
Robert Gebeloff nga “The New York Times” në një nga trajnimet në kuadër të programit “Gazetaria për Gjeneratën e Re” | Foto: Meta.mk
Fondacioni Metamorfozis dhe Qendra Ndërkombëtare për Gazetarët për të tretin vit radhazi po vazhdojnë programin “Gazetaria për Gjeneratën e Re“me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Shkup. Këtë vit, dhjetëra të rinj nga vendi kanë mundësinë të marrin pjesë në trajnime, të jenë pjesë e një praktike të paguar, ndërsa më të mirët do të shkojnë në një vizitë studimore njëjavore në SHBA.
Këtë vit, do të mbahen tre punëtori, e para në nëntor në temën e Gazetarisë së Bazuar në të Dhëna, e dyta në shkurt mbi Verifikimin e Fakteve dhe e treta në prill në temën e Pre-Bunking-ut.
Pjesëmarrësit më të mirë në tre punëtoritë do të ftohen në një praktikë njëmujore të paguar në njërën nga tre mediat e Fondacionit Metamorfozis – Agjencinë e Lajmeve Meta, Portalb dhe Vërtetmatësi. Megjithatë, praktikantët më të mirë do të kenë mundësinë ta vizitojnë kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uashingtonin, ku do të qëndrojnë për një javë gjatë verës.
Punëtoria e parë në temën e Gazetaris së Bazuar në të Dhënat (Data Journalism) do të mbahet nga data 13 deri më 15 nëntor në Shkup dhe kushdo që është i interesuar të marrë pjesë, i cili është midis moshës 18 dhe 29 vjeç, mund të aplikojë në këtë link.
Trajnerë do të jenë gazetarët e shquar të “New York Times”, Robert Gebeloff, i cili gjithashtu mban ligjërata për gazetari të bazur në të dhënat në Fakultetin e Gazetarisë të Universitetit Kolumbia në Nju Jork. Përveç Gebeloff, trajnues do të jetë edhe kryeredaktori i Agjencisë së Lajmeve Meta, Goran Rizaov.
Pjesëmarrësit në punëtorinë e parë do të mësojnë rreth të gjithë procesit të punës me të dhëna, që nga gjetja, shkarkimi, pastrimi, analiza dhe vizualizimi. Ata do të mësojnë se si të përdorin mjete të përparuara për këto qëllime që janë falas për t’u përdorur. Ndër të tjera, në punëtori do të demonstrohen bazat e softuerit për vizualizimin e të dhënave – R.
Numri i pjesëmarrësve është i kufizuar, ndërsa të gjithë ata që janë të interesuar të marrin pjesë në këtë punëtori mund të aplikojnë në këtë link. Punëtoria do të zgjasë tre ditë dhe do të mbahet tërësisht në anglisht.
Në të njëjtën kohë, aplikimet për dy punëtoritë e tjera, atë mbi verifikimin e fakteve dhe atë mbi pre-bunkingun, gjithashtu janë të hapura. Datat dhe vendet e sakta do të përcaktohen më vonë.
Punëtoria për Gazetarinë e Bazuar në të Dhëna (13-15 nëntor 2024) – apliko këtu;
Punëtoria për Verifikimin e Fakteve (Shkurt 2025) – apliko këtu;
Punëtoria për Pre-bunking (prill 2025) – apliko këtu.
Ndaje: