Fondacioni Metamorfozis e mbështet iniciativën e EDRI-t, Iniciativës Evropiane për të Drejtat Digjitale, pjesë e së cilës është edhe “Metamorfozis” – e cila paralajmëron se “Omnibusi Digjital” i Komisionit Evropian përfaqëson një kthim të rëndësishëm mbrapa për mbrojtjet digjitale në BE. Komunikatën e plotë për shtyp mund ta lexoni këtu.

Burimi: EDRi

Omnibusi Digjital i propozuar nga Komisioni Evropian përfaqëson një nga kthimet më të rëndësishme prapa në mbrojtjen e të drejtave digjitale në BE deri më sot. Edhe pse paraqitet si një ushtrim teknik që synon thjeshtimin dhe harmonizimin e legjislacionit, organizatat e shoqërisë civile si EDRi paralajmërojnë se kjo do të rihapë dhe do t’i dobësojë shtyllat kryesore të kornizës evropiane për të drejtat digjitale, duke përfshirë GDPR-në, Direktivën për Privatësinë Elektronike dhe pjesë të Ligjit për Inteligjencën Artificiale. Për Maqedoninë e Veriut, një vend që po harmonizohet në mënyrë aktive me standardet e BE-së dhe përpiqet të forcojë qeverisjen demokratike përmes transformimit digjital, këto zhvillime nuk duhet të perceptohen si të largëta ose të parëndësishme.

Edhe pse Maqedonia e Veriut ende nuk është anëtare e BE-së, standardet rregullatore evropiane e formësojnë mënyrën se si zhvillohen politikat digjitale në të gjithë rajonin. Institucionet, kompanitë dhe organizatat tona të shoqërisë civile kanë tendencë të përputhen me normat e BE-së, kryesisht përmes harmonizimit ligjor ose përmes varësisë sonë nga teknologjitë dhe platformat e bazuara në BE. Në rast se BE-ja i dobëson masat e saj mbrojtëse të privatësisë ose e kufizon fushëveprimin e mbrojtjes së të dhënave personale, kjo do të dërgojë një mesazh shumë të fortë se një dobësim i tillë i rregullave është i pranueshëm, gjë që do t’a bëjë më të vështirë për vende si i yni të këmbëngulin për standarde më të forta të orientuara drejt qytetarëve dhe të drejtave të njeriut. Kjo është veçanërisht shqetësuese në procesin e përpjekjeve tona për të avancuar shërbime transparente dhe të përgjegjshme elektronike, për të ndërtuar besimin e publikut dhe për të siguruar përfshirjen e komuniteteve të cenueshme në sferën digjitale.

Për Maqedoninë e Veriut, rreziqet janë veçanërisht kritike. Dobësimi i rregullave të privatësisë të BE-së mund të çojë në një pranim më të gjerë të praktikave që u lejojnë kompanive të kenë më lehtë qasje në të dhënat nga pajisjet personale, të profilizojnë individë pa pëlqimin e tyre të plotë ose të përdorin informacione të ndjeshme për t’i trajnuar sistemet e inteligjencës artificiale me mbikëqyrje të kufizuar. Këto trende i dëmtojnë në mënyrë disproporcionale komunitetet e cenueshme të cilat janë tashmë të ekspozuara ndaj diskriminimit, keqpërdorimit të të dhënave dhe aftësisë së kufizuar për të kontestuar vendimet algoritmike. Nëse mjedisi rregullator zhvendoset drejt “lehtësisë për korporatat” në vend të mbrojtjes së publikut, këto komunitete mund të përballen me pabarazi edhe më të thella digjitale.

Në një rast të tillë, ky kthim mbrapa në BE do të mund t’i minojë përpjekjet shumëvjeçare për të promovuar qeverisjen e përgjegjshme digjitale, gjë që mund t’i inkurajojë institucionet të miratojnë qasje të ngjashme “më të lehta” ndaj menaxhimit të të dhënave, duke i dhënë përparësi efikasitetit ndaj të drejtave ose shpejtësisë ndaj masave mbrojtëse. Kjo do të ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me përpjekjet tona të vazhdueshme për të siguruar që transformimi digjital funksionon për t’i mbrojtur dhe për t’u shërbyer qytetarëve, e jo në kurriz ose në dëm të tyre.

Prandaj, këto zhvillime rreth Omnibusit Digjital duhet të monitorohen me kujdes dhe të diskutohen publikisht në Maqedoninë e Veriut, sepse ajo që ndodh në BE ndikon drejtpërdrejt në të ardhmen tonë digjitale. Përderisa jemi duke i formësuar kornizat tona ligjore, strategjitë e transformimit digjital dhe shërbimet elektronike, duhet të këmbëngulim që privatësia, transparenca dhe llogaridhënia të mbeten themele të panegociueshme, pa lejuar që trendet rajonale t’i normalizojnë masat më të dobëta mbrojtëse ose t’i reduktojnë të drejtat digjitale në çështje lehtësimit administrativ. Në vend të kësaj, duhet të përqendrohemi në një transformim të përgjegjshëm digjital që kërkon masa të forta mbrojtëse, procese gjithëpërfshirëse dhe përkushtim për t’i mbrojtur të gjitha komunitetet, veçanërisht ato që janë më të rrezikuara.

Ndaje: