Duhet të kemi qytetarë të arsimuar dhe edukuar me njohuri dhe shkathtësi për t’u përballur me sfidat e sigurisë kibernetike, ndërkaq shteti duhet të jetë efikas dhe të garantojë legjislativ përkatës. Kjo mes tjerash u tha në panelin “Siguria kibernetike dhe të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor” në kuadër të edicionit të 18-të të konferencës dyditore ndërkombëtare “e-Shoqëri.mk” të organizuar nga Fondacioni “Metamorfozis” në Shkup.

Në panelin e moderuar nga Marijana Jançeska nga Metamorfozis, panelistët ofruan pasqyrë të kapaciteteve ekzistuese të sigurisë kibernetike në vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe dhanë rekomandime për përfshirjen e standardeve të të drejtave të njeriut në qeverisjen e sigurisë kibernetike dhe për zbatimin më të mirë të normave brenda kornizave të të drejtave të njeriut në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ka dallime të ndryshme në definicionet e kiber sigurisë, konotacionet më të shpeshta janë struktura kritike të koncentruara rreth idesë për sigurinë shtetërore ose kombëtare, por sa strategjitë kombëtare i përmendin të drejtat e njeriut – shumë pak. Kur bëhet fjalë për rekomandime, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ekonomitë në këto vende tregojnë një përparim në kornizën ligjore, ka bazë, shtylla solide, por ekspertët janë që të krijohet një kulturë për kiber siguri që përfshinë vetëdije për këtë temë, kundruall aspektit të qasjes apo reagimeve. Kiber siguria është kujdes i përbashkët jo vetëm për një grup të vogël specifik të aktorëve”, tha Laylo Merali nga Qendra për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë DCAF, Gjenevë.

Paneli “Siguria kibernetike dhe të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor”
Paneli “Siguria kibernetike dhe të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor”

Aleksandar Acev nga Qendra Kombëtare për Reagim ndaj Incidenteve Kompjuterike e cila funksionon në kuadër të Agjencisë për Komunikime Elektronike, tha se duhet të punohet në identifikimin e pjesëve të cenueshme dhe rreziqeve dhe në mënyrë të vazhdueshme ta ngritim vetëdijen. Ai tha se duhet të rregullohet dhe çështja ligjore.

“Ende nuk kemi një ligj të dedikuar sa i përket sigurisë kibernetike, kemi një draft ligj në publik, por nuk është miratuar ende. Nuk e di si do të jetë e ardhmja e tekstit dhe se a do të ketë nevojë për informacion plus ose do të kalojë në një strukturë tjetër. Kur bëhet fjalë për incidentet e sigurisë kibernetike do të theksojë rëndësinë ose mungesën e legjislacionit që do të thotë se statistikat janë mbledhur nga vullnetarët për arsye se nuk ka asnjë vegël se si të raportohen. Kjo është një nga gjërat që presim të adresohen”, tha Acev.

Sipas disa të dhënave nga anketa, të cilën e prezantoi ai, 57% e pjesëmarrësve përdorin antivirus, ndërkaq mbi 40% nuk përdorin softuer antivirus.

“Duhet të kemi qytetarë të arsimuar dhe edukuar me njohuri dhe shkathtësi dhe kjo është e rëndësishme”, porositi Acev duke bërë thirrje për edukimin e qytetarëve për rëndësinë e sigurisë kibernetike.

Paneli “Siguria kibernetike dhe të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor”
Paneli “Siguria kibernetike dhe të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor”

Svetllana Nikolloska, Profesoreshë në Fakultetin e Sigurisë në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir foli për sigurinë kibernetike nga aspekti i mashtrimeve financiare. Sipas saj, shteti duhet të jetë më efikas çështjen e sigurisë kibernetike dhe rrjedhimisht me këtë të edukohen qytetarët.

“Duhet hetime, dikush t’i zhvillojë këto hetime, pasi sigurimi i të dhënave elektronike nuk është punë aq e rëndë. Kompensimi është puna më e vështirë, kriminelët nuk flenë, ata shëtisin, nga një shtet në një shtet tjetër, i transferojnë paratë atje ku s’ka dorë për t’i prekur, ku funksionojnë ofshor shtetet. Kemi kapacitete, kolegët e mi në krim kompjuterik aftësohen gjithnjë e më shumë, por ajo që duhet është që të jenë të vetëdijshëm të gjithë qytetarët, jo të heshtin, pasi që heshtja kriminelëve u ofron një veprim të gjerë”, tha Nikolloska, duke treguar të dhëna në lidhje me krimet financiare nëpërmjet sistemit kompjuterik të cilat kanë ndodhur prej vitit 2017-të në vendin tonë.

Megi Reçi, Instituti për demokraci dhe media, foli për gjendjen e sigurisë kibernetike në Shqipëri duke përmendur skandalin e rrjedhjes së informatave për tabelat e regjistrimit, por edhe sulmeve ndaj ueb-faqes së qeverisë dhe zyrtarëve qeveritar. Ajo gjithashtu dha disa rekomandime për sigurinë kibernetike për shtetet Ballkanit Perëndimor.

“Duhet qasje më gjithëpërfshirëse me qeverisje të mirë, për të drejtat e njeriut. Në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, duhet të zhvillohen instrumente për zbutjen e rreziqeve për diskriminim dhe vendimmarrje, transparenca është mjaft relevante që është e mirë për qeverisjen demokratike, duhet të dimë si t’i vlerësojmë rreziqet. Gjithashtu, sektori privat duhet të jetë llogaridhënës, për të siguruar se janë në pajtueshmëri me mbrojtjen e të dhënave. Gjithashtu duhet të promovohet rregullativa e mediave, në vend të atyre shtetërore, gjithashtu duhet të ndërtohet sistem i përgjithshëm për mbledhje të të dhënave për dhunë online – kjo është diçka që në Shqipëri nuk është dhe nuk lejojnë hulumtim të plotë që të themi se si është gjendja këtu. Duhet që të ndërtohen që të mundemi t’i identifikojmë fushat për intervenim dhe të sjellim drejtësi për ata që kanë qenë të dhunuar”, tha Reçi.

Hvale Vale nga Shoqata për Komunikim Progresiv tha se nëse nuk kemi arsimim përkatës, atëherë pa rezultate do të zhvillojmë teknologji dhe se nuk mund të thuhet se siguria nacionale është më e rëndësishme se sa e njeriut. Ajo tha se njerëzit të qëndrojnë në qendrën e sistemit nëse duam të jemi shoqëri e drejtë

“Është shumë me rëndësi që njerëzit qëndrojnë në qendër të çdo sistemi dhe ata nuk kanë forcë të njëjtë, nëse duam të jemi shoqëri e drejtë duhet të jemi shoqëri për të gjithë dhe demokracia është këtu që t’i mbrojë më të prekurit dhe ata nuk janë të prekur pasi që nuk janë mjaftueshëm të fuqishëm, por sepse ka sistem i cili në mënyrë strukturore i diskriminon dhe i mban nën ujë jashtë prej vëmendjes. Kështu që nuk është gabim i njerëzve, duhet ta ndryshojmë dhe të kuptojmë se hierarkia e sigurisë kibernetike i bën njerëzit faktor dhe duhet të përqendrohemi te përvoja e tyre, zëri, pjesëmarrja dhe pa këtë ne nuk mund të kemi siguri dhe liri për të gjithë”, tha Vale.

Ndryshe, edicioni i sivjetshëm i e-Shoqëri.mk zgjatë 2 ditë dhe përbëhet nga 7 diskutime në panel, 2 fjalime frymëzuese, 1 debat televiziv dhe 1 shfaqje të filmit “Motrat” nga Dina Duma (në Kinematekën e Maqedonisë së Veriut). Aktivistë, ekspertë, gazetarë, nëpunës shtetërorë dhe mbështetës nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë do t’i ndajnë pikëpamjet dhe mendimet e tyre mbi transformimin digjital të administratës publike dhe shoqërive në Ballkanin Perëndimor, respektimin e të drejtave të njeriut në hapësirën online, mbikëqyrjen dhe përpunimi e të dhënave biometrike, privatësinë, pasojat e ngacmimit kibernetik në jetën reale, si dhe tejkalimin e hendekut gjinor në sigurinë kibernetike. Konferenca do të përfshijë gjithashtu diskutime mbi narrativet e dezinformimit, efektet e dezinformatave dhe ndikimet e huaja të dëmshme mbi demokracinë e Maqedonisë së Veriut, si dhe për kërcënimet e sigurisë ndaj demokracisë dhe përpjekjet evropiane për t’i luftuar dezinformatat.

Link deri tek origjinali: Konferenca “e-Shoqëri.mk”, parandalimi dhe edukimi i shoqërisë, janë arma më e fortë për siguri kibernetike – PORTALB

Ndaje: