariatit të Përgjithshëm vlerësohet pozitivisht shkak se ka një politikë qendrore për transparencë dhe për publikimin e kornizës së ligjeve dhe akteve nënligjore që e përcaktojnë fushëveprimin e tij të punës. Që nga tetori i vitit 2017, politika e transparencës e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është udhëhequr nga “politika për 21 dokumente”, me të cilën të gjitha institucionet e pushtetit ekzekutiv janë të obliguara të publikojnë një grup prej “21 dokumenteve” për përgjegjësinë e tyre ndaj qytetarëve. Politika për “21 dokumente” u pasua nga Strategjia për Transparencë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të miratuar në nëntor të vitit 2019, e cila gjithashtu e përfshin dhe e zgjeron listën e 21 dokumenteve. Në kuadër të diskutimit u ngriti gjithashtu edhe çështja e Mjetit për llogaridhënie për shpenzimet e bartësve të funksioneve publike, i cili u prezantua nga Sekretariati i Përgjithshëm për të mundësuar mbikëqyrjen publike të shpenzimeve të nëpunësve publike dhe për të zvogëluar keqpërdorimin e mjeteve publike dhe korrupsionin.
Punimi është pasuruar me rekomandime praktike për atë se si pushteti ekzekutiv i Maqedonisë së Veriut mund ta përmirësojë respektimin e parimeve të qeverisjes së mirë në të ardhmen. Rekomandimet do t’u komunikohen nëpunësve të lartë shtetërorë në të gjitha institucionet e monitoruara përmes takimeve, si dhe publikut të gjerë përmes mediave sociale dhe mbajtjes së ngjarjeve publike. Hulumtimi përsëritet çdo vit dhe na mundëson ta krahasojmë shkallën në të cilën do të ndiqen këto rekomandime. Ky vlerësim është në dispozicion në maqedonisht, shqip dhe në anglisht në ueb-faqen e Fondacionit Metamorfozis.
Ndaje: