Me ftesë të Partnerëve për Ndryshim Demokratik Serbi (Partnerët Serbi), Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis ishte pjesë e konferencës “E ardhmja e qasjes së lirë në informata”. Ngjarja u mbajt më 6 shtator 2024 në Beograd, dhe është pjesë e serisë së ngjarjeve me të cilat shënohet dita ndërkombëtare e qasjes së lirë në informata me karakter publik.
Dançe Danillovska-Bajdevska, Drejtore e programeve në Fondacionin Metamorfozis, ishte pjesë e panelit të parë rajonal “Liria e shprehjes dhe e informimit në kohë krize dhe turbulencash politike”, së bashku me Ilaria Fevola, këshilltare juridike në ARTICLE 19, Tijana Cvejetiçanin, Drejtore e programeve në Shoqatën “Zashto ne?” (Pse jo?) nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Milena Gvozdenoviq, Zëvendës- Drejtoreshë Ekzekutive në Qendrën për Tranzicion Demokratik nga Mali i Zi.
Biseda në panelin e parë iu kushtua kuptimit të sfidave në ushtrimin e së drejtës së publikut për të ditur, lirisë së fjalës dhe pozitës së mediave dhe aktivistëve në rajon dhe botë. Gjatë panelit u prezantua edhe hulumtimi rajonal i Indeksit të hapjes për gjendjen e hapjes së institucioneve publike në vendet e rajonit.
Si pjesë e rrjetit ACTION SEE përmes Indeksit Rajonal të Transparencës, Fondacioni Metamorfozis dhe partnerët e tij tashmë 8 vjet me radhë i kanë monitoruar autoritetet ekzekutive dhe legjislative në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Ajo që mund të konkludohet është se, parë në nivel rajonal, në 3 vitet e fundit nuk ka pasur arritje të mëdha sistematike në këtë fushë, ndonëse vendet e rajonit janë të përkushtuara deklarativisht për avancimin e transparencës institucionale. Një nga arsyet për këtë është paqëndrueshmëria e vazhdueshme politike në rajon, e cila ndikon në zhvillimin e politikave dhe kulturave të hapjes së autoriteteve. Gjetjet tregojnë se jo të gjitha vendet punojnë me përkushtim në këtë fushë, veçanërisht jo në të gjitha nivelet e qeverisjes, me atë që qeveritë vazhdimisht paraqiten se janë më të hapura se ministritë dhe organet në përbërje të tyre.
“Sipas Indeksit Rajonal të Hapjes, rezultatet më të mira në mesin e qeverive në rajon i ka arritur Qeveria e Maqedonisë së Veriut me përmbushje prej 78,33% të treguesve të hapjes. Mirëpo, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut (78,33%) nuk është institucioni më i hapur, por kjo është Ministria e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut (90,84%). Ndërsa këtë vit (2024), në listën e renditjes, si e dyta u rendit Ministria e Bujqësisë (85,61%). Kur mendojmë më thellë dhe e shikojmë pamjen më të gjerë, Ministria e Mbrojtjes, si institucion i renditur në vend të parë, është institucioni që punon me një sasi të madhe të dhënash të klasifikuara sipas legjislacionit ekzistues. Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë, në matjen e vitit të kaluar, ishte nën mesataren në përmbushjen e treguesve nga ministritë, mirëpo pas publikimit të Indeksit në vitin 2023, ata treguan vullnet politik dhe punuan bashkë me ne nga Fondacioni “Metamorfozis” për ta përmirësuar hapjen e tyre. Kjo vetëm na çon në përfundimin se vullneti politik luan një rol të madh në rritjen e hapjes së institucioneve”. – theksoi Danillovska-Bajdevska.
Sipas saj, digjitalizimi është e ardhmja e ushtrimit të së drejtës për qasje të lirë në informata. Në fakt, i tillë është shembulli në Maqedoninë e Veriut, me krijimin e platformës së Thesarit të Hapur (open.finance.gov.mk), përmes të cilit mundësohet qasje në të gjitha të dhënat nga Thesari i shtetit në format të hapur.
Danillovska-Bajdevska theksoi se në Maqedoninë e Veriut, me qëllim të ndërlidhjes dhe harmonizimit të politikave tashmë të miratuara që në mënyrë direkte ose indirekte synojnë përmirësimin e transparencës së institucioneve, por edhe për të ofruar udhëzime të reja për përmirësimin e transparencës së institucioneve, Qeveria së bashku me Fondacionin Metamorfozis krijoi një proces gjithëpërfshirës në të cilin u krijua Strategjia e Qeverisë për Transparencë me Planin e Veprimit (2023–2026). Pritet që me zbatimin e këtij dokumenti strategjik të ndërtohet një kulturë e transparencës në institucione dhe në këtë mënyrë të rritet besimi i qytetarëve tek institucionet, gjë që do të ndikojë pozitivisht në demokratizimin e shtetit.
Ndaje: