Edicioni i gjashtëmbëdhjetë i konferencës e-Shoqëri.mk në temën Angazhimi dhe efektiviteti – qeverisja e mirë dhe interneti u mbajt më 25 dhe 26 nëntor 2020. Për herë të parë konferenca u organizua në internet për shkak të pandemisë së KOVID-19. Ajo u transmetua gjithashtu drejtpërdrejt në Facebook, duke mundësuar pjesëmarrje të gjerë në ngjarje. Ky edicion i konferencës e-Shoqëri.mk synonte të promovojë një kulturë të hapur në të gjitha sferat e jetës dhe qeverisjes, duke e lidhur atë me digjitalizimin si një element i qenësishëm i hapjes. Në konferencë morën pjesë gjithsej 132 pjesëmarrës nga 18 vende të ndryshme, të cilët e pasuruan karakterin ndërkombëtar të konferencës.
Në sesionin e parë u prezantuan disa histori dhe rekomandime frymëzuese që e vendosën tonin e konferencës dhe e nxitën diskutimin që vijoi edhe në sesionet e tjera. Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri, e hapi konferencën duke e theksuar përkushtimin e qeverisë për digjitalizimin e mëtejshëm, bashkë me përmirësimin e aftësive digjitale të popullatës së gjerë – duke pasur parasysh se rreth 90% e vendeve të lira të punës në vitin 2020 kërkonin një shkallë të aftësive digjitale. Christina Reinslau nga Akademia për e-Qeverisje e theksoi nevojën për të filluar menjëherë punën drejt digjitalizimit, duke filluar me hapa të vegjël, por me vizion të qartë të qëllimit, duke dhënë shembuj nga rasti i Estonisë, e cila mundësoi digjitalizimin e përgjithshëm të vendit. Chris Worman nga Techsoup Europe e theksoi rolin e shoqërisë civile në forcimin e kapacitetit të njerëzve dhe sigurimin e mbështetjes për përdorimin aktiv të mjeteve të nevojshme për pjesëmarrje të përgjegjshme dhe efektive në digjitalizimin që është gjithnjë në zhvillim. Megjithatë, siç theksoi Chris, vetëm disponueshmëria e internetit, softuerit dhe pajisjeve nuk është e mjaftueshme për të siguruar digjitalizimin e plotë: procesi duhet të mbështetet nga zhvillimi i vazhdueshëm i aftësive dhe i politikave të nevojshme për të ofruar siguri dhe përdorim masiv.
David Geer, Shef i Delegacionit të BE në Shkup, e theksoi rëndësinë e digjitalizimit në Bashkimin Evropian dhe mbështetjen e BE-së për Maqedoninë e Veriut për të zhvilluar infrastrukturën e nevojshme për të siguruar digjitalizim të sigurt dhe efektiv. Ambasadori Geer, gjithashtu i nënvizoi rreziqet që i paraqet teknologjia, si dhe përhapjen e gjerë të dezinformatave, që kërkon edukim të vazhdueshëm në edukimin digjital dhe mediatik.
Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, i cili e moderoi sesionin hyrës, vuri në dukje se këtë vit, për fat të keq, për shkak të pandemisë, emri i konferencës e-Shoqëri.mk bëhet edhe më i rëndësishëm sepse pothuajse të gjitha aspektet e jetës sonë zhvillohen në internet, si p.sh. trajnimet, mësimi në distancë dhe shumë të tjera. Ai theksoi se askush nga ne nuk dëshiron e-shoqëri që do të na imponohet si rezultat i rrethanave fatkeqe, por duam një e-shoqëri në të cilën do të ndihemi rehat, në të cilën do të përdorim me kompetencë dhe me përgjegjësi teknologjinë dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira që të punojnë së bashku për të përshpejtuar punën në rrugën drejt digjitalizimit.
Sesioni i radhës u përqendrua në Çelësin e qeverisjes së mirë – proceset dhe të dhënat e hapura dhe u moderua nga Marija Nikollovska Arsovska, e cila ishte nikoqire e panelit me folës të shquar. Rudi Borman nga PQH në nivelin lokal, Kristina Jovanova nga Misioni i OSBE-së në Shkup, Gordana Gapiq-Dimitrovska nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Blerina Ramaj nga Open Data Kosovo folën për përvojat e tyre, njohuritë dhe rekomandimet se pse dhe si implementohen proceset e hapura dhe pse zbulimi i të dhënave të hapura duhet të bëhet prioritet i institucioneve publike në nivelin qendror dhe lokal. Përfundimi i përgjithshëm i këtij sesioni ishte se angazhimi i qytetarëve në vendimmarrje është thelbësor për demokracinë dhe se kjo mund të arrihet me sukses përmes qasjes më të madhe në informata, të dhënave të hapura, teknologjisë dhe praktikës pjesëmarrëse nga institucionet publike.
Në këtë sesion u nda mendimi se institucionet publike sot duhet vazhdimisht të krijojnë mënyra të reja për të shkëmbyer informata me qytetarët, të gjejnë mundësi të reja për dialog dhe ta lehtësojnë qasjen në shërbime. Folësit vunë në dukje përfitimet e hapjes së të dhënave të sektorit publik që do të kontribuojnë në transparencë dhe efikasitet më të madh të qeverisë, ofrim më të mirë të shërbimeve për qytetarët, pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve dhe rritje ekonomike. Në këtë drejtim, u konkludua se është shumë e rëndësishme jo vetëm të inkurajohen institucionet publike të publikojnë të dhëna të hapura, por edhe t’i identifikojnë dhe t’i edukojnë përdoruesit e këtyre të dhënave, në mënyrë që ata të mund t’i përdorin ato të dhëna, duke formuar gjatë kësaj bashkësi të tëra të përdoruesve që do të bashkëpunojnë në bazë të këtyre të dhënave.
Sesioni i titulluar Lokalizimi i Agjendës Digjitale në Ballkanin Perëndimor, i drejtuar nga Milla Josifovska-Danillovska, mblodhi pesë folës që përfaqësojnë institucionet, sektorin e biznesit dhe organizatat ndërkombëtare nga Ballkani Perëndimor: Muhedin Nushi dhe Greza Deda nga komuna e Prishtinës, Sllobodan Markoviq nga UNDP Serbia, Boris Radoviq nga Integrimi i Biznesit dhe Inteligjenca e Biznesit në Malin e Zi dhe Igor Kuzevski nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nga Maqedonia e Veriut.
Shikoni videot nga konferenca:
Dita e parë – Sesioni hyrës –
Dita e parë – Çelësi i qeverisjes së mirë – proceset dhe të dhënat e hapura
Dita e parë – Lokalizimi i Agjendës Digjitale në Ballkanin Perëndimor
Dita e dytë – Roli i gazetarisë hulumtuese në qeverisjen e mirë
Dita e dytë – Edukimi digjital i hapur në Maqedoninë e Veriut – përfitimet nga përdorimi i TIK-ut në procesin arsimor
Dita e dytë – Siguria dhe privatësia – sfidat kryesore në digjitalizimin e arsimit
Folësit e theksuan rëndësinë e qeverisjes së mirë dhe rolin e transformimit digjital në përparimin e demokracisë dhe forcimin e kapacitetit të qytetarëve. Theks i veçantë iu kushtua praktikave të mira të e-shërbimeve elektronike në rajon, gjegjësisht makinës dixhitale “e-Kiosku”, të cilën qytetarët e Prishtinës e përdorin tashmë tre vjet për nxjerrjen e shpejtë dhe të lehtë të pesë llojeve të dokumenteve, si dhe “kiosku digjital” – aplikacion për celular për të paguar shërbime të caktuara në mënyrë të shpejtë, të lehtë dhe të sigurt, që përdoret nga rreth 20,000 qytetarë dhe turistë në Malin e Zi. Konkluzioni i përgjithshëm për një transformim digjital efektiv dhe të qëndrueshëm në rajon është nevoja për mbështetje politike në vendet dhe sigurimi i të drejtës për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale, të cilat edhe sot mbeten sfida në rajon.
Dita e dytë e konferencës filloi me një sesion për Rolin e gazetarisë hulumtuese në qeverisjen e mirë, i cili u moderua nga Goran Rizaov, panelin ky në të cilin morën pjesë katër folës: Dr. Bill Silkock nga Universiteti Shtetëror i Arizonës, Dr. Nikos S. Panagiotou nga Universiteti i Aristotelit në Selanik, Filip Stojanovski nga Fondacioni Metamorfozis dhe Philip Nobel nga Global Voices.
Një përfundim i përsëritur nga të gjitha prezantimet gjatë kësaj sesioni ishte se audienca e kishte humbur besimin në gazetari dhe për këtë arsye kërkon kanale alternative të informimit – të cilat e hapin rrugën për manipulimin, shpërndarjen dhe konsumimin e lajmeve të rreme. Për të rikthyer rolin e tyre hetues, gazetarët duhet ta rikthejnë besimin e publikut përmes transparencës, llogaridhënies dhe theksimit të rëndësisë së etikës në punën e tyre. Modeli i paqëndrueshëm i biznesit i mbështetjes në reklamë dhe kërkesa për informacion të shpejtë, bëri që mediat të pësojnë ndryshime drastike që ndikojnë në marrëdhëniet që ato i ndërtojnë me audiencën e tyre. Nga ana tjetër, mediat duhet të gjejnë mënyra inovative për të theksuar se roli i gazetarisë nuk është thjesht të jesh i pari në publikimin e ndonjë lajmi, por ai lajm duhet të jetë i saktë dhe i besueshëm. Ato nuk duhet vetëm t’i përshkruajnë informatat, por duhet t’u japin atyre kuptim.
Sesioni Arsimi digjital i hapur në Maqedoninë e Veriut – përfitimet nga shfrytëzimi i TIK-ut në procesin arsimor, i moderuar nga Goce Arsovski, bashkoi një panel të folësve të shquar: Sead Xhigall nga Universiteti Ndërkombëtar i Ballkanit, Natasha Angjeleska nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni, Alvin Salimovski nga shkolla fillore “Vëllezërit Ramiz dhe Hamid” dhe Suzana Kiranxhinska nga Fondacioni “Hap pas Hapi”.
Folësit e sollën procesin arsimor më afër audiencës me një theks të veçantë në arsimin digjital që filloi me pandeminë në Maqedoninë e Veriut. Theksi u vu në sfidat kryesore me të cilat përballen mësimdhënësit, udhëheqësia e shkollës, prindërit dhe nxënësit si përdorues të fundit në procesin arsimor. Përfundimi i përgjithshëm i panelistëve ishte se mjetet digjitale janë bërë mjeti kryesor në procesin arsimor, por megjithatë, gjëja më e rëndësishme është të sigurohen mundësi të barabarta për të gjithë. Fatkeqësisht, jo të gjitha shkollat ishin në gjendje të përshtaten në mënyrë adekuate me procesin e arsimit online, shpesh në dëm të cilësisë së arsimit që e marrin nxënësit.
Konferenca përfundoi me punëtorinë për Sfidat kryesore në digjitalizimin e arsimit në Maqedoninë e Veriut. Punëtoria ishte e hapur për të gjithë aktorët në proces dhe qëllimi i saj ishte të identifikonte rreziqet më të mëdha ndaj sigurisë dhe privatësisë në arsimin digjital. Punëtoria përbëhej nga një diskutim i përgjithshëm i të gjithë aktorëve në arsimin dixhital, si dhe për kërcënimet e zakonshme me të cilat përballen këta njerëz çdo ditë. Kjo çoi në përdorimin e një mjete interaktive Mentimetër që pjesëmarrësit e përdorën për t’i hartëzuar rreziqet dhe për t’u dhënë atyre prioritet. Rreziqet më të mëdha janë identifikuar gjatë përdorimit të të dhënave biometrike dhe ngacmimit në internet (cyberbullying). Në punëtori morën pjesë rreth 50 pjesëmarrës.
Ndaje: