Përfaqësues të Fondacionit Metamorfozis marrin pjesë në Samitin e Lirisë së Internetit të organizuar nga Iniciativa për Sundimin e Ligjit e Shoqatës Amerikane të Avokatëve (ABA ROLI) që zhvillohet në Strugë, në periudhën prej 24 deri më 28 qershor 2024.
Në kuadër të Samitit, organizohen 15 diskutime në formën e diskutimeve në panel, punëtorive dhe prezantimeve që ofrojnë hapësirë për diskutim dhe informim rreth proceseve dhe sfidave aktuale që lidhen me shërbimet digjitale, mbrojtjen e integritetit digjital të grave, të drejtat digjitale, standardet etike për rregullimin e inteligjencës artificiale, ndikimin e teknologjive të reja mbi të drejtat e njeriut në internet, barazinë digjitale, mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë, lirinë e shprehjes në internet, etj. Në këtë ngjarje marrin pjesë rreth 40 përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve publike, mediave, aktivistëve të të drejtave të njeriut, komunitetit akademik, ekspertëve të të drejtave digjitale, etj. nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Moldavia dhe Rumania.
Pjesa publike e Samitit u hap me një diskutim në panel mbi zbatimin e Ligjit për Shërbimet Digjitale (Digital Service Act) të Bashkimit Evropian dhe ndikimin e tij në Rajonin Juglindor. Ligji për Shërbimet Digjitale e mbështet parimin se veprimet që konsiderohen të paligjshme në botën reale duhet të ndalohen në mënyrë të barabartë edhe në internet, duke vendosur detyrime të rëndësishme për platformat dhe mekanizmat online për të mbrojtur të drejtat themelore të përdoruesve. Megjithatë, zbatimi efektiv i këtij ligji kërkon përpjekje të konsiderueshme nga vendet e BE-së, veçanërisht në krijimin e mekanizmave të fuqishëm dhe në veçanti përmes caktimit të një koordinatori për shërbimet digjitale. Nëpërmjet këtij diskutimi në panel, folësit prezantuan qasje të ndryshme për zbatimin e këtij ligji, me prezantim të përvojave të Rumanisë, modelit inovativ shumëpalësh të Gjermanisë dhe perspektivave të vendeve të Ballkanit teksa përgatiten për t’u harmonizuar me këtë ligj, si Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Folës në diskutimin në panel ishin Bogdan Manolea nga Shoqata për Teknologji dhe Internet (Rumani), Emily Wright nga Partnerët për Ndryshime Demokratike (Serbi) dhe Milla Josifovska Danillovska nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), së bashku me moderatoren Milica Toshiq nga Partnerët për Ndryshime Demokratike (Serbi).
E pyetur se si duhet të duket sistemi që do të mbështesë zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me Ligjin për Shërbime Digjitale, Josifovska Danillovska tha se nevojitet një qasje multisektoriale për të krijuar një ekosistem me shumë aktorë që, përveç institucioneve shtetërore, do ta përfshijë edhe shoqërinë civile, institucionet akademike dhe sektorin privat. “Shoqëria civile, institucionet akademike dhe sektori privat kontribuojnë me njohuri të specializuara për menaxhimin e të dhënave, privatësinë, transparencën, rregullimin e mediave dhe teknologjinë. Përfshirja e tyre është thelbësore për zgjidhjet inovative të sfidave që lidhen me Ligjin për Shërbime Digjitale, duke promovuar ndarjen e përgjegjshme të të dhënave, mbrojtjen e të drejtave individuale dhe inkurajimin e inovacionit digjital.”
Ndaje: