Luftimi i korrupsionit përmes rritjes së transparencës së institucioneve dhe bashkëpunimit aktiv me qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile është me rëndësi thelbësore për forcimin e besimit në vetëqeverisjen lokale, e pikërisht teknologjitë digjitale mund të ndihmojnë në luftimin efektiv të korrupsionit në nivel lokal.
Ky ishte mesazhi i dërguar përmes forumit tematik “Komuniteti i përfshirë për rezistencë ndaj korrupsionit” e cila u mbajt më 16 tetor në Qendrën e Burimeve Qytetare në Shkup, në organizim të Fondacionit për Internet and Shoqëri – Metamorfozis, Koalicionit Rural dhe Qendrës për Inovacione Sociale Blink 42-21, në kuadër të projektit “Transformimi Digjital në Nivel Lokal (DIGILOK) – Komuniteti i Përfshirë për Rezistencë ndaj Korrupsionit”, të financuar nga Qeveria e Zvicrës përmes Civica Mobilitas.
Qëllimi i forumit ishte të inkurajohet veprimi kundër korrupsionit, duke i bashkuar përfaqësuesit e institucioneve, vetëqeverisjes lokale, organizatave të shoqërisë civile, aktivistët, ekspertët, qytetarët dhe mediat në luftë të përbashkët të bazuar në gjithëpërfshirje dhe bashkëpunim.
Aleksandër Krzhalovski, Udhëheqës i ekipit kombëtar të programit Civica Mobilitas dhe Drejtor i Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar e prezantoi ngjarjen duke shpjeguar qëllimin e programit Civica Mobilitas dhe duke theksuar vlerën e projektit DIGILOK, si dhe punën e organizatave partnere në luftën kundër korrupsionit.
Në fjalën e tij të hapjes, Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis shpjegoi se për një transformim digjital të përshtatshëm me qëllimin, përfitimet e tij duhet të jenë në dispozicion të qytetarëve. Ai theksoi se pikërisht kjo është arsyeja që Metamorfozis punon në këtë proces, duke theksuar se me ndihmën e Indeksit të Hapjes ne luftojmë kundër korrupsionit duke siguruar që qytetarët të kenë pasqyrë të plotë në punën e institucioneve.
Në forum u prezantuan gjetjet e fundit nga Vlerësimi i qeverisjes së mirë në njësitë e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut i përgatitur përmes Indeksit të Hapjes për vitin 2024. Edhe me një përmirësim të lehtë, niveli i hapjes së vetëqeverisjes lokale mbetet i ulët, siç konfirmojnë edhe gjetjet e Indeksit të Hapjes, sipas të cilit hapja mesatare e të gjitha 81 njësive të vetëqeverisjes lokale është 37%.
Toni Konjanovski, Kryetar i komunës së Manastirit e cila u shpall si vetëqeverisja më e hapur lokale sipas Indeksit të Hapjes, e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me sektorin e shoqërisë civile. Ai theksoi se sa e rëndësishme është të kuptohet përgjegjësia e autoriteteve lokale ndaj qytetarëve dhe se si ata si komunë përpiqen të jenë më të hapur dhe t’i përfshijnë qytetarët në një numër sa më të madh të vendimeve të rëndësishme.
Në forum u prezantuan edhe përfitimet nga mjeti digjital “mZaednica” (mKomuniteti), duke e përfshirë performancën e re për konsultime me qytetarët dhe përcaktimin e prioriteteve të komunitetit.
Dragan Ananiev, Sekretar i komunës së Koçanës, i cili njëkohësisht është edhe përdorues i platformës “mZaednica” (mKomuniteti), i shpjegoi përfitimet e përdorimit të kësaj platforme, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit. Ai shpjegoi se megjithëse aplikacioni ka një sërë shërbimesh të ndara sipas sektorëve, qytetarët më së shumti e përdorin për të raportuar problemet me higjienën komunale.
Informacion rreth projektit
Projekti “Transformimi Digjital në Nivel Lokal (DIGILOK) – Komuniteti i Përfshirë për Rezistencë ndaj Korrupsionit” është projekt i Fondacionit për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” nga Shkupi, i cili realizohet në partneritet me “Koalicionin Rural” nga Kërçova dhe Qendrën për Inovacione Sociale “BLINK 42-2” nga Shkupi. Projekti mbështetet financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes Civica Mobilitas. Projekti mbështet përfshirjen aktive të komunitetit në ndërtimin e rezistencës së fortë ndaj korrupsionit në nivel lokal. Kur komuniteti monitoron në mënyrë proaktive dhe kërkon përgjegjësi nga autoritetet lokale, ai krijon një ekosistem të fortë që e redukton korrupsionin. Kështu kultivohet një kulturë transparence dhe përgjegjësie, e cila e parandalon avancimin e praktikave korruptive dhe kontribuon për një qeverisje më të drejtë lokale.
Ndaje: