Digjitalizimi i proceseve ka sjellë shumë kërcënime dhe në këtë mënyrë ka ngritur shqetësime të rëndësishme për mbrojtjen e të dhënave. Për këtë arsye, si pjesë e konferencës ndërkombëtare GOT_DATA që u mbajt më 10 dhjetor në Prishtinë, shqyrtimi i rëndësisë së mbrojtjes së të dhënave si rajon, ishte pjesë e diskutimit të dytë në panel, të moderuar nga Zëvendës Drejtorja e Open Data Kosovo (Të dhënat e hapura Kosovë), Dafina Oluri.
Ndërhyrjet në të dhëna, siguria e të dhënave tona dhe sulmet kibernetike ishin disa nga çështjet kryesore që u diskutuan në këtë panel. Folësit e pranishëm folën edhe për mënyrën sesi institucionet e tyre merren me çështje të tilla urgjente dhe çfarë mekanizmash përdoren për t’i parandaluar apo sanksionuar ato. Në mesin e tyre ishin Krenare Sogojeva Dërmaku – Komisionere nga Kosov, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) nga Kosova, Gjorgji Rajçinoski – bashkëpunëtor i ri – mbikëqyrës (Departamenti i Mbikëqyrjes, Departamenti i Shkeljeve të Sigurisë dhe Shkeljeve të së Drejtës për Mbrojtjen e të Dhënave Personale) në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nga Maqedonia e Veriut, Aleksa Ivanoviq – ish-anëtar i Këshillit të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Qasje të Lirë në Informata në Mal të Zi, dhe ekspert për mbrojtjen e të dhënave personale nga Mali i Zi, dhe Uro Misljenoviq – Zyrtar programesh në “Partnerët Serbi” nga Serbia.
Aleksa Ivanoviq iu referua mospërputhjes së ligjit malazez me GDPR dhe zhvillimeve të fundit në këtë fushë. “Agjencinë e kemi themeluar për herë të parë në vitin 2009, kur kemi filluar ta mbrojmë këtë të drejtë kushtetuese. Baza ligjore që e përdorëm për ligjin ishte një direktivë e vitit 1996 dhe tani Mali i Zi është në proces të hartimit të një ligji të ri dhe ai ligj duhet të harmonizohet me GDPR” – tha ai. Ai po ashtu theksoi se sipas planeve, ligji duhet të jetë në Kuvend vitin e ardhshëm dhe se pritet me shumë padurim. Ai sugjeroi që institucionet të bëjnë transferime më të shpeshta të njohurive, jo vetëm në rajon, por edhe nga vendet e tjera të BE-së për të avancuar këtë të drejtë të njeriut.
Gjorgji Rajçinoski foli për praktikat e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nga Maqedonia e Veriut, duke theksuar se Ligji në Maqedoninë e Veriut është plotësisht në përputhje me GDPR-in dhe se tashmë është duke u punuar në zbatimin e tij duke krijuar udhëzime për mbështetje për praktikuesit, për ngritjen e kapaciteteve dhe për ngritjen e vetëdijes, ndër të tjera. Ai vlerësoi se në këtë mënyrë po tentohet të adresohet ndërgjegjësimi dhe kuptimi i pamjaftueshëm i ligjit nga subjektet publike dhe private, si dhe nga sektori civil. “Për shkak se gjithçka është bërë digjitale dhe kemi qenë dëshmitarë sesi KOVID-i e ka ndryshuar jetën tonë, ndërsa njerëzit tani i përdorin shpesh platformat digjitale për të paguar fatura, për të blerë diçka online, Agjencia ka marrë vendim të bëjë më shumë monitorim online të funksionalitetit dhe sigurisë së ueb-faqeve (të shitësve online)” – theksoi Rajçinoski.
“Siç e dini tashmë, Kosova e ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave, i cili është plotësisht në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave e njohur si GDPR. Në fakt, Kosova e ka miratuar Ligjin në vitin 2019, por funksionimi i Agjencisë sapo ka filluar në qershor të këtij viti. – theksoi komisionerja kosovare, Krenare Sogojeva Dërmaku. Ajo e sheh Ligjin si mjet për respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe tha se si rajon jemi shumë me fat që tani e kemi këtë mekanizëm për t’u kujdesur në mënyrë më efektive dhe në përputhje me Ligjin t’i zgjidhim rastet e mbrojtjes së të dhënave, dhe në këtë mënyrë të marrim vendime dhe të shqiptojmë dënime ligjore. Komisionerja theksoi se si rajon, madje edhe nëse jo të gjitha ligjet e vendeve janë të harmonizuara me GDPR-in, megjithatë ata duhet të punojnë së bashku, t’i identifikojnë praktikat më të mira nga rajoni dhe t’i miratojnë ato në sistemin e tyre, si dhe të ndërtojnë besim të ndërsjellë ndërmjet vendet për mbrojtjen e të dhënave.
Duke u lidhur virtualisht, Urosh Misljenoviq nga “Partnerët për Ndryshim Demokratik – Serbi”, theksoi se Serbia kishte një Ligj për Mbrojtjen e të Dhënave para vitit 2018, kur ai Ligj u përmirësua dhe në esencë ai është një përzierje e dispozitave të GDPR dhe Direktivës për Zbatimin e Ligjit, të dyja dokumente të BE-së të përkthyera në një dokument. “Kur i shikoni këto gjëra nga një këndvështrim tjetër, do të thoshit, ‘Në rregull, Ligji është në përputhje sepse kemi GDPR, apo jo?’ Edhe po edhe jo. Ne nuk i kemi dispozitat përkatëse të mbështetjes specifike që vendet e BE-së i kanë miratuar deri më tani.” – theksoi ai, duke shtuar se kapacitetet institucionale për zbatimin e këtij ligji janë të pamjaftueshme dhe nuk ka pasur shumë mundësi apo përpjekje për tejkalimin e këtyre kërkesave themelore për harmonizim me ligjin.
Albumin nga kjo ngjarje mund ta shikoni këtu dhe në rast se nuk e keni ndjekur ngjarjen, mund t’i shikoni videot e mëposhtme.
——————————————————————————————————————————————
Konferenca është pjesë e projektit rajonal “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA” i cili bashkë-financohet nga Bashkimi Evropian dhe i paraqet rezultatet e projekteve të mbështetura nga NED (Fondi Kombëtar për Demokraci), DEMOS, Mbretëria e Holandës, Suedia dhe Norvegjia.
Projekti “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjedën Digjitale – ICEDA”, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë).
Ndaje: