Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Fondacioni “Metamorfozis” organizuan një “Trajnim njëditor për sigurinë në internet për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit”.

Qëllimi i trajnimit ishte ngritja e vetëdijes për rreziqet në internet, si dhe për përgjegjësitë e prindërve, institucioneve arsimore dhe organeve të administratës shtetërore në trajtimin e incidenteve në internet në mesin e nxënësve të shkollave fillore.

“Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratëse ka vendosur sigurinë në internet në fokusin e punës së saj me përgatitjen e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Sigurinë në Internet. Ajo që është më e rëndësishmja në përballimin e problemit të krimit kibernetik dhe rreziqeve me të cilat përballemi të gjithë në internet, është të kuptojmë se bëhet fjalë për një problem global që nuk njeh kufij. Nga ana tjetër, në nivelin lokal duhet të jemi të vetëdijshëm se mund të përballemi me këtë problem vetëm nëse bashkohemi të gjithë së bashku. Këtu e kam fjalën për institucionet qeveritare dhe arsimore, komunitetin e biznesit, sektorin joqeveritar, prindërit, mësimdhënësit dhe fëmijët, të cilët që në moshë të hershme duhet të mësojnë se si ta përdorin internetin” – tha Mançevski.

Ai shtoi se vendi ynë është në hap me trendet evropiane, gjegjësisht, pothuajse 75 përqind e popullsisë së moshës 15-19 vjeç, ka një profil në rrjetet sociale.

Ministri i arsimit, Arbër Ademi tha se tashmë disa vjet ka pasur qëndrueshmëri në politikat për mbrojtjen dhe sigurinë e nxënësve dhe të rinjve në përgjithësi gjatë përdorimit të internetit.

“Janë futur ndryshime në sistemin arsimor, të cilat vazhdimisht po avancohen, e po ashtu fusim edhe përmbajtje të reja, gjegjësisht zbatojmë aktivitete të reja në përputhje me Strategjinë Kombëtare dhe Planin e Veprimit për Sigurinë në Internet për Periudhën 2018-2022” – theksoi Ademi.

Drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari, tha se qasja e përbashkët inkluzive ndaj temës së sigurisë në internet është më e përshtatshme për t’u përballë me të gjitha rreziqet e mundshme gjatë përdorimit të internetit.

“Fëmijët dhe të rinjtë sot jetojnë në një botë të transformuar nga teknologjitë digjitale. Prandaj ata kanë nevojë për arsimim që do t’u sigurojë atyre një përmbledhje njohurish dhe aftësish që do t’u mundësojnë të përballen në mënyrë kompetente dhe të sigurt me ndërlikimet e botës moderne digjitale rreth tyre. Që nga formimi i tij, Fondacioni “Metamorfozis” e ka njohur këtë nevojë dhe që atëherë ka kontribuar me trajnime, fushata për ngritjen e vetëdijes publike, përmbajtje arsimore multimediale dhe burime të tjera arsimore për fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësimdhënësit që fokusohen në sigurinë digjitale. Për shkak të kompleksitetit, por edhe dinamikës së zhvillimit të teknologjive digjitale, është e nevojshme që me përpjekje, burime dhe ekspertizë të përbashkët, institucionet kompetente shtetërore, organizatat joqeveritare, por edhe komuniteti i biznesit, të angazhohen për ngritjen e kapaciteteve të të gjithë qytetarëve, e veçanërisht të të rinjve për t’u angazhuar pozitivisht, në mënyrë kritike dhe kompetente në mjedisin digjital, për të komunikuar dhe për t’i praktikuar në mënyrë efektive format e pjesëmarrjes sociale që i respektojnë të drejtat dhe dinjitetin e njeriut përmes përdorimit të përgjegjshëm të teknologjisë. Kjo është arsyeja pse trajnimi i sotëm njëditor është shumë i rëndësishëm, pasi është një iniciativë e përbashkët e sektorit qeveritar (MSHIA-së dhe MASH-it), sektorit joqeveritar (“Metamorfozis”) dhe bashkësisë ndërkombëtare (OSBE-së). Shpresoj se do të vazhdojmë me këtë bashkëpunim dhe se me trajnime të ngjashme do të përfshijmë një numër më të madh të shkollave – tha Jashari.

Në trajnimin njëditor marrin pjesë përfaqësues nga Ministritë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përfaqësues nga institucione dhe organizata të tjera relevante, kuadri mësimdhënës dhe administrativ i Sh.F. “Kiril Pejçinoviq” dhe Sh.F. “Hasan Prishtina”, nxënës dhe prindër.

Në vitin 2018, Qeveria e miratoi Strategjinë Kombëtare dhe Planin e Veprimit për Sigurinë në Internet 2018-2022, e cila parashikon realizimin e aktiviteteve që lidhen me rritjen e vetëdijes dhe njohurive themelore në fushën e sigurisë në internet në të gjitha nivelet e arsimit.

Ndaje: