Intervista e Bardhyl Jasharit, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit “Metamorfozis” është marrë tërësisht nga akademik.mk.

Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis

“Metamorfozis” është një organizatë joqeveritare e cila ka 15 vite që punon, ndër të tjera, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në internet dhe edukimin e qytetarëve për të drejtat e tyre në internet. Cilat janë njohuritë tuaja, a ka një rritje pozitive në njohjen e të drejtave në internet tek qytetarët?

Me sfidat që kanë të bëjnë me të drejtat digjitale Fondacioni Metamorfozis merret që nga fillimi i tij në vitin 2004. Për shkak se misioni ynë si organizatë është të rrisim cilësinë e jetës përmes përdorimit të teknologjive digjitale, atëherë si edhe tani, fokusi ynë është në mbrojtjen dhe avancimin e privatësisë në internet dhe lirisë së shprehjes. Ne besojmë se përdorimi, por edhe përfitimet nga interneti dhe teknologjitë tjera digjitale do të rriten nëse përdoruesit e internetit ndihen të lirë dhe të sigurt dhe nëse janë të sigurt se të dhënat e tyre personale nuk do të keqpërdoren.

Shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë. Së pari, numri i përdoruesve të internetit është rritur në mënyrë drastike, më pas është rritur numri i përmbajtjeve që janë në dispozicion në internet, është rritur edhe numri i shërbimeve që janë në dispozicion përmes internetit, për të cilat shpesh duhet t’i fusim të dhënat tona personale, kështu që normalisht janë rritur edhe sfidat. Si në botë, ashtu edhe në vendin tonë, ka pasur probleme të ndryshme lidhur me keqpërdorimin e të dhënave personale. Kjo, nga ana tjetër, kontribuoi që përdoruesit të jenë të kujdesshëm dhe të ndërgjegjshëm ndaj sfidave që lidhen me të drejtat e njeriut, por mbi të gjitha në aspektin e privatësisë. Filluan të edukohen, por edhe të kërkojnë mundësi edukimi dhe njëkohësisht të kërkojnë përgjegjësi si nga kompanitë që ofrojnë shërbime digjitale ashtu edhe nga shteti. Nga ana tjetër, shtetet kanë filluar t’i harmonizojnë ligjet dhe të miratojnë ligje dhe politika të reja, për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve. Metamorfozis që në fillim, në bashkëpunim me OJQ të tjera, punon me qytetarët përmes trajnimeve dhe fushatave për ngritjen e njohurive dhe vetëdijes së publikut për privatësinë. Në të njëjtën kohë, bashkëpunojmë me kompanitë që ofrojnë shërbime digjitale, por edhe me institucionet përkatëse shtetërore që janë përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personale, për të kontribuar në krijimin e një kornize të re ligjore dhe një ekosistemi digjital në përgjithësi, në të cilin qytetarët do të ndihen të lirë, kompetent dhe të sigurt për të përdorur teknologjitë digjitale dhe për t’i përjetuar përfitimet e transformimit digjital të pashmangshëm të shoqërisë sonë. Sot, ndërgjegjësimi dhe njohuritë për sfidat që kanë të bëjnë me privatësinë, por edhe me të drejtat e tjera në internet janë rritur, sigurisht me zhvillimin e teknologjisë ndryshojnë edhe sfidat, andaj të gjithë ne vazhdimisht duhet të monitorojmë, edukojmë dhe reagojmë kur ka nevojë që integriteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut të mbeten në thelb të transformimit digjital.

Së fundmi keni nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale – një iniciativë e shkëlqyeshme e një institucioni qeveritar dhe një organizate joqeveritare që kanë një qëllim të përbashkët – edukimin e qytetarëve për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale. Çfarë aktivitetesh planifikoni për këtë qëllim?

Në shkurt të vitit 2020, u miratua Ligji i ri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Maqedoni, i cili është plotësisht i harmonizuar me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për mbrojtjen e të dhënave (GDPR). Ligji i ri ka hyrë në fuqi më 24 gusht 2021. Sipas me këtij ligji, të gjitha subjektet juridike në vendin tonë duhet t’i harmonizojnë procedurat dhe politikat e tyre të brendshme me ligjin e ri, ndërsa projekti që e zbaton Fondacioni “Metamorfozis”, i mbështetur nga i ashtuquajturi Instrumenti për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut në BE, do të ndihmojë në zbatimin e këtyre masave për organizatat e shoqërisë civile, institucionet shtetërore dhe sektorin e biznesit. Rregullorja e re u jep qytetarëve më shumë fuqi duke i rritur të drejtat e tyre për të kontrolluar përpunimin e të dhënave të tyre. Projekti synon që këto përfitime dhe privilegje t’i bëjë më të afërta dhe më të dukshme për qytetarët. Ne do të punojmë së bashku me Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në edukimin e qytetarëve për të drejtat e tyre të privatësisë që dalin nga ligji i ri, dhe njëkohësisht do të punojmë së bashku në ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave në institucionet shtetërore – për të zhvilluar dhe zbatuar standarde që do të sigurojnë mbrojtje efektive të të drejtave të privatësisë së qytetarëve në internet – veçanërisht kur përdorin shërbime elektronike.

Përmes projektit, gjithashtu, do të organizohen trajnime për OJQ-të e tjera që të përfshihen në mbrojtjen e privatësisë në internet dhe t’i shprehin me kompetencë shqetësimet e tyre për privatësinë dhe zbatimin e inteligjencës artificiale te të gjithë aktorët përkatës: shteti, bizneset etj.

Keni shumë kontakte dhe bashkëpunime me organizata të ndryshme nga shumë vende të botës. Nëse do të krahasonim nivelin e mbrojtjes së të drejtave në internet, ku do ta poziciononit Maqedoninë në raport me vendet e tjera në botë?

Me internetin dhe globalizimin, sfidat në Maqedoni dhe në botë janë të ngjashme dhe të përbashkëta, por dallimi i rëndësishëm qëndron në kapacitetin e institucioneve për t’u përballur në mënyrë efektive me sfidat dhe pasojat e transformimit digjital mbi të drejtat e njeriut dhe veçanërisht angazhimin e palëve të interesuara për t’i zgjidhur ato. Shumica e institucioneve në vendin tonë nuk i kanë burimet, kapacitetet dhe njohuritë e nevojshme për t’u përballur me ato sfida. Siguria kibernetike po bëhet shumë e rëndësishme dhe ndikon drejtpërdrejt mbi të drejtat e njeriut, por në vendin tonë, megjithëse ka iniciativa dhe strategji, ende nuk ka një qasje sistematike e as kapacitete për t’u përballur me këto probleme. Kjo e bën punën më të vështirë. Mu për këtë arsye nevojiten përpjekje të përbashkëta dhe bashkëpunim më i fortë midis aktorëve shtetërorë – qeverisë, parlamentit, gjyqësorit, Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, kompanive private, akademisë, OJQ-ve, organizatave ndërkombëtare dhe publikut të gjerë. Detyra është e vështirë, por jo e pamundur.

Çfarë do t’u këshillonit qytetarëve të Maqedonisë në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të tyre në internet?

Transformimi digjital i shoqërisë sonë është në rrjedhë e sipër dhe do të vazhdojë, teknologjitë digjitale tashmë po na prekin të gjithëve, ne të gjithë i përdorim ato në një mënyrë apo tjetër, qoftë për punë, mësim, lojë, argëtim apo shoqërim. Njerëzit dhe kompjuterët, robotët, do të duhet të mësojnë të jetojnë së bashku, në një marrëdhënie të ngushtë. Nëse duam që kjo marrëdhënie të ketë sukses dhe të jetë në dobi të njerëzve, duhet t’i analizojmë më mirë dhe më seriozisht implikimet etike dhe ligjore të inteligjencës artificiale dhe teknologjive digjitale në përgjithësi. Prandaj, është e rëndësishme që të përfshihemi sa më shumë në formësimin e Agjendës Digjitale në aplikimin e teknologjive digjitale, e veçanërisht të inteligjencës artificiale.

Është në rregull të kemi qëndrim kritik, madje edhe të jemi skeptikë ndaj teknologjive të reja, por mesazhi im është që të mos kemi frikë prej tyre dhe të krijojmë rezistencë ndaj digjitalizimit, përkundrazi duhet t’i përdorim ato, por në të njëjtën kohë duhet të kemi kujdes, të jemi të angazhuar, të mësojmë se si t’i përdorim ato në mënyrë të sigurt në dobinë tonë. Në “Metamorfozis” ne besojmë se çdo individ ka mundësi të kontribuojë, nuk duhet të jemi pasivë dhe të presim që agjencitë shtetërore apo kompanitë të kujdesen për të drejtat tona. Si organizatë, ne angazhohemi për një shoqëri në të cilën qytetarët e angazhuar dhe të ndërgjegjshëm përdorin në mënyrë aktive mjete novatore për të ushtruar të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre civile, një shoqëri në të cilën ata nuk kanë frikë të përfshihen, të sillen në mënyrë kritike, të kontribuojnë dhe të kërkojnë përgjegjësi.

Ndaje: