Është e nevojshme të forcohet transparenca dhe mbikëqyrja e reklamimit të paguar politik në mediat online gjatë fushatës zgjedhore. Kjo është premisa bazë nga e cila filloi zbatimi i projektit “Paratë, Mediat dhe Zgjedhje në Maqedoninë e Veriut”, të cilin e zbaton Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) së bashku me Fondacionin Metamorfozis. E si kulminacion i zbatimit të aktiviteteve të projektit, më 4 dhe 5 mars 2025, në Shkup, u mbajt konferenca ndërkombëtare “Klikimet, Paratë dhe Ndikimi: Rolet dhe Përgjegjësitë e Mediave Online në Zgjedhje.”
Joana Kozma, Drejtoreshë e Zyrës së IFES-it në Maqedoninë e Veriut, në fjalën e saj hyrëse theksoi se qëllimi i kësaj ngjarjeje është ta lehtësojë shkëmbimin e praktikave të mira ndërkombëtare dhe rregulloreve për mbikëqyrjen e fushatave politike dhe mediave online gjatë zgjedhjeve, si dhe të shihet, nëse disa nga ato praktika mund të inkorporohen në praktikën kombëtare dhe kornizën ligjore të vendit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, theksoi se gjatë zbatimit janë identifikuar zbrazëtirat dhe dobësitë kritike në reklamimin e paguar politik në mediat online gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare.
Në kuadër të sesionit “Numërimi mbrapsht deri në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut: Si të forcohet transparenca dhe mbikëqyrja e reklamimit të paguar politik gjatë fushatës mediatike, duke përfshirë edhe në portalet e internetit”, u diskutua mbi mënyrat e mundshme për të përmirësuar mbikëqyrjen, raportimin dhe transparencën e portaleve në internet gjatë zgjedhjeve – një rishikim i sfidave aktuale rregullatore, etike dhe praktike në lidhje me zgjedhjet e ardhshme.
Maksim Acevski, kryerevizori shtetëror në Entin Shtetëror të Revizionit, theksoi se institucioni shpenzon burime të vlefshme njerëzore dhe para për monitorimin e procesit zgjedhor, të cilin e monitoron vazhdimisht një sektor i tërë i përbërë nga revizorë të autorizuar.
“Me vite kemi thënë se ka nevojë për ndryshime të Kodit Zgjedhor, të cili e miratojnë aktorët politikë pa u konsultuar me ne” – theksoi Acevski. Sipas tij, kjo fushë duhet të rregullohet, veçanërisht në pjesën e portaleve në internet, duhet të përcaktohen kritere për shpërndarjen e mjeteve, si dhe të rregullohet më tej politika ndëshkuese.
Drejtori i Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuale Mediatike, Zoran Trajçevski, në prezantimin e tij përsëriti se ASHAAM-i konsideron se nuk duhet të ketë reklamim të paguar politik nga buxheti i shtetit. Ai foli edhe për tendencën për të ridrejtuar fushatat zgjedhore në rrjetet sociale. Ai tha se gjatë zgjedhjeve presidenciale është vërejtur se bartësit e funksioneve publike dhe kandidatët kanë përdorur profilet e tyre në Facebook për kryer fushatë të hapur, me transmetime të drejtpërdrejta, fjalime, fotografi dhe video të takimeve të tyre me qytetarët.
“Kështu ata mobilizuan një numër më të madh mbështetësish dhe fituan më shumë shikues. Zhvillimi i fushatës në rrjetet sociale në vendin tonë nuk është fare i rregulluar”, shtoi Trajçevski.
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski në këtë ngjarje theksoi se kjo ministri ka marrë njërën nga kompetencat që ka të bëjë me politikat në fushën mediatike.
“Portalet janë në numër shumë më të madh në krahasim me mediat tradicionale, edhe pse shumë prej tyre janë fantazmë. Përgatitja e Ligjit për Mediat është në fazë të avancuar, dhe pres që së shpejti ai të gjendet në seancë të qeverisë, dhe më pas në Kuvend”, tha ministri.
Ditën e dytë të konferencës e hapi Zëvendësambasadori i Ambasadës Britanike në Shkup, Daniel Filler, me fjalë nderi.
“Është e rëndësishme të nxjerrim mësime nga çdo cikël zgjedhor si një hap i radhës për të përmirësuar integritetin e zgjedhjeve të ardhshme. “Projekti “Paratë, Mediat dhe Zgjedhjet”, i financuar nga Mbretëria e Bashkuar, ofron prova dhe propozime për një mbikëqyrje të përmirësuar të shpenzimeve publike në fushatën zgjedhore në internet dhe rolin e mediave në formësimin e diskursit publik” – tha Filler.
Pasoi sesioni “Monitorimi i reklamave të paguara politike: rolet institucionale dhe kushtet e ndryshueshme në epokën dinamike digjitale”, ku u diskutua për praktikat (dhe sfidat) kombëtare dhe ndërkombëtare në mbikëqyrjen e reklamimit të paguar politik dhe sigurimin e harmonizimit, veçanërisht në lidhje me fushatën online gjatë zgjedhjeve. Folës ishin Emilija Janevska, shefe e Sektorit për Çështje Programore të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuale Mediatike, Magnus Oman, Drejtor i Zyrës Rajonale të IFES-it për Evropën dhe këshilltar i lartë për financimin politik, si dhe Noemi Arcidiacono nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Sesioni u moderua nga Dançe Danillovska-Bajdevska, Drejtore e programeve në Fondacionin Metamorfozis.
Në sesionin e fundit të konferencës “Mjetet dhe metodologjitë për monitorimin dhe raportimin etik të mediave online”, folësit Sam Power, ekspert ndërkombëtar për financimin politik dhe partiak, Universiteti i Bristolit dhe Biljana Georgievska, Drejtoreshë Ekzekutive e Këshillit për Etikë në Media në Maqedoni, diskutuan për aplikimin e mjeteve dhe metodologjive për monitorimin dhe raportimin e aktiviteteve të mediave online gjatë zgjedhjeve. Sesioni hapi një diskutim mbi praktikat e mira, zgjidhjet teknologjike (duke përfshirë edhe përdorimin e IA-së) dhe qasjet rregullatore për të siguruar transparencë, llogaridhënie dhe saktësi në mbikëqyrjen e mediave digjitale. Sesioni u moderua nga Zllatko Simonovski nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES).
Mbi 70 pjesëmarrës dhe 12 folës të pranishëm në konferencën dyditore “Klikimet, Paratë dhe Ndikimi: “Rolet dhe Përgjegjësitë e Mediave Online në Zgjedhje” diskutuan për mënyrat se si portalet online gjatë zgjedhjeve dhe në një kohë të rritjes së fushatave digjitale dhe ndikimi i tyre mund të kontribuojnë në raportimin etik dhe të drejtë për kandidatët dhe partitë pjesëmarrëse në zgjedhje, me ç’rast dolën përfundimet e mëposhtme:
- Nuk ka ligje konkrete që e rregullojnë reklamimin politik në internet, prandaj ka nevojë të bëhet rregullimi ligjor i kësaj fushe duke i dhënë kompetenca një institucioni apo organi të caktuar.
- Derisa të arrihen zgjidhjet konkrete ligjore, është e dëshirueshme të krijohen mekanizma për zbatimin dhe monitorimin e përmbajtjeve të dëmshme përmes bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile dhe mjeteve digjitale.
- Duhen urgjentisht kritere që do të garantojnë se paratë e shtetit për fushatat zgjedhore do të përfundojnë në portale të besueshme.
Ekzistojnë praktika të mira ndërkombëtare që mund të ndihmojnë në rregullimin e punës së portaleve online dhe në përgjithësi në financimin dhe raportimin për paratë e shpenzuara në fushatat zgjedhore, duke i përfshirë edhe mjetet e inteligjencës artificiale.
- Vëmendje duhet t’i kushtohet edhe pronësisë së portaleve online, pasi kjo shpesh mund të zbulojë një lidhje të padukshme midis partive dhe përmbajtjes favorizuese që publikohet.
Konferenca “Klikimet, Paratë dhe Ndikimi: Rolet dhe Përgjegjësitë e Mediave Online në Zgjedhje” u organizua në kuadër të projektit “Paratë, Mediat dhe Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”, të financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.
Ndaje: