Sot, më 26.01.2021 u zhvillua Kampi i Privatësisë 2021, i organizuar nga EDRi – Iniciativa Evropiane për të Drejtat Digjitale (European Digital Rights Initiative). Privacy Camp është një konferencë vjetore që tashmë 10 vjet bashkon aktivistë të të drejtave digjitale, akademikë, juristë, profesionistë të TI-së dhe njerëz të përfshirë drejtpërdrejt në vendimmarrje nga e gjithë Evropa. Në Kampin e Privatësisë diskutohen çështjet më të rëndësishme dhe zhvillimet aktuale në fushën e të drejtave të njeriut në internet.

Këtë vit, Fondacioni Metamorfozis në bashkëpunim me Fondacionin SHARE nga Beogradi, BIRN Serbi, Athinë Serbi dhe Akademia për e-qeverisje nga Estonia, e organizuan sesionin – Perspektivat lokale: e-jeta dhe e-shërbimet gjatë pandemisë.

Folësit në sesion i ndanë përvojat e tyre për sfidat që u paraqitën gjatë pandemisë së Kovid-19, e të cilat lidhen me përhapjen e lajmeve të rreme, kërcënimet ndaj privatësisë së qytetarëve, gjithëpërfshirjen e shoqërisë në prezantimin e shërbimeve digjitale, si dhe transparencën e institucioneve si një faktor kyç në ndërtimin e besimit me qytetarët.

Megjithëse në vende të ndryshme dhe në sisteme të ndryshme ligjore, përvojat janë të ngjashme kur bëhet fjalë për përdorimin e përfitimeve të zhvillimit teknologjik, por edhe për shkallën e edukimit digjital të qytetarëve. Trendi në rritje i ofrimit të gjithnjë e më shumë shërbimeve të institucioneve shtetërore për qytetarët në mënyrë elektronike, përveç që kërkon ndjekje të vazhdueshme të zhvillimit teknologjik, avancim të njohurive dhe ndryshim të shprehive të qytetarëve, po ashtu kërkon përcaktimin e saktë të masave për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.

Përfundimi i përgjithshëm nga përvojat e ndara është se pandemia na e konfirmoi se shërbimet dhe mjetet elektronike janë efikase, i ulin shpenzimet administrative, dhe nëse mendohen mirë dhe dizajnohen sipas rregullave për mbrojtjen e privatësisë, jo vetëm që do ta lehtësojnë jetën, por do ta rrisin edhe besimin e qytetarëve në institucione. Çdo vend, pavarësisht nga niveli i zhvillimit dhe edukimit digjital, duhet të punojë në planifikimin strategjik të procesit të digjitalizimit, në mënyrë që ai të jetë një proces i natyrshëm, e jo i imponuar për qytetarët.

* * *

Fondacioni Metamorfozis në kuadër të programit “Të drejtat e njeriut në internet”, angazhohet për t’u ndihmuar komuniteteve të përballen me ndryshimet që vijnë nga ndikimi gjithnjë e më i madh i teknologjive të reja (duke i përfshirë të dhënat e mëdha, inteligjencën artificiale, robotikën, nano-teknologjinë dhe gjenetikën). Qëllimet e Metamorfozis në programin “Të Drejtat e njeriut në internet” janë: promovimi i “qasjes për të gjithë” përmes përdorimit inovativ dhe shpërndarjes së njohurive dhe përdorimit etik të teknologjive të reja, përforcimit të të drejtave dhe lirive të individëve përmes mbrojtjes, inkurajimit dhe ndikimit mbi politikat e teknologjisë që luajnë një rol në jetën e përditshme, edukimi për të drejtën e privatësisë dhe angazhimi për mbrojtjen e privatësisë dhe mbikëqyrja e përgjegjshme e qeverisë.

Metamorfozis gjithashtu e zbaton projektin rajonal “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA” në partneritet me Akademinë për e-Qeverisje nga Estonia, Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – (Serbi), 35mm (Mali i Zi) dhe Open Data Kosovo (Kosovë), përmes aktiviteteve të të cilit e konfirmon përcaktimin për futjen e Agjendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor dhe kontribuon drejtpërdrejt në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve, por edhe për transparencën e tyre.

Ndaje: