Foto: Meta.mk
Edhe pse ka përfitime të mëdha nga inteligjenca artificiale (IA), ekzistojnë edhe rreziqe të caktuara, siç është përdorimi i saj për të ashtuquajturat qëllime të këqija që e shkelin mbrojtjen e privatësisë dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Prandaj, është e nevojshme të ketë rregullore të qarta për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Këtë e theksoi sot Milla Josifovska-Danillovska, menaxhere e programeve në Fondacionin për Internet dhe Shoqëri – “Metamorfozis”, në aktivitetin e sotëm të organizuar në kuadër të Ditëve të Edukimit Mediatik.
Në temën “Inteligjenca Artificiale dhe të Drejtat e Autorit” foli Dr. Hannes Henke, ekspert nga Gjermania, ndërsa në temën “Etika në Përdorimin e IA-së”, përveç Josifovska-Danillovskës, foli edhe Dr. Anis Sefidanis nga Fakulteti i Inteligjencës Makinerike dhe Robotikës, ndërsa moderatore ishte Liljana Pecova-Ilievska.

Ajo konsideron se duhet të ketë më shumë diskutime të tilla dhe për këtë arsye bëri thirrje për të punuar së bashku mbi këtë temë, duke theksuar se “Metamorfozis” ka filluar procesin për krijimin e një Koalicioni për Përdorimin e Përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale.
“Lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale, Agjencia jonë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka përgatitur doracakë dhe një platformë për e-mësim, të cilat nuk janë shfrytëzuar sa duhet. Së pari duhet t’i hedhim themelet duke i respektuar dhe zbatuar të gjitha ligjet dhe rregulloret që lidhen me sistemet e ndryshme digjitale, mbrojtjen e të dhënave personale. Inteligjenca artificiale është në pragun tonë dhe për këtë arsye duhet të jemi në gjendje t’i kapërcejmë të gjitha gjërat që duhet t’i përmbushim, e pastaj të ndërtojmë një sistem që do ta respektojë dinjitetin njerëzor dhe nuk do të diskriminojë, nuk do ta dëmtojë privatësinë e askujt, konsideron ajo.
Profesori Anis Sefidanis theksoi se IA-ja mund të marrë një perspektivë shumë të mirë të të gjitha njohurive njerëzore.
“IA-ja mund të nxjerrë njohuri që nuk ekzistonin më parë dhe të jetë e saktë në parashikimet e saj. Për shembull, makinat Tesla evitojnë me sukses aksidentet rrugore, duke e minimizuar kështu numrin e viktimave njerëzore, me koston e dëmeve materiale. Nëse inteligjenca artificiale është produkt i mendjes njerëzore e njerëzit janë produkt i natyrës, atëherë nuk shoh asgjë artificiale këtu, kështu që nuk duhet ta quajmë inteligjencë ‘artificiale’” – vuri në dukje profesori.
Sipas tij, arsimi është e vetmja “armë” me të cilën mund të përballemi me rrezikun që ekziston, përkatësisht me qëllimet e këqija që, nëpërmjet përdorimit të inteligjencës artificiale, mund të shumëfishohen në numër të madh.
“IA-ja do të ketë sukses në parandalimin e kontrabandës së njerëzve dhe mallrave përtej kufirit, abuzimin me çdo funksion administrativ. Ekziston rreziku që qëllimet tona të këqija të shumëfishohen në numër të madh. Ngacmimi më parë ndodhte në oborrin e shkollës, e tani mund të transferohet në Chat GPT. Prandaj, edukimi është arma e vetme me të cilën mund të ballafaqohemi me rreziqet. Rregullativa dhe përgjegjësia ligjore duhet të ekzistojnë, por ka edhe procese të tjera të vetëdijes kolektive, ku përgjegjësia bëhet gjithnjë e më pak individuale. ChatGPT krijon vepra letrare, pyetja është se kujt dhet t’i përshkruhet pronësia intelektuale” – thotë profesori.
Ngjarjen e sotme, të titulluar si “Politikat për Edukim Mediatik në Epokën e Inteligjencës Artificiale”, e hapi Zoran Trajçevski, Drejtor i Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuale Mediatike, së bashku me përfaqësues të anëtarëve të rrjetit të edukimit mediatik. Snezhana Tërpevska nga Instituti për Hulumtime të Zhvillimit Shoqëror – RESIS, foli mbi temën e politikave për zhvillimin e ndërgjegjësimit për rreziqet e dezinformatave.
