Reklamat online duhet të kenë të ashtuquajtura gjurmë (digjitale), në mënyrë që të mund të gjurmohet se kush paguan për ato reklama, për ose kundër kujt janë të dedikuara. Gjurmët e këtilla nga reklamat jo vetëm që duhet të përmbajnë sa më shumë informacion dhe detaje të jetë e mundur, por gjithashtu duhet të grumbullohen në skedarë të përshtatshëm në mënyrë që të ketë transparencë më të madhe dhe të mund të gjurmohen më lehtë. Këto ishin disa nga konkluzionet që Dr. Magnus Oman, Këshilltar i lartë për financa politike në Fondacionin Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES), i ndau në brifingun e sotëm me gazetarët në Shkup, të organizuar nga Fondacioni Metamorfozis dhe IFES, në kuadër të projektit “Paratë, Mediat dhe Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”. Dr. Oman dha një perspektivë krahasuese mbi reklamimin politik në mbarë botën, si dhe disa nga praktikat më të mira, duke thënë:
– Financimi online me pagesë, siç pritej, përfaqëson pjesën më të madhe të financimit politik gjatë zgjedhjeve. Për shembull, vetëm në dy muajt e fundit të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar në SHBA, janë shpenzuar 700 milionë dollarë vetëm për Meta dhe Google, nga gjithsej 1,2 miliardë dollarë që janë shpenzuar për reklamim online gjatë fushatës.
Dr. Oman theksoi se nuk duhet të merret si shembull vetëm një vend dhe të kopjohet tërësisht sistemi, Ligji për Raportimin Financiar, aq më tepër për shkak se, sipas tij, një pjesë e madhe e kornizave rregullatore dhe ligjeve nuk janë në hap me mënyrat e reja të reklamimit politik. Këtu ai veçoi shembullin e Donald Trump-it, i cili ndau më pak fonde për reklamim politike gjatë zgjedhjeve presidenciale dhe u fokusua më shumë tek influencuesit dhe komentuesit në internet.
Pikërisht për këtë foli edhe Emilija Petreska Kamenjarova nga Agjencia për Shërbime Audio dhe Audiovizuale Mediatike në panelin e javës së kaluar. Ajo vuri në dukje se rregullativa mediatike i mbulon influencuesit që ndajnë video në platformat online me qëllim të informimit, argëtimit ose edukimit të përdoruesve dhe në këtë mënyrë ata realizojnë përfitim ekonomik. E me rregulloren e re që Agjencia duhet ta miratojë këtë vit, do të saktësohen kriteret për atë se cilët influencues do t’i nënshtrohen rregullimit ligjor.
“Mjafton që reklamimi online të përmendet në Kodin [Zgjedhor]”, thotë Dr. Oman, që do të ofronte mbikëqyrje adekuate dhe kështu do t’u jepte komisioneve rregullatore mundësinë për të sqaruar se cila do të ishte mënyra e paraqitjes dhe raportimit për fondet e reklamimit online, çfarë do të konsiderohej reklamim politik online, e çfarë jo.
Ai gjithashtu thekson se nuk janë vetëm “shtetet”, gjegjësisht subjektet politike, që janë të detyruara të jenë maksimalisht transparente për financimin e reklamave, por edhe vetë platformat dhe reklamuesit ku vendosen këto reklama. Me fjalë të tjera, sa fonde kanë ndarë kandidatët, sa dhe nga kush kanë marrë platformat.
Ai thekson se rregulloret e BE-së vetëm tani do të duhet të harmonizohen midis vendeve anëtare, veçanërisht për shkak se ato vetë kanë ligje të ndryshme për reklamim politik. Kështu, do të
Monitorohet harmonizimi i të gjithave vendeve në mënyrë të veçantë, kurse Komisioni i BE-së do t’i monitorojë vendet kandidate si Maqedonia e Veriut.
Më pas, Dr. Oman ndau edhe disa praktika të mira që ia vlen të zbatohen. Disa herë u theksuan të ashtuquajturat gjurmë (digjitale) ose imprints, me të cilat që të mund të gjurmohet se kush sa paguan për ato reklama, për ose kundër kujt janë të dedikuara. Gjurmët e tilla do të mblidheshin në një lloj skedari, të ngjashëm me bibliotekat e reklamave të Meta dhe Google. “Political Advert Repository” (Depoja e reklamave politike) ose PADRE nga Afrika e Jugut u veçua si një shembull pozitiv që i ngjan një sistemi të tillë.
PADRE, në fakt është një nismë e Komisionit Zgjedhor të Afrikës së Jugut që synon të sistemojë reklamat politike online dhe digjitale në biblioteka lehtësisht të qasshme, që do ta rrisin transparencën e proceseve zgjedhore.

Foto: Pamje e kranit nga biblioteka e reklamave politike të Afrikës së Jugut, PADRE
Edhe pse, siç theksoi Dr. Oman dhe siç mund shihet nga vetë faqja e internetit, biblioteka është e zbrazët dhe pritet të mbushet së shpejti, qëllimi është që procesi të bëhet sa më i lehtë dhe i shpejtë. Ky është rekomandimi i dytë i praktikës së mirë që e ndau Dr. Oman. Ai konsideron se ky proces i raportimit për financimin e reklamave politike duhet të thjeshtohet në mënyrë që të mund të monitorohet.
Shembull i fundit që e prezantoi Dr. Oman është shtimi i një lloj kodi në vetë reklamat. Këto kode do të futeshin nën reklamë dhe do të mund të kontrolloheshin në skedar si PADRE. Ose, kode që do të kishin një link që do të çonte te bibliotekat ku do të ishte e mundur të shihej se kush qëndron pas reklamave dhe sa para janë paguar për to.
Marrë nga Vërtetmatësi
Ndaje: